Kush e ka fajin për pandemitë? - Business Magazine Albania

Kush e ka fajin për pandemitë?


Anisa Tahiri, Psikologe

Kur çështje të tilla komplekse si pandemitë ‘trokasin në derë’, njeriu mundohet t’i japë një  shpjegim situatës kërcënuese. Çdokush kërkon një fajtor: ndoshta fajin e kanë korporatat, shtetet, disa profesione të caktuara, apo një kategori njerëzish. Kështu individi mendon se duke fajësuar atë grup, ai po mbron vetveten. Kjo lloj sjellje, në thelb është një mënyrë që individi zgjedh sesi ta përballojë krizën aktuale.

Ekspertët e shpjegojnë rrezikun nga sëmundja në mënyrë abstrakte, me shifra e probabilitet, kurse publiku i gjerë ka tendencën të kërkojë fajtor dhe përgjegjës për pandeminë.

Si ka ndodhur më parë dhe a po përballemi me të njëjtën gjë edhe tani?

Studiuesit zviceranë janë munduar të shpjegojnë se kë fajësojmë kur bota përballet me një pandemi, duke marrë si objekt studimi pandeminë e vitit 2009 të shkaktuar nga virusi H1N1.

Ata ndër të tjera kanë shpjeguar edhe se në rastin e Ebolës, nga analiza e parë sesi media e kishte trajtuar pandeminë, rezultoi se si fillim njerëzit kishin pasur frikën e kontaminimit, me pas kishte nisur shpërndarja e informacionit që shton panikun, e më pas fajësimi i popujve të tjerë dmth ‘popujt që nuk kanë higjienë personale të mirë’.

Po ashtu gjatë SARS-it, pas një analize të shtypit britanik, u pa që sërish po fajësoheshin ‘viktimat e largëta’. Pse? Sepse kur viktimat janë në vende të largëta,  individi e largon situatën kërcenuese, ai ndihet i shkëputur; ‘ata që sëmuren janë larg meje, janë të papastër ndaj unë nuk jam i kërcënuar’.

Çdo histori pandemie ka 3 karakterë: heronjtë, të ligët dhe viktimat. Ka gjithashtu edhe 3 faza ku këto role nuk luhen nga të njëjtat instanca. Kush i luan këto karaktere në cilat faza?

Le të shikojmë rastin e H1N1.

Për H1N1, vendet e largëta u konsideruan shpesh fajtorë, në të treja fazat e pandemisë. ‘E ka një arsye pse kjo sëmundje u shfaq në Meksikë fillimisht!”

Gjatë fazës së parë dhe të dytë autoritetet u konsideruan si heronj, por kjo ndryshoi gjatë fazës së tretë ku qeveria u pa si përgjegjëse për të minimizuar kërcënimin. Individët u ndjenë të pashpresë përballë pandemisë që përhapej me shpejtësi. Në fazën e dytë, individët i besonin autoriteve lokale në marrjen e masave të duhura, kurse në fazën e tretë mosbesimi u rrit. Madje kishte dhe nga ata që hidhnin dyshime se qeveritë ishin pjesë e një konspiracioni me kompanitë farmaceutike për t’u rritur fitimet këtyre të fundit.

Doktorët në çdo fazë ishin heronjtë; në fazën e parë ata u panë si ata që ndihmojnë njerëzit ‘pa ata ne nuk do mund të bënim asgjë’ dhe ata janë ekspertët që mund të na informojnë për situatën, ‘do të bëjmë si thonë mjekët’. Ndërsa në fazën e dytë dhe të tretë të pandemisë mjekët përmenden më shumë për çështjet e vaksinimit.

Media konsiderohej nga individët si “të ligët” gjatë të gjithë krizës. Në fazën e parë njerëzit mendonin që media përhapte panik në popullsi ‘Media flet shumë për sëmundjen ndaj të gjithë kanë frikë.’ Gjatë fazës së dytë individët mendonin se media po e ekzagjeronte seriozitetin e kërcënimit. Në fazën e tretë fillon të duket skepticizmi: ‘Nuk duhet të besojmë çdo gjë që na thotë media’.

Edhe industria farmaceutike u konsiderua ‘e ligë’ në çdo fazë të epidemisë. Në fazën e parë kompanitë farmaceutike u përmendën për fitimet e majme që do mund të merrnin për shkak të epidemisë. ‘Jam i sigurt se këto kompani janë shumë të lumtura me ç’po ndodh’.  Në fazën e dytë e të tretë, përfitimet nga pandemia sërish ishin tema kryesore, por këtë herë zviceranët e panë industrinë farmaceutike si shkaktare të mundshme të pandemisë. Gjithashtu kjo industri u pa si manipuluese e qeverisë në blerjen e vaksinave.

Siç mund ta shikojmë, në raste krize gjithmonë ne si individë do të kërkojmë me ngulm të gjejmë një fajtor: qoftë nga vendet e largëta apo brenda në shtëpi. Do duam të mbrojmë veten duke u larguar nga ajo popullsi që vjen nga vendet e prekura. Do shikojmë me skepticizëm median se çfarë ajo transmeton, do të vëmë në pikëpyetje autoritetet dhe do të ngremë dyshime ndaj industrisë farmaceutike.

Nuk është as hera e parë, as e fundit që bota po përballet me një pandemi. Ia kemi dalë më përpara, shpresojmë që do ia dalim edhe këtë herë. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të ndjekim të gjitha udhëzimet pikë për pikë nga organet kompetente.

Ndaj mik, këto javë të vështira mundohu të mos fajësosh njeri, por të shpenzosh kohë me familjen, me njerëzit që i do, dhe mbi të gjitha: kujdesu për veten e të tjerët.

Ky shkrim është bazuar në studimin shkencor: Mayor, E., Eicher, V., Bangerter, A., Gilles, I., Clémence, A. and Green, E. (2013) Dynamic social representations of the 2009 H1N1 pandemic: Shifting patterns of sense-making and blame, Public Understanding of Science, 22, 8, 1011- 1024. DOI:10.1177/0963662512443326

 

Must watch
Business Mag Nr. #25 - Mars 2021

Kjo periudhë përkon me një vit të plotë në kushte pandemie në vendin tonë, në Europë dhe në mbarë botën. Në një vit ndodhën shumë zhvillime, të paparashkuara ndonjëherë më parë nga ne, duke hedhur poshtë shumë plane apo projekte tonat për rritjen. Por, në këtë kohë sipërmarrje të ndryshme u vunë në lëvizje për të gjetur zgjidhje të reja e për të siguruar mbijetesën.

Në këtë numër të revistës, vijnë zhvillimet përmes gjurmëve që kanë lënë tek industri, sipërmarrje apo individë sipërmarrës.

Pano Soko, ekonomist i njohur flet për efektet e paketave ekonomike të mbështetjes dhe nevojën për paketa ndihme në industritë e prekura.

Rubrika 3X3 i kushtohet industrisë së verërave. Nga intervistat tona me 3 prodhues rezulton se

verërat shqiptare janë të “paralizuara” nga pandemia.

Verërat janë në një trend me turizmin. Brunila Liçaj, profesore dhe eksperte në fushën e turizmit është optimiste për të ardhmen e kësaj fushe.

Në rubrikën e brandeve kemi sjellë, fabrikën e qumështit dhe prodhimeve të bulmetit “Lufra”, ndërsa një brand që po rimëkëmbet nga Kosova është prodhuesi i këpucëve artizanale “Perolli”. Të dy këto brande janë model frymëzimi për njerëzit e punës!

Një pjesë e rëndësishme e revistës i dedikohet konkursit dhe fituesve të Businessmag në …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0