Kur dopamina të fut në kurth - Business Magazine Albania

Kur dopamina të fut në kurth

Burimi i rrallë i përfolur i burnout-it që po përballin developer-ët në epokën e AI

Kur dopamina të fut në kurth
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ai flinte mesatarisht vetëm 4 orë e 44 minuta në natë. Zgjohej pak orë pasi i zinte gjumi. Mendja i rrinte “në punë”, edhe kur trupi ishte i rraskapitur. Në letër, Glenn Sanford ishte në kulmin e karrierës si sipërmarrës dhe zhvillues teknologjie. Në realitet, trupi dhe mendja po i dërgonin një mesazh të qartë: mjaft!

Sanford është themelues i eXp Realty, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e pasurive të paluajtshme, si dhe CEO dhe themelues i SUCCESS® Enterprises. Ai njihet për përdorimin e avancuar të inteligjencës artificiale në ndërtimin dhe automatizimin e proceseve të biznesit. Sot, Sanford flet hapur për diçka që rrallë përmendet në botën e teknologjisë: varësinë që mund të krijojë puna me AI dhe “kurthin e dopaminës” që e shoqëron.

Ai nuk është rast i izoluar. Një raport i vitit 2025 nga Creators 4 Mental Health, i cili analizoi shëndetin mendor të krijuesve të përmbajtjes në Amerikën e Veriut, tregon se kjo kategori përballet me probleme serioze psikologjike, ndërkohë që mbështetja që marrin është minimale.
10% e të anketuarve kanë përjetuar mendime vetëdëmtuese, 69% jetojnë me pasiguri financiare, 65% janë shpesh të fiksuar pas performancës së përmbajtjes së tyre dhe 62% raportojnë burnout.

Studime të tjera mbi profesionistët e inxhinierisë software tregojnë se mirëqenia lidhet drejtpërdrejt me performancën, produktivitetin dhe kreativitetin. Sa më i lodhur të jetë mendërisht një zhvillues, aq më i ulët është edhe impakti i punës së tij. Për Sanford-in, lodhja mendore u kthye shpejt në alarm fizik. Trupi nisi t’i “ndalonte frenat” vetë, duke e detyruar të reflektojë thellë mbi mënyrën se si po e konsumonte teknologjia që vetë po ndërtonte.

Lexo edhe: Pandora kalon nga argjendi te platini, ndërsa çmimet e metaleve të çmuara rriten

Kur puna me AI të fut në një cikël varësie

Pa e kuptuar, Sanford po kërkonte vazhdimisht një ndjesi kënaqësie të shpejtë: “vetëm edhe një prompt”. Ajo ndjesi që të jep kur një ide funksionon, kur një problem zgjidhet brenda pak minutash, kur sistemi përgjigjet menjëherë. Verën e kaluar, pas daljes së ChatGPT-5, ekipi i tij ndërtoi brenda pak javësh një platformë të madhe sociale, diçka që ai e përshkruan si “një lloj Facebook-u i ri për zhvillim personal”, me ambicien për t’u kthyer në “Netflix-in e përmbajtjes motivuese”. Çdo funksion i ri sillte probleme të reja. Çdo problem zgjidhej shpejt. Dhe çdo zgjidhje sillte një ndjesi kënaqësie që të shtynte të vazhdoje edhe pak më shumë.

Ky ritëm i shpejtë provë–gabim–zgjidhje krijon një varësi të heshtur. Mendja mësohet me shpërblimin e menjëhershëm. Sanford punonte deri natën vonë, flinte pak dhe zgjohej me mendimin se duhej të shtonte edhe një veçori tjetër. Edhe pse e dinte që po i bënte keq vetes, e kishte shumë të vështirë të ndalej. Derisa trupi reagoi. Zemra filloi t’i rrihte në mënyrë të çrregullt. Përjetoi aritmi kardiake (A-fib), një gjendje serioze që kërkon trajtim mjekësor. Atëherë e kuptoi se nuk ishte thjesht lodhje pune, por një problem real shëndeti.

Në epokën e AI, pothuajse çdo profesion ka ritme më të shpejta. Por krijuesit dhe zhvilluesit janë ndër më të ekspozuarit ndaj burnout-it. Arsyeja është e dyfishtë: feedback-u vjen shumë shpejt dhe konkurrenca është e pamëshirshme.

Nëse je tip ambicioz, gjithmonë ekziston frika se dikush tjetër do ta bëjë më shpejt, më mirë, më parë. Ky presion i brendshëm e shtyn njeriun të mos ndalet. Neuroshkenca shpjegon pse kjo ndodh: dopamina çlirohet kur presim një shpërblim. Kur rezultati është i paparashikueshëm, efekti është edhe më i fortë. Kjo e bën procesin e krijimit një lloj “loje” që do ta luash vazhdimisht, edhe kur je i rraskapitur. Psikologët paralajmërojnë se sidomos të rinjtë, të rritur me ekrane dhe stimulim të shpejtë, janë më të rrezikuar. Kur njeriu fillon të mos përqendrohet dot në punë që kërkon durim dhe kohë, është shenjë se truri po mësohet vetëm me shpërblime të shpejta.

Si ta ruash krijimtarinë pa u mbingarkuar

AI i ka hapur dyer shumë njerëzve që më parë nuk kishin akses në teknologji. Por procesi i ndërtimit është emocionalisht i lodhshëm: entuziazëm, zhgënjim, rregullime pa fund, “bug-e” që dalin gjithmonë në momentin më të keq. Këshilla më e thjeshtë, por më e vështira për t’u zbatuar: mos e shndërro krijimin në torturë. Shihe si një proces krijues, si një vepër arti në ndërtim. Ruaje kureshtjen, jo obsesionin.

Kur puna duhet bërë, por jo me çdo kusht

Sanford sot i ka vendosur vetes kufij të qartë. Kodon vetëm disa orë në ditë. Ditën e ndan në blloqe pune dhe pushimi real. Bën ecje, lëviz, i jep trurit stimuj të tjerë përveç ekranit.

Mesazhi i tij është i thjeshtë, por i fortë:
Jo çdo sukses duhet përsëritur me çdo kusht.
Jo çdo ide duhet ndërtuar deri në pikën që të shkatërron shëndetin.

“Ka një çmim për suksesin,” thotë ai. “Ndonjëherë, përgjigjja më e mençur është: jo këtë herë.”

success

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0