Kultura e kafesë. Love it!

Kultura e kafesë. Love it!


Shkruar nga Genti Zotaj

Gjithmonë kam qenë i intimiduar nga fakti që më pëlqen të punoj kafeve, plazheve apo diku jashtë zyre. Çfarë do mendojnë njerëzit, në qoftë se do të shikonin në orar pune? Do mendonin që e harxhon kohën kot. Një takim në kafe do quhej, “ça jemi ne shqiptarët, vetëm kafeve”.

Se di se çfarë do thoshin për Ernest Hemingway, që ka kafene të preferuar në çdo vend që ka shkelur. Bashkë me të dhe Kadare e shumë të tjerë. Gjithmonë kam pyetur veten nga vjen kjo dëshirë dhe shpjegimin më të mirë e kam gjetur rastësisht në librin “Quite” të Susan Cain, ku shpjegon arsyen e saj, se përse atë libër e kishte shkruar nëpër kafene kudo në botë. Njerëzit janë qenie sociale dhe kanë nevojë të jenë mes njerëzish. Edhe pse nuk njeh asnjë në atë bar ku je duke shkruar, thjesht ideja që rrethohesh nga njerëz me ëndrra, ambicie, qëllime, mjafton për të ndjerë një lloj lidhje, për t’u ndjerë gjallë.

2013 duke punuar në Drimadhes për një projekt Austriak

Disa mund të thonë që kjo lidhet me punë krijuese, me artin. Po a nuk është çdo krijim një lloj arti në vetvete? Qoftë kur flitet për teknologjinë, arkitekturën, matematikën, fotografinë e me radhë. Kur shkova për herë të parë në San Francisco, u ndjeva si në shtëpi. Kudo shikoje njerëz bareve me laptop duke punuar. Në Londër sa del dielli njerëzit dergjen rrugëve për të kapur një cep. Kompanitë më të mëdha në botë si Google, Facebook e me radhë, krenohen për faktin se ambientet e tyre të punës nuk duken si zyra. Dhe gjejeni çfarë duken, si bare, restorante, parqe.

Gjatë universitetit, kisha tavolinën time në një bar afër Ekonomikut, El-Paso. Duke patur mik dhe shok klase pronarin, Sajen, kisha luksin të kisha një tavolinë për vete ku studioja. Kur fillova karrierën e konsulentit, më pëlqeu që gjeta një kompani me të njëjtën filozofi. Pak rëndësi kishte nga ku punoje, për aq kohë sa ke rezultate. E gjeta veten, kur nuk duhet të isha tek ndonjë klient (në Pragë, Milano, Vjene apo gjetkë), e shpenzoja kohën duke punuar nga Drimadhes, Dhërmi, Ulqin. Mjafton të kisha një laptop, internet dhe karikues me vete.

Këtë ndjenjë lirie e kam kultivuar edhe mes njerëzve me të cilët kam zgjedhur të punoj. Përveç rasteve që kërkohet të jemi në zyrë apo një takim zyrtar, pak rëndësi ka nga ku punon. Në këtë mënyrë nga Tirana sot dorëzohen projekte në Singapor, Zvicër, Luxemburg, Kaliforni etj.

A nuk janë garazhe, bare, apo konvikte universitetesh vendet nga ku sot dalin me tepër kompani miliardash? Ndaj më tepër se ku e kalojmë kohën, është mirë të mendojmë se si t’a shpenzojmë atë. Nuk ka asgjë të keqe me dëshirën dhe kulturën tonë të kafesë, madje duhet përqafuar dhe kthyer në avantazh. Kush e ka thënë që puna dhe qejfi duhet të jenë gjëra të ndara.

Për t’a mbyllur, kush është për një drink tek Pepper në 22 Gusht dhe flasim për jetën, teknologjinë, artin, datat dhe çfarë mund të bëjmë për t’a kthyer kohën tonë në vlerë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0