Kostoja e vetmisë mund të jetë vdekja: Ja si të gjeni miq të mirë - Business Magazine Albania

Kostoja e vetmisë mund të jetë vdekja: Ja si të gjeni miq të mirë

Kostoja e vetmisë mund të jetë vdekja: Ja si të gjeni miq të mirë

Të punosh nga shtëpia gjithë ditën, të porositësh darkën online dhe të shohësh serialin tënd të preferuar vetëm mund të tingëllojë ideale. Por nëse kjo bëhet rutinë, pasojat mund të jenë serioze,  madje të shkurtojnë jetën tuaj.

Kjo nuk ndodh për shkak të përmbajtjes ushqimore të darkës, por sepse mungesa e marrëdhënieve të forta dhe pozitive ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë. Sipas kërkimeve, lidhjet sociale janë një nga mënyrat më të mira për të zgjatur jetën. “Qeniet njerëzore janë të prirura nga natyra për të qenë sociale. Kemi një nevojë të thellë për të përkitur,” thotë Dr. Amit Kumar, profesor në Universitetin e Teksasit në Austin.

Pse duhet të ndryshoni?

Sepse vetmia ka kosto të lartë. Në një udhëzim të vitit 2023, ish-Kirurgu i Përgjithshëm i SHBA-së, Dr. Vivek H. Murthy, shkroi se “ndikimi i shkëputjes sociale në vdekshmëri është i ngjashëm me pirjen e 15 cigareve në ditë, madje më i lartë se ai i obezitetit dhe mungesës së aktivitetit fizik.” Vetmia është lidhur me stres të shtuar, tension të lartë, vdekje të parakohshme dhe vështirësi në përballimin e sfidave të përditshme. Megjithatë, për të rriturit, krijimi i miqësive të reja nuk është i lehtë. Mungesa e ambienteve sociale, frika nga refuzimi apo ankthi social janë ndër pengesat kryesore.

Si të thyesh barrierat për të krijuar miqësi

Së pari, analizoni sjelljet tuaja. Frika nga refuzimi dhe ankthi social janë të zakonshme, por nuk duhet të ndalojnë përpjekjet tuaja. Ekspertët rekomandojnë që të vendosni veten në situata të vogla sociale për t’u stërvitur, qoftë edhe duke folur më gjatë me një kamarier apo duke shmangur vetëshërbimin në supermarket. Gjithashtu, nëse koha është problem, rishikoni angazhimet tuaja dhe jepni prioritet jetës sociale. Organizoni takime të shkurtra dhe spontane me miqtë në vend të eventeve të mëdha. Një shëtitje, palester apo edhe një sesion palosjeje rrobash me një mik janë mënyra të vlefshme për t’u lidhur.

Lexo edhe:Inteligjenca Artificiale dhe epoka e re e kinematografisë mes mundësive dhe kërcënimeve

Kapërceni sfidat mjedisore

Sot, shumë njerëz ankohen për “zhdukjen e vendeve të treta”, hapësirave publike për t’u socializuar jashtë shtëpisë dhe punës. Por këto vende po mbyllen për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Kultura e komoditetit ka ndikimin e vet: porositja e ushqimit në shtëpi, leximi përmes pajisjeve digjitale, ndjekja e meshave online, të gjitha këto reduktojnë kontaktet spontane. Nëse dëshironi më shumë miqësi, ndaloni përdorimin e tepërt të telefonit në ambiente publike. Nëse shfaqeni gjithnjë të zënë me ekranin, tjerët do të ngurrojnë të ju afrohen.

Gjeni njerëz me interesa të përbashkëta

Mendoni për vlerat tuaja dhe çfarë lloj miku dëshironi. Nëse ju pëlqen të ndihmoni të tjerët, angazhohuni në aktivitete vullnetare. Nëse ju pëlqejnë librat, merrni pjesë në klube letrarë apo shkoni në bibliotekë. Merrni pjesë në kurse gatimi apo vallëzimi, është një mënyrë për të mësuar diçka të re dhe për të njohur njerëz. Mos e nënvlerësoni fuqinë e rivendosjes së kontaktit me një mik të vjetër. Sipas psikologëve, njerëzit zakonisht janë më të lumtur nga sa mendojmë kur na dëgjojnë pas kohe. Gjithashtu, mund të merrni nismën vetë: organizoni darka me “miq të miqve” ku secili sjell një mik të ri , një mënyrë e thjeshtë për të zgjeruar rrethin social.

Si të flasësh me të panjohurit

Bisedat e vogla janë të domosdoshme për ndërtimin e miqësive. Mos kini frikë të bëni pyetje të thjeshta në përputhje me ambientin, në një bar jazz, pyesni për artistin e preferuar. Nëse dikush përmend një udhëtim, kërkoni më shumë detaje apo ndani një përvojë të ngjashme. Mund të përdorni edhe teknikën “dëgjo dhe lidhu”: kur dikush flet, përpiquni të gjeni një pikë të përbashkët për ta vazhduar bisedën.

Si të mbash një mik

Ndryshe nga marrëdhëniet romantike që kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm, shumë njerëz mendojnë se miqësitë duhet të jenë të lehta dhe spontane. Kjo ide shpesh sjell në prishjen e marrëdhënieve. Ekspertët theksojnë rëndësinë e qëllimit dhe përkushtimit në miqësi: dërgoni një mesazh për të pyetur si është, kujtoni preferencat e mikut tuaj, jini të vëmendshëm dhe jo gjykues. Në fund të ditës, ndërtimi i një rrjeti social të shëndetshëm nuk është luks – është domosdoshmëri për jetëgjatësinë dhe mirëqenien tuaj.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0