Katastrofa e ardhshme - Business Magazine Albania

Katastrofa e ardhshme

Në vitin 1993, revista “The Economist” i tha botës që të shikojë drejt qiejve. Në atë kohë, njohuritë e njerëzimit për asteroidet që mund të godisnin Tokën ishin shumë të pakta. Ashtu si luftërat bërthamore dhe shpërthimet e mëdha vullkanike, ndikimet e asteroideve të mëdha janë shumë më të rënda sesa ndryshimet klimatike; nëse një i tillë do të shkatërronte të korrura me vlerë disavjeçare në të gjithë globin do të vdiste një pjesë e konsiderueshme e popullsisë.

Një ngjarje e tillë pa dyshim që është shumë e pagjasë. Por duke pasur parasysh pasojat, do të ishte e logjikshme që të matej niveli i ndikimit, e megjithatë, asokohe, askush nuk e merrte mundimin t’i hynte kësaj pune. Goditjet e asteroideve mund të jenë një shembull ekstrem i injorancës së qëllimshme të botës – por jo i pazakontë. Ngjarjet me ndikim të madh dhe probabilitet të ulët janë një fakt i jetës.

Individët kërkojnë mbrojtjen e qeverisë nga këto katastrofa dhe nëse mund ta përballojnë, duan të jenë të sigurt. Por njerëzimi në tërësi, siç përfaqësohet të paktën nga qeveritë e botës, ka treguar se parapëlqen t’i shpërfillë ngjarje të tilla, derisa vjen pika kur është i detyruar të reagojë – edhe në rastet kur kostot për marrjen e masave paraprake janë të ulëta. Kjo është papërgjegjshmëri dhe tradhti ndaj së ardhmes.

Covid-19 është një shembull tragjik. Virologët, epidemiologët dhe ekologët kanë paralajmëruar për dekada të tëra mbi rreziqet e një sëmundjeje të ngjashme me gripin që transmetohet nga kafshët e egra. Por kur sars-cov-2 filloi të përhapet, shumë pak vende zotëronin kombinimin e nevojshëm të planeve praktike, kushteve dhe aftësive burokratike për zbatimin e tyre. Ata që e kishin përfituan shumë. Deri tani, Tajvani ka regjistruar vetëm shtatë vdekje nga Covid-19 dhe ekonomia e tij ka vuajtur më pak.

Kërcënimet e reja

Pandemitë janë katastrofa me të cilat qeveritë kanë përvojë. Cilat janë atëherë kërcënimet e reja? Kurora e nxehtë dhe e zjarrtë që mbështjell Diellin – e cila ofron pamje spektakolare gjatë eklipsit diellor – lëshon në intervale të pacaktuara sasi të mëdha grimcash të ngarkuara në hapësirë. Këto shkaktojnë aurorat boreale dhe australe dhe mund të çrregullojnë rrjetet elektrike dhe komunikimet.

Por gjatë një shekulli, teksa energjia elektrike është bërë vendimtare për pjesën më të madhe të jetës njerëzore, Toka nuk është goditur kurrë nga luhatje të tilla diellore të përmasave të mëdha. Nëse do të ndodhte një goditje koronale në masë (CME), të gjitha llojet e sistemeve satelitore të nevojshme për navigim, komunikim dhe paralajmërime për sulme raketash, do të ishin në rrezik.

Pjesë të mëdha të planetit mund të mbeteshin me muaj apo edhe vite, pa energji elektrike. Shanset që një katastrofë e tillë të ndodhë këtë shekull, janë paraqitur nga disa në nivelin 50:50. Edhe nëse në të vërtetë nuk janë kaq të larta, ato prapëseprapë janë më të mëdha se shanset që një udhëheqës kombëtar të dijë se kush është i ngarkuar në qeveri për të menduar për gjëra të tilla.

Fakti që asnjë qeveri nuk ka parë ndonjëherë një CME vërtet të madhe, ose një shpërthim vullkanik aq të madh sa të ndikojë në të korrurat në të gjithë botën – më i fundit ishte vullkani Tambora, në vitin 1815 – mund të shpjegojë mungesën e largpamësisë së tyre. Por kjo nuk është e justifikueshme. Vëzhgimi i së ardhmes është pjesë e përgjegjësisë së një qeverie.

Shkencëtarët i kanë pajisur ato me mjetet e nevojshme për përpjekje të tilla, por pak akademikë do të ndërmerrnin një punë të tillë, kur ajo nuk ofrohet, nuk financohet dhe nuk vlerësohet. Biznesi privat mund të ndërmarrë disa hapa kur dallon rreziqe specifike, por nuk do të hartojë plane për shoqërinë në përgjithësi.

Natyrisht, vullkanet e Tokës dhe kurora e Diellit nuk mund të kontrollohen. Por sistemet e paralajmërimit të hershëm janë të mundura, dhe po kështu edhe të qenët në gatishmëri. Vullkanet historikisht aktive që ndodhen pranë qyteteve të mëdha, si Fuji, Popocatépetl dhe Vezuvi, monitorohen mirë, dhe ka të paktën plane për evakuim nëse do të jetë e nevojshme. Nuk do të ishte aq e vështirë të zgjerohej ky lloj kujdesi për të gjithë vullkanet që kanë potencialin për të ndryshuar klimën.

Qeveritë gjithashtu mund të sigurojnë që operatorët e rrjetit të kenë plane të arsyeshme se çfarë duhet të bëjnë në rast se DSCOVR, një satelit që qëndron midis Tokës dhe Diellit, jep një paralajmërim gjysmë ore përpara për mbërritjen e një CME-je, funksion për të cilin është krijuar. Sigurimi se ka kopje rezervë offline për disa pjesë jetike të pajisjeve të rrjetit do të ishte më i kushtueshëm se një alarm vullkani, dhe vetëm sa do ta zvogëlonte, nuk do ta eliminonte rrezikun. Ama ia vlen barra qiranë.

Gjithashtu nuk do të ishte e vështirë të sigurohej një paralajmërim i hershëm i pandemive të mundshme. Do të ishte e kotë përpjekja për të ndaluar të gjitha transmetimet e patogjenëve të rinj nga kafshët e egra – megjithëse vendosja e një kufizimi në bujqësinë më intensive dhe shfrytëzimin e ekosistemeve të egra do të ndihmonte. Por, përsëri, rreziku mund të zvogëlohet. Monitorimi i viruseve që gjenden te kafshët dhe te njerëzit ku këto viruse kanë më të ngjarë të transmetohen, do të ishte një masë e dobishme.

Do të ishte e vështirë që vendet t’i besonin njëri-tjetrit për marrjen e këtyre masave dhe për arritjen e nivelit të duhur të transparencës që do ta bënte këtë besim të panevojshëm. Por, nëse ekziston një moment i duhur për ta provuar, është pikërisht ky. Para cunamit të Oqeanit Indian në vitin 2004, kishte pak sisteme paralajmëruese të hershme për cunami. Tani, fatmirësisht, ka shumë.

Mund të duket jorealiste të këmbëngulësh në gatishmërinë për rreziqe të tilla në një kohë kur ekzistojnë kërcënime më të mëdha, me të cilat po përballet bota, përfshirë ndryshimet katastrofike të klimës dhe luftën bërthamore. Por nuk bëhet fjalë për të zgjedhur njërën apo tjetrën. Ndryshimet strukturore të nevojshme për të zvogëluar rreziqet klimatike – që shumë vende po i ndjekin tani, por me urgjencë të pamjaftueshme – janë të një rendi të ndryshëm. Për më tepër, qasjet që u përshtaten kërcënimeve të fshehta, kanë implikime edhe për ato më të njohurat.

Të menduarit për zvogëlimin e rrezikut, në vend të eliminimit të tij, duhet të nxisë hapa si heqjen e alarmit të vazhdueshëm për armët bërthamore dhe qasjet e reja për kontrollin e armëve. Një qasje më serioze ndaj monitorimit mjedisor mund të ndihmojë në sigurimin e një paralajmërimi të hershëm për ndryshime të papritura në modelet e luhatjeve klimatike, si dhe mund të dallojë magmat në rritje që ndodhen në malet e largëta, për të cilat bota nuk ka shumë dijeni.

Vëzhgimi i së ardhmes për rreziqe dhe regjistrimi i atyre që ndodhin, është shenjë e pjekurisë së kujdesshme. Është gjithashtu një zgjerim i vlefshëm i imagjinatës. Qeveritë që e marrin me seriozitet faktin se e ardhmja e afërt mund të jetë krejt ndryshe nga e shkuara e afërt, mund të gjejnë rrugë të reja për të eksploruar dhe një interes të ri për të realizuar arritjet e tyre. Ky është pikërisht lloji i qëndrimit që kërkon udhëheqja në mbrojtjen e mjedisit dhe përmbajtjen e konflikteve të armatosura. Mund të jetë gjithashtu një lehtësim. Pothuajse të gjitha asteroidet e mëdha që mund t’i afrohen Tokës janë gjetur tashmë. Asnjë nuk është një kërcënim afatshkurtër. Bota nuk është thjesht një vend më i sigurt se më parë. Është gjithashtu një vend më i mirë, sepse i ka zbuluar ato rreziqe.

The Economist

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0