Jeta në një flluskë: Tragjedia e realiteteve tona personale - Business Magazine Albania

Jeta në një flluskë: Tragjedia e realiteteve tona personale

Jeta në një flluskë: Tragjikomedia e realiteteve tona personale

Shkruar nga Elvis Shera, Kontributor

Të dashur lexues,

A e keni menduar ndonjëherë se si realiteti ynë është thjesht një version i filtruar i së vërtetës? Se gjithçka që besojmë, perceptojmë dhe kuptojmë për botën rreth nesh është formuar nga përvoja jonë e kufizuar, nga informacioni që zgjedhim të konsumojmë, nga familja dhe nga rrethi ynë shoqëror? E megjithatë, për shumicën prej nesh, ky realitet i ndërtuar duket i vetmi i mundshëm. Kjo sepse ne jetojmë brenda një flluske. Një hapësirë e padukshme që përcakton mendimet, bindjet dhe madje edhe kufijtë e imagjinatës sonë. Dhe më ironikja është se, shpeshherë, nuk e kuptojmë se jemi të mbyllur brenda saj. Për ne, kjo flluskë është realiteti i plotë. Por çfarë ndodh kur një flluskë plasaritet? Kur papritmas e kuptojmë se bota është shumë më e madhe dhe më komplekse sesa ajo që kemi ndërtuar rreth vetes? Dhe, akoma më intriguese, çfarë ndodh me ata që nuk jetojnë as në flluskën e tyre, por në flluskën e dikujt tjetër?

Në këtë reflektim mbi realitetin tonë personal dhe perceptimin e botës, do të zbulojmë sesi flluskat tona formohen, si mund të zgjerohen, dhe çfarë ndodh kur, herë pas here, njëra prej tyre plas duke na lënë përballë një universi të ri mundësish.

 

Ç’po ndodh sot me flluskat?

Sot është më e vërtetë sot se kurrë më parë: të gjithë jetojmë brenda flluskës sonë të vogël. Ajo flluskë është realiteti ynë dhe shpesh është shumë ndryshe nga realiteti i vërtetë. Gjithçka që mendojmë, besojmë dhe supozojmë është produkt i flluskës sonë. Madje edhe ndjenja jonë për të drejtën dhe të gabuarën, etika dhe morali janë të paketuar bukur brenda saj. Ajo që është edhe më keq, disa shpirtra të gjorë nuk jetojnë as në flluskën e tyre, por janë të mbërthyer brenda flluskës së dikujt tjetër.

 
Si krijohet flluska?

Flluska është thjesht një perceptim që kemi ndaj realitetit, dhe ky perceptim nuk krijohet menjëherë. Ai formohet me kalimin e kohës, duke u ushqyer nga konfirmimet që marrim mbi mendimet, paragjykimet ose hamendësimet tona, si dhe nga mendimet që na janë imponuar nga ambienti rrethues. Ky ambient mund të jetë familjar, shoqëror ose i ndikuar nga mediat dhe rrjetet tona sociale.

Sigurisht, mendimet mund të na i vendosë në kokë kushdo. Imagjinojeni mendimin si një farë të mbjellë në tokë. Ashtu si fara rritet dhe zhvillohet, po ashtu një mendim i mbjellë mund të rritet në mendjen tonë dhe të shndërrohet në një ide, një frikë, një fobi ose një perceptim i deformuar i realitetit.

Tendenca jonë si individë është ti kushtojmë vëmendje dhe ti besojmë vetëm atyre konfirmimeve që përputhen me bindjet tona, ndërsa i kushtojmë pak vëmendje ose injorojmë çdo gjë që i kundërshton ato. Duke forcuar bindjet tona, muret e flluskës bëhen më të trasha. Algoritmet e rrjeteve sociale funksionojnë në mënyrë të tillë. Na prezantohet ajo që na pëlqen, duke kontribuar në përforcimin dhe përsëritjen e të njëjtit informacion brenda flluskës sonë. Imagjinojeni këtë si një jehonë që përplaset vazhdimisht brenda mureve të flluskës. Aspekti negativ i këtyre algoritmeve është se na pengojnë të eksplorojmë diçka të re, diçka që mund të na surprizojë dhe që ndoshta do të na pëlqente po ta njihnim.

Njeriu si qenie sociale ka prirjen të adoptojë bindjet dhe vlerat e grupit apo familjes, sepse kështu ndjen përkatësi dhe shmang izolimin. Kjo është diçka natyrale dhe jo domosdoshmërisht negative, por sigurisht është një faktor kontribues në krijimin dhe forcimin e flluskës. Një zgjerim i këtij fenomeni është psikologjia e turmës. Kur shumica e njerëzve rreth nesh besojnë diçka, ne kemi prirjen ta pranojmë atë besim pa e analizuar në mënyrë kritike, sepse i nënshtrohemi presionit social. Shembuj të psikologjisë së turmës janë ideologjitë, sektet dhe religjionet.

Lexo edhe:10 gjëra që nuk duhet t’i shtyjmë për veten tonë, sipas psikologjisë

 
Cilat janë efektet e flluskës?

Njerëzit kanë një prirje natyrore për stabilitet dhe siguri, prandaj shmangin informacionet ose situatat që sfidojnë bindjet e tyre. Një realitet i ri kërkon energji për ta kuptuar dhe pranuar, prandaj është më e lehtë të qëndrosh në flluskën tënde. Kjo njihet ndryshe edhe si zona e konfortit. Nje arsye tjetër për të mos e lënë zonën e konfortit është frika dhe ndjesia e pasigurisë ose e perceptimit të një reziku. Shpeshherë nuk e bëjmë diferencën ndërmjet frikës dhe rezikut. Ndonëse mund të mos ketë rezik real, prap jemi të paralizuar nga frika.  E

Efektet e e flluskës shkojnë pertej zonës së konfortit. Ato ndikojnë se si ne sillemi në publik dhe se si ne i krijojmë marëdhëniet me personat që na rethojnë. Madje ndikojmë dhe se si ne i intepretojmë gjërat që na thuhen. Mbyllja që kemi ndaj perpektivave dhe ideve të reja mund të na privojë të bërit një jetë më të plotë dhe më të lumtur. Pra na pengon të pasurohemi më shumë si individë. Gjithashtu nëse situatat që na rrethojnë ndryshojnë, do hasim shumë vështirësi te adaptohemi me kushte të reja. Disa njerëz madje kanë një flluskë që përmban elemente të një jete të kaluar por ajo jetë nuk ekziston më. Duke qenë se kërkojn të jetojnë në të kaluaren, kjo i pengon të shijojnë dhe të jetojnë të tashmen në mënyrë të plotë dhe me ndjesi pakënaqësie dhe boshllëku.

Flluskat kanë tendencën të na mbajnë larg njëri-trjetrit. Kjo sepse ne i ndërtojmë flluskat rreth vetes sonë, duke qenë gjithmonë në qendër, dhe po të mendojmë në terma gjeometrikë, asnjë flluskë nuk prek vërtet njëra-tjetrën.

Bindjet tona dhe efekti i flluskës gjithashtu krijon vështirësi të pranojmë dhe të kemi marëdhënie me njerëz që e mendojnë ndryshe nga ne. Në shkallën më të madhe shoqërore na bëjnë të marrim ato zgjedhje të gabuara, të zgjedhim kandidatë të gabuar, parti të gabuara, ose të mbështesim organizata dhe narrativa pa i kuptuar në të vërtetë ato dhe objektivat e tyre. Me efekte që shtrihen në të gjithë shoqërine.

 
Si mund të dilet nga flluska?
Një nga arritjet më të mëdha në jetë është të kuptosh që jemi brenda një flluske. Akoma më e rëndësishme, të kuptojmë se flluska jonë është vetëm një nga shumë flluska që kemi përreth. Flluskat e tjera nuk janë domosdoshmërisht të gabuara apo të drejta. Ato thjesht ekzistojnë në paralel me flluskën tonë.

Disa njerëz kanë aftësitë e vetë-analizës dhe sfidimit të bindjeve personale. Disa të tjerë kalojnë nëper eksperienca të forta të cilat ndryshojn komplet perspektivën e tyre; Një operacion i vështirë, një aksident i rëndë, humbja e një personi që duam. Fatmirësisht, ka edhe disa njerëz që kanë flluska ultra të holla, si filmi i sapunit. Një shtyrje e vogël, një përvojë e re, informacione të reja, një perspektivë ndryshe, dhe ata çlirohen menjëherë në një univers më të gjerë dhe plot me mundësi të reja. Kur kjo ndodh, ata mund të ndihmojnë të tjerët të shohin përtej flluskës së tyre, duke ofruar perspektiva që skishin marrë kurrë në konsideratë dhe duke ndërtuar lidhje të reja. Sidoqoftë fjala kyce mbetet mendimi kritik.

Për disa të tjerë, muret e flluskës janë të trasha. Shumë të trasha. Kemi edhe njerëz me shumë flluska. Ata që, sapo kanë dalë nga një flluskë, e gjejnë veten të mbyllur brenda një flluske tjetër më të madhe.

Nuk po zgjatem më me këto mendime, së fundmi deri këtu më lejoi flluska ime. Ndoshta nuk plasi, por thjesht u zgjerua. Nëse flluska jote të lejon reflektime të thella dhe ndonjëherë zgjerohet apo plas, mos nguro ta shpërndash artikullin. Unë do jem këtu, brenda në flluskën time. Gjithashtu nëse dëshiron të me ndjekësh për më shume publikime ose të më kontaktosh, vizito faqen time -> Elvis Shera

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0