Jeni të rinj dhe ju pëlqen kodimi? Aplikoni në programin e ri të kodimit në e-Albania - Business Magazine Albania

Jeni të rinj dhe ju pëlqen kodimi? Aplikoni në programin e ri të kodimit në e-Albania

kodim

Është hapur thirrja e parë për të rinjtë që duan të marrin pjesë në Programin e Ri të Kodimit.

Aplikimi për këtë thirrje mund të bëhet nëpërmjet e-Albania, nga ku të rinjtë mund të zgjedhin kursin që parapëlqejnë të ndjekin dhe pas përzgjedhjes, shteti do të financojë 50% të vlerës së kurseve, ndërsa pjesa tjetër duhet të paguhet nga aplikanti.

Për personat me aftësi të kufizuara apo në ndihmë ekonomike mbështetja do të jetë edhe më e lartë.

AKSHI ka bërë të ditur se kjo është pjesë e strategjisë kombëtare për formim digjital të të rinjve dhe digjitalizimit të shërbimeve në të gjitha fushat.

Thirrja e parë parashikon mundësinë e formimit të 1000 të rinjve.

Programi përfshin disa lloje fushash të inovacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit, ndërsa nga qeveria është vendosur prioritet kryesor dixhitalizimi i ekonomisë në të ardhmen.

Apliko!

Drejtuesit e AKSHI-t thonë se, në Agjendën Digjitale 2020- 2026, janë përcaktuar politika e praktika që do të zbatohen për digjitalizimin e shoqërisë, duke pasur në fokus edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, që do të jenë brezi i së nesërmes.

Mësimi digjital (e-learning) parashikon teknikat efektive të të mësuarit digjital, të cilat mund t’i ndihmojnë studentët të ndërtojnë aftësi më të thella të të mësuarit që do të transformojnë perspektivën e tyre.

“Këto aftësi u mundësojnë fëmijëve dhe studentëve të përballen me detyrat e zgjidhjes së problemeve dhe vendimmarrjes me kreativitet dhe zgjuarsi. Ato përmirësojnë aftësinë e tyre për të njohur dobësitë në zgjidhjet ekzistuese dhe të sjellin qasje të reja për t’i përshtatur dhe përmirësuar ato”, thuhet në dokumentin strategjik të AKSHI-t.

Vizioni digjital për e-learning do të mbështetet në: Përvojat e studentëve – nxitja e studentëve që të krijojnë, ndajnë, bashkëpunojnë dhe të fitojnë njohuri gjatë punës me të tjerët dhe të mësojnë duke përdorur mjete dhe metoda inovative për të krijuar përvoja të vlefshme për ta.

Fuqizimi i mësuesve – qëndrim i vetëdijshëm për pikat e forta, nevojat dhe dëshirat e secilit student dhe aplikimi i njohurive për të transformuar përvojat e të mësuarit dhe për të përmirësuar suksesin e studentit.

Proceset institucionale – rritja e njohurive për të optimizuar dhe mirëmbajtur pajisjet, për të përmirësuar administrimin dhe për të përmirësuar përvojën në institucione arsimore. Transformimi i mësimdhënies – ofrimi i kurrikulave të personalizuara bazuar në talentet dhe interesat e secilit student.

Objektivi i formimit në fushën digjitale, synon aftësimin digjital dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në teknologji, për të mbështetur digjitalizimin në Shqipëri dhe për të nxjerrë plotësisht në pah potencialin teknologjik të vendit.

“Përgatitja e fëmijëve dhe studentëve për karrierën e tyre të ardhshme është një nga qëllimet më thelbësore në arsim. Kodimi është i rëndësishëm për t’u mësuar, sepse programimi i mëson fëmijët të eksperimentojnë dhe u jep atyre besimin për të qenë krijues. Ata do të kenë mundësinë të krijojnë diçka që është tërësisht e tyre. Fëmijët që mësojnë të kodojnë kur janë të vegjël mund të krijojnë mundësi për sukses gjatë gjithë jetës”, sipas AKSHI-t.

Lexo: Këto janë 10 aftësitë që ju duhen për të qenë të mirë në punën që dëshironi

Disa nga avantazhet e të mësuarit të kodimit në shkollë janë si më poshtë:

– Kodimi është mënyra e re e të mësuarit dhe njohurive

– Kodimi është një mënyrë mësimi bazike në epokën digjitale dhe është e rëndësishme që fëmijët të kuptojnë dhe të jenë në gjendje të punojnë me teknologjinë rreth tyre. Kodimi i ndihmon fëmijët me komunikimin, kreativitetin, matematikën, shkrimin dhe besimin dhe ndihmon në zhvillimin e një kuptimi më të mirë të botës përreth tyre.

– Sigurimi që fëmijët të jenë gati për tregun e ardhshëm të punës është përgjegjësi e institucioneve arsimore që t’u japin nxënësve të tyre të gjitha teknikat dhe mjetet që kërkojnë për të pasur sukses në tregun modern të punës. Kjo gjithnjë e më shumë përfshin aftësinë për të koduar. Kodimi dhe programimi janë bërë disa nga aftësitë më të preferuara për punëdhënësit në dekadën e fundit. Shkollat dhe universitetet duhet të përditësojnë kurrikulën e tyre dhe të përqafojnë kodimin për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin e tregut të punës.

– Përmirësimi i aftësive për zgjidhjen e problemeve – kodimi i mëson fëmijët se problemet e ndërlikuara janë vetëm një seri problemesh më të vogla që mund të zgjidhen. Fëmijët do të trajnohen të njohin një problem, të ndajnë kodin në fragmente dhe të testojnë secilin, duke korrigjuar një element problematik para se të vazhdojnë me tjetrin.

Vendosja e kodimit si pjesë e kurrikulës në shkolla, jo vetëm që do t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre të kodimit dhe të zgjidhjes së problemeve, por në një epokë digjitale, mundëson përgatitjen për kërkesën e ardhshme të kapitalit njerëzor në lidhje me transformimin digjital.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0