Ja pse Hollanda është vend i preferuar për kompani offshore - Business Magazine Albania

Ja pse Hollanda është vend i preferuar për kompani offshore

kompani offshore

Hollanda po dominon Investimet e Huaja Direkte edhe këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet nga kompani me aksionerë të regjistruar në Hollandë për 6-mujorin e parë të vitit, kishin vlerën 104 milionë euro, 23% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse kanë pësuar rënie krahasuar me vitin 2020, investimet hollandeze përbëjnë më shumë se 22% të Investimeve të Huaja Direkte për këtë vit. Arsyeja kryesore e kryesimit të Hollandës në renditjen e investitorëve të huaj gjatë viteve të fundit është fakti se Hollanda është një nga juridiksionet europiane ku regjistrohen më shumë kompani offshore.

Në Hollandë janë të regjistruara kompanitë që zotërojnë Devoll Hydropower, Vodafone Albania, Spitalin Amerikan, etj. Por, në vitet e fundit, në Hollandë janë regjistruar edhe kompani që kanë përfituar kontrata të rëndësishme të PPP-ve në Shqipëri dhe qëllimi duket të jetë kryesisht fshehja e përfituesve të këtyre kontratave.

Ekspertët e çështjeve ligjore e shpjegojnë me dy arsye kryesore faktin pse Hollanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, përmes të cilave ushtrohet kontrolli mbi investimet e kryera në vende të ndryshme të botës.

Arsyeja e parë është se Hollanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.

Arsyeja e dytë pse Hollanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Në këtë pikë, Hollanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Hollandë.

Megjithatë, juristët shpjegojnë se legjislacioni hollandez e njeh konfidencialitetin si të drejtë dhe jo si detyrim. Në rastet kur legjislacioni i një vendi tjetër kërkon bërjen publike të pronarëve përfitues, atëherë kompanitë që veprojnë në këtë vend duhet të bëjnë transparencë. Kjo do të thotë se firmat shqiptare janë të detyruara të deklarojnë emrat e pronarëve përfitues, sipas kërkesave të ligjit shqiptar, pavarësisht mbrojtjes që ofron ligji hollandez për shoqëritë e regjistruara aty.

Lexoni: ICC Albania organizon për të tretin vit radhazi, Javën e Integritetit, bazuar në modelin hollandez

PPP-të, shumë akuza, asnjë ndjekje penale

Shtimi i kontratave të PPP-ve në vitet e fundit është bërë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit. Për vitin 2021, pagesat e PPP-ve kishin vlerën e më shumë se 100 milionë eurove dhe zinin 3.1% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Edhe për tre vitet në vijim, transfertat në favor të koncesioneve/PPP-ve do të qëndrojnë në rendin e 3% të shpenzimeve buxhetore, duke qëndruar brenda kufirit tavan prej 5%, që aktualisht është i vetmi kufizim i parashikuar në ligjin për Buxhetin.

Në të gjitha rastet, kontratat e PPP-ve janë dhënë pa studime të mirëfillta të kosto/efektshmërisë së tyre dhe pa asnjë argumentim transparent lidhur me nevojën apo domosdoshmërinë për transferimin e ofrimit të shërbimeve te subjekte private.

Rritja e numrit të kontratave dhe vlerës së tyre është bërë rrezik i shtuar fiskal, siç është vërejtur shpesh nga institucionet ndërkombëtare partnere. Madje, Banka e Shqipërisë ka kërkuar vendosjen e një vlere tavan për kontratat e PPP-ve, si dhe ngritjen e strukturave të posaçme për vlerësimin e këtyre projekteve.

Shumë prej këtyre koncesioneve janë kritikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe në disa raste, opozita ka bërë kallëzim penal në prokurori për dhënësit e këtyre kontratave. Megjithatë, deri tani, organet e hetimit nuk kanë hapur asnjë çështje penale dhe nuk kanë marrë asnjë të pandehur lidhur me këto procedura.

/monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0