Ja cilat janë 10 mënyrat më të mira për të motivuar veten - Business Magazine Albania

Ja cilat janë 10 mënyrat më të mira për të motivuar veten

motivuar

Nga Ramya Karamsetti “Success Consciouness”

Të gjithëve na pëlqen t’i vendosim qëllime vetes. Ne i vendosim synime vetes në fillim të vitit të ri, në fillim të çdo muaji, madje edhe në fillim të çdo dite. Por sa të aftë jemi në arritjen e synimeve që i kemi vënë vetes? Më shpesh po sesa jo, ne nisim të punojmë me shumë entuziazëm dhe dëshirë drejt qëllimeve tona.

Por diku gjatë rrugës, priremi që ta humbasim interesin. Dhe e vetmja gjë që mund të na rikthejë në kursin tonë fillestar është motivimi. Kur jemi të motivuar, ne kemi tendencën ta shijojmë atë që bëjmë, pa e përjetuar si një barrë. Ja cilat janë 10 mënyrat më të mira për ta motivuar veten, sidomos në ditët kur ndjeni vërtet nevojën për ndonjë motiv shtesë!

  1. Festoni edhe për sukseset e vogla

Në fillim, sukseset tuaja të vogla mund të duken pikërisht të tilla, si të vogla dhe të parëndësishme. Por e vërteta është se fitoret e vogla kanë po aq rëndësi sa ato të mëdhatë. Ato janë të rëndësishme në krijimin e një ndjenje inkurajuese dhe shpesh mund të luajnë një rol të rëndësishëm në motivimin tuaj.

Për shembull: le ta zëmë se synimi juaj afatgjatë është të kurseni mjaftueshëm para që të jeni në gjendje të udhëtoni. Por ndoshta e keni të vështirë ta bëni këtë, sepse jeni një njeri dorëlëshuar dhe i shpenzoni gjithmonë të gjitha paratë që keni pa kursyer asnjë.

Por sot, ju arrini të kurseni një sasi të vogël parash. Ndaj festojeni këtë arritje të vogël. Nuk ka rëndësi nëse ajo që keni kursyer ishte një sasi e vogël dhe e parëndësishme monetare. E vërteta është se ju keni bërë një përpjekje për të kursyer paratë tuaja dhe kjo është parësore. Festimi i fitoreve tuaja të vogla mund t’ju rrisë ndjeshëm besimin dhe t’ju bëjë më të lumtur dhe në thelb t’ju motivojë të punoni drejt fitoreve tuaja më të mëdha në të ardhmen.

  1. Bëni një ndërprerje të shkurtër

Ne të gjithë kemi një hapësirë ​​të kufizuar të vëmendjes. Ose mërzitemi nga një detyrë e caktuar, ose rendimenti ynë ndikohet nga ajo punë. Ajo që mund t’iu ndihmojë është një pauzë. Nëse keni punuar shumë për diçka dhe e ndjeni se jeni gati të hiqni dorë apo po e humbni interesin, atëherë kjo mund të jetë një shenjë se keni nevojë të pushoni për pak kohë.

Shtrihuni dhe pushoni me intervale të rregullta. Ndoshta mund të bëni një sy gjumë, apo të dilni jashtë dhe të bëni një shëtitje. Ose mund t’i telefononi një miku, ta takoni për disa orë apo të shihni një film apo emision.

Përveç kësaj, merrni parasysh mundësinë e një pushimi të gjatë. Për shembull, nëse keni punuar mbi një projekt të veçantë për muaj të tërë, a mos ndoshta duhet të pushoni fundjavën që vjen dhe të shkoni diku për një pushim të shkurtër? Pushimi ju ofron energji të reja, dhe ju jep një ndjenjë të forcës dhe motivimit të ripërtërirë, për t’u rikthyer dhe rimarrë me detyrën e lënë përgjysmë.

  1. Organizojeni ditën tuaj

Kur e organizoni ditën tuaj të punës, krijoni së pari një ide të qartë të detyrave që keni në dorë. Ju do të dini se çfarë duhet bërë dhe si mund të keni një qasje sistematike në orarin tuaj të përditshëm. Kjo e fundit mund t’ju kursejë shumë kohë. Kur zhyteni thellë në ditën tuaj pa asnjë plan në mendje, prireni të ecni sipas rrjedhës së punëve, të humbisni disa detyra apo të harxhoni shumë kohë vetëm për një detyrë të veçantë.

Ndërkohë, nëse e organizoni ditën tuaj që në fillim apo ndoshta që mbrëmjen e kaluar, mund të jeni mendërisht të përgatitur që të përfundoni detyrat specifike brenda një afati të caktuar që i keni caktuar vetes.

Mund të përdorni ndihmën e një organizatori apo një blloku për të shënuar detyrat tuaja për ditën e re. Renditini ato sipas përparësisë që kanë. Në internet ka shumë burime dhe mjete të mrekullueshme që ju ndihmojnë të organizoni ditën tuaj në mënyra argëtuese.

  1. Pyesni veten “Pse”

Për çfarë jeni duke punuar? Për cilin qëllim keni nevojë për motivim? A ju duhet për të përfunduar një projekt në vazhdim? Diku rrugës, ju e humbisni shpesh entuziazmin për të vazhduar me një projekt, dhe kjo është arsyeja pse duhet ta mbani veten të motivuar.

Kur e shihni veten pa motivim apo interes, pyesni “Pse” ky qëllim ishte kaq vendimtar. Po ashtu kujtojini vetes se sa do të përfitoni nga ky qëllim pasi ai të jetë arritur. Ju keni punuar për diçka dhe me siguri keni bërë një rrugë të gjatë që nga aty ku e keni nisur. Në mesin e nxitimit për të arritur atje, mund të keni harruar arsyen pse po e bëni atë gjë.

  1. Shpërbleni veten

Ajo që e bën të veçantë një shpërblim, është se ky i fundit jepet vetëm kur e keni fituar atë. Shpërblimi i vetes, kryesisht sapo keni përfunduar një detyrë, mund të jetë një nga mënyrat më të mira për ta motivuar veten. Kjo mbështetet edhe nga studimet shkencore: truri juaj e shpërblen këtë gjest me emocione pozitive.

Kur shpërbleheni, truri juaj fillon ta shoqërojë këtë me një ndjenjë të mirë, e cila nga ana tjetër ju motivon të fitoni më shumë shpërblime të tjera. Së shpejti do ta lidhni të gjithë punën tuaj të palodhur dhe shpërblimet e mëvonshme me një ndjenjë të këndshme!

  1. Bëni shok dikë që ndan të njëjtat interesa

Së pari mund të jetë argëtuese dhe emocionuese të kesh një shok që ndan të njëjtat interesa si ju. Së dyti, nëse demotivoheni, shoku juaj mund t’ju ndihmojë të inkurajoheni sërish! Ju mund të jeni sistemi mbështetës për të cilin ka nevojë shoku juaj (dhe anasjelltas).

  1. Fillojeni herët ditën tuaj

“Bufët e natës”, pra ata që zakonisht flenë vonë në mbrëmje dhe çohen vonë në mëngjes, mund të mos e pëlqejnë këtë. Por është fakt se sa më herët ta filloni ditën tuaj, aq më të mira janë shanset tuaja për të qëndruar në krye të të gjitha punëve tuaja.

Ju jeni më produktiv në orët e para të ditës, kështu që pse të mos e shfrytëzoni këtë gjë në maksimum? Zbuloni se si ta fokusoni vëmendjen tuaj dhe si të ndërtoni vullnet dhe vetë-disiplinë. Bëjeni zakon ta përfundoni të gjithë punën tuaj thelbësore më herët gjatë ditës, kur nivelet tuaja të motivimit të jenë më të larta.

  1. Ndajeni objektivin tuaj madhor në objektiva më të vegjël

E gjithë ideja e vendosjes së qëllimeve ndaj vetes, është të krijoni një rrugë të qartë dhe ndjenjën e marrjes së një drejtimi, në mënyrë që të arrini atë që keni në mendje. Ka gjithnjë një objektiv të madh drejt të cilit po shkoni, dhe kjo është diçka e shkëlqyer.

Gjithsesi, kur keni një synim të madh në mendje, puna për arritjen e tij mund të bëhet ndonjëherë monotone. Për ta shmangur këtë, ju mund ta ndani qëllimin tuaj madhor në synime më të vogla. Është diçka shumë e mirë ndjekja e ëndrrave tuaja të mëdha, por lejojini vetes që të punoni edhe për qëllimet e vogla që keni vendosur gjatë rrugës. Ato ju mbajnë të orientuar dhe ju pengojnë të ndiheni të mbingarkuar.

  1. Përqëndrohuni

Pavarësisht se sa i vogël apo i parëndësishëm është qëllimi, kur jeni duke punuar mbi diçka, bëni një përpjekje të ndërgjegjshme për t’u përqëndruar plotësisht në të. Ne jetojmë në një botë që lëviz me një ritëm shumë të shpejtë dhe ku gjithçka është në majë të gishtave tanë, duke e bërë të lehtë shpërqëndrimin.

Tani, më shumë se kurrë, për ne është thelbësore që të jemi të vetëdijshëm mbi atë që po bëjmë, dhe në këtë mënyrë ne mund të japim më të mirën. Përqëndrimi i hap rrugën të menduarit qartë, zgjidhjes më të mirë të problemeve, arsyetimit dhe vendimmarrjes.

  1. Pajtohuni me realitetin se ka ditë kur do të jeni shumë poshtë me motivimin dhe entuziazmin

Jeta ka të bëjë me ulje-ngritje të vazhdueshme. Do të ketë ditë kur jeni plot entuziazëm dhe motivim, duke pritur të kryeni të gjitha detyrat tuaja dhe duke punuar drejt arritje së qëllimeve tuaja. Por ndërkohë do të ketë edhe ditë kur mezi do të ngriheni nga shtrati, e lëre më pastaj të përgatiteni për atë që ka për të ofruar dita në vazhdim.

Në ditët kur nivelet tuaja të energjisë do të jenë të ulëta, do t’ju duhet një shtysë shtesë për të vazhduar. Sidoqoftë, është thelbësore të mos harroni se ju jeni njeri dhe jo robot. Dhe është tepër normale të ndiheni jashtë forme disa ditë. Mos e kritikoni veten kur kjo gjë të ndodhë. Pajtohuni me këtë gjë dhe atë ditë bëni sa të mundeni.

Përktheu: Alket Goce

/successconsciousness

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0