Në rrjete sociale si Twitter dhe Reddit janë shpërndarë fotografi nga përdorues të iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max që pretendojnë se modelet e tyre me ngjyrën “Cosmic Orange” po marrin një nuancë rozë pas disa javësh përdorimi.
Ngjyra “Cosmic Orange” është opsioni “Hero” i modeleve të rinj të iPhone 17 Pro, e dalluar për pamjen e saj të gjallë me përfundim prej alumini të anodizuar (Anodized Aluminum). Por, sipas raporteve, pikërisht kjo lloj përfundimi mund të jetë shkaku i problemit. Ndryshe nga metale më të forta si titani, alumini i anodizuar ka një sipërfaqe poroze që lejon ngjyruesit të depërtojnë në metal, duke i dhënë pamjen e ndezur. Pas procesit të ngjyrosjes, metali mbyllet për të ruajtur ngjyrën.
Sipas një raporti të Tom’s Guide, i cili citon një postim të vitit 2013 nga Mark Jazefowicz, Zëvendës President i Shërbimeve Teknike në PF Finishing (i cituar nga TechRadar), alumini i anodizuar kalon nëpër procese të rrepta pastrimi dhe sterilizimi që ndonjëherë përfshijnë peroksid hidrogjeni. Ky kimikat, i zakonshëm në produkte kozmetike dhe pastruese, mund të shkaktojë “zbehje ose ndryshim të dukshëm të ngjyrës” pas vetëm disa ekspozimesh. Nëse këto produkte vijnë në kontakt me kornizën e iPhone 17 Pro, mund të jenë shkaku i nuancës rozë që shumë përdorues po vënë re.
Lexo edhe: Trump fal themeluesin e Binance që ndihmoi familjen e tij të fitojë miliarda nga kriptovalutat
Çfarë thotë Apple për pastrimin e iPhone-ve
Në faqen zyrtare të mbështetjes, Apple këshillon të mos përdoren produkte pastrimi që përmbajnë zbardhues ose peroksid hidrogjeni kur pastrohen pajisjet e saj. Në vend të tyre, kompania rekomandon metoda më të sigurta për të ruajtur pamjen e pajisjes: “Mund të pastroni lehtë sipërfaqet e forta, jo-poroze të produktit tuaj Apple — si ekrani, tastiera apo pjesët e jashtme — duke përdorur një pecetë me 70% izopropil alkool ose 75% etil alkool. Mos përdorni këto produkte në Apple Vision Pro pasi mund të dëmtojnë pajisjen. Mos përdorni produkte që përmbajnë zbardhues ose peroksid hidrogjeni. Shmangni futjen e lëngjeve në hapje dhe mos e zhytni produktin në lëndë pastruese. Mos i përdorni këto produkte mbi sipërfaqe prej lëkure apo pëlhure.”
Ende asnjë reagim zyrtar nga Apple
Apple nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me problemin e ndryshimit të ngjyrës. Deri atëherë, përdoruesve të iPhone 17 Pro u rekomandohet të jenë të kujdesshëm gjatë pastrimit dhe të shmangin kontaktin me kimikate që mund të ndikojnë në përfundimin e aluminit anodizuar — për të ruajtur shkëlqimin e ngjyrës Cosmic Orange që e bën këtë model kaq të veçantë.