Jetojmë në kohëra ku transformimi dhe ndryshimi që sjell teknologjia janë jo vetëm kryefjala, por ushtrojne edhe ndikim të jashtëzakonshëm tek epoka me të cilën po përballet njerëzimi tashmë. Shumë prej nesh kemi mësuar të pranojmë se këto zhvillime të vrullshme nuk mund të ndalen; shumë të tjerë shohin tek këto ndryshime fillime të reja dhe mundësira për brezat e rinj që tashmë po nisin një garë globale në kushte të njëjta; disa të tjerë priren të mendojnë se kjo që po ndodh është ndër kërcënimet më të mëdha që po i ndodh njerëzimit dhe ritmit marramendës duhet ti vëmë pak frena dhe të ngadalësojmë…por a mundemi?
Për herë të parë, me një iniciativë që doli nga interesimi i jashtëzakonshëm për të marrë më shumë informacion dhe për të ndarë ekspertizë, u organizua më datë 31 Maj 2023, një Meet-up Rrjetëzues (Tryezë e Rrumbullakët) i cili bëri bashkë mbi 40 profesionistë të fushave të ndryshme.
Formati i takimit ishte i lirë dhe u mirëprit kontributi i të gjithë pjesëmarrësve të cilët pasi u prezantuan, shprehën pikëpamjet e tyre mbi potencialin e jashtëzakonshëm të AI dhe sfidat e rregullimit, rrezikut dhe papajtueshmërisë.
Ndërsa diskutimet ishin sa të ndryshme aq edhe të ngjashme në disa pika, pothuajse njëzëri u konfirmua nga bisedat se po jetojmë në një nga momentet më të rëndësishme ku njerëzimi po përjeton një transformim rrënjësor që pritet të sjellë ndikim në cdo sferë të jetës.
Është e vërtetë që nuk është hera e parë kur revolucione të tilla ndodhin në historine e njerëzimit, por kjo nuk është e ngjashme për nga forma dhe përmasat e impaktit që duket se do të ketë.
Për herë të parë, kemi argumente Pro & Kundër mbi tematikën e AI dhe si argumentet dhe kundër argumentet e secilës qasje duket se qëndrojnë dhe është mjaft e vështirë që ti japësh të drejtë njërës apo tjetrës qasje.
Takimi u hap nga Z. Dritan Mezini, kryetar i AITA, Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit, dhe bashkëthemelues i portalit duapunë.com cili u shpreh për rëndësinë që takime të tilla mes profesionistëve kanë, për të krijuar strategji të përbashkëta të cilat do të mund të na shërbejnë për ta vënë AI në përdorim dhe në të mirë të bizneseve që drejtojmë, dhe industrive të ndryshme në tërësi.
Nevoja për të krijuar kushtet e duhura për përftimin e aftësive të reja që kërkon tregu aktual i punës u ilustrua nga Z. Mezini me disa statistika interesante ku tashmë në 79% të aplikimeve për punë, sipas një studimi të Microsoft, kërkohet që aplikuesit të dinë të bashkëveprojnë me aplikacione të Inteligjencës Artificiale( AI) të tilla si ChatGPT etj.
Më pas, Z. Gerti Boshnjaku, përfaqësues i NewMedia dhe AlbaniaTech, në cilësinë e moderatorit theksoi se ndryshe nga zhvillimet e mëparshme, kësaj here kemi disa të veçanta.
- Ritmi i zhvillimit dhe aplikimit të teknologjive të reja, si AI tek njerëzit është shumë herë më i shpejtë se më parë
- Ndryshe nga më parë, teknologjitë e reja po përcillen shumë shpejt në duart e përdoruesve dhe falë konektivitetit global dhe fuqisë kompjuterike dhe infrastrukturave solide, përdorimi i tyre merr përmasa të frikshme dhe të menjëhershme.
Gjithashtu ai citoi si pika orientuese për diskutimin, impaktin që duket se AI ka në sektorë shumë të rëndësishëm si: Edukimi, Shëndeti dhe Punësimi.
Folës kryesor ishte z. Geron Kamberi, Ekspert për Politikat e Asimit dhe Integrimit Europian dhe ish – Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Gjatë prezantimit të tij z. Kamberi, bëri një përshkrim të evolucionit historik të krijimit dhe zhvillimit të Inteligjencës Artificiale si fushë studimi që prej gjysmës së dytë të shek XX si edhe aplikacionet e deri tanishme. Ai u ndal tek ndikimi i Inteligjencës Artificiale veçanërisht tek e ardhmja e profesioneve dhe ndikimin tek sektori i arsimit ku u përqendrua tek i ashtuquajtuar Konsensusi i Pekinit të Inteligjencës Artificiale e Arsimit apo Deklarata e UNESCO-s nga Forumi i I-rë Ndërkombëtar mbi lidhjen mes AI dhe Arsimin që u mbajt në Pekin 16-18 Maj 2019.
Nga ana tjetër theksoi të dhënat e sotme lidhur me ndikimin e AI në të ardhmen e profesioneve e aftësive për punë teksa një studim i fundit i publikuar nga Dell dhe “Instituti për të Ardhmen” (SHBA) tregon se 85% e vendeve të punës të vitit 2030 nuk ekzistojnë pasi nuk janë krijuar ende.
Në këtë kuadër ai theksoi të dhënat nga Raporti Për të Ardhmen e Vendeve të Punës (2023) të hartuar nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) që parashikon se 50 përqind e të gjithë punonjësve do të kenë nevojë për kualifikime e rikualifikime thelbësore. Nga ana tjetër megjithëse deri në vitin 2025, mbi 85 milionë vende pune janë në rrezik për ekzistencën e tyre si efekt i zhvillimit teknologjik gjithashtu mbi 100 milionë vende pune të reja mund të lindin si pasojë e këtyre ndryshimeve.
Këto elementë kanë shtruar nevojën edhe për zhvillimin e harmonizimin e politikave publike sic parashikohet nga Observatori i Politikave i OECD për Inteligjencën Artificiale (OECD.AI) që lehtëson dialogun mes shteteve dhe ofron analiza të politikave multidisiplinare, të bazuara në dëshmi dhe të dhëna për fushat e ndikimit të AI. Në këtë kuadër ai theksoi faktin se secili vend duhet të ketë parasysh Parimet e OECD mbi Inteligjencën Artificiale të miratuara në Maj 2019 Këshillit të OECD-së për Inteligjencën Artificiale.
Ndërkohë ai u ndal tek debati global mbi mundësitë e kërcënimet që paraqet AI që është pasqyruar përmes një sërë deklaratash e peticionesh sic kanë qenë nënshkrimi më 27 Korrik 2018 i një peticioni nga 2400 shkencëtarë kundër realizimit dhe përdorimit për qëllime ushtarake të robotëve ushtarakë, që mund të vrasin, nëse nuk kanë mbikëqyrjen e njeriut.
Lexo: ChatGPT mund t’ju kushtojë vendin e punës, madje para se ta keni atë, sipas një raporti të ri
Nënshkrimi i Letrës së Hapur më 30 Mars 2023, nga një grup i gjerë prej më shumë se 1000 studiuesish përfshirë miliarderin Elon Musk, duke u bërë thirrje laboratorëve të inteligjencës artificiale të ndalojnë menjëherë zhvillimin e sistemeve më të fuqishme se GPT-4 apo Deklarata e Përbashkët mbi Rreziqet e Inteligjencës Artificiale e nënshkruar me 30 Maj 2023 nga një grup ekspertësh, përfshirë Sam Altman, shefi ekzekutiv i OpenAI që krijoi ChatGPT, Demis Hassabis, shefi ekzekutiv i Google DeepMind, dhe Dario Amodei, nga kompania Anthropic. Në përfundim të prezantimit ai theksoi se debati mes mundësisë dhe kërcënimit sic duket do ta shoqërojë zhvillimin e kësaj teknologjisë së AI në të ardhmen.
Si Mikpritës i takimit, Z. Admir Malaj foli në terma praktikë mbi aplikacionet në Qendrat e Formimit Profesional. Konkretisht tek Qendra BetaPlan Coding Bootcamps, që ai drejton, është duke u eksploruar përdorimi i Co-pilot, si dhe janë duke u balancuar aftësitë teknike me soft skills, sidomos në raport me kolegët dhe klientët potencialë.
Të gjithë të pranishmit dakordësuan se takime të tilla nuk duhet të jenë sporadike, por duhet të kenë vazhdimësi. Tematika e AI dhe roli i saj në cdo aspekt të jetës sonë kërkon të realizohen propozime konkrete për të përcaktuar se si do jetë qasja e komunitetit të Sipërmarrjes dhe ICT-së, por jo vetëm në vend.
Është vitale që ndërhyrjet të realizohen në kohë për tu adaptuar në këtë cikël ndryshime rrënjësore me ndikim tek secili nga ne individualisht dhe globalisht në të njëjtën kohë.
Me rëndësi u pa fakti që ne duhet të mendojmë se si mund të përfitojmë nga përdorimi i duhur i këtyre mjeteve, dhe nëpërmjet të menduarit kritik të gjenerojmë zgjidhje konkrete për problematika në shumë sektorë / industri të cilat po ri-dimensionohen.
Shembuj konkretë ishin për studimin e nevojave që tregu ka për zgjidhje në sektorin e gjuhës sonë, në sistemin bankar dhe në fushën e burimeve njerëzore. Bashkëjetesa me robotë apo asistentë personal virtualë (të ashtuquajtur Co-pilot ) për pothuaj cdo profesion do të sjellë ndryshime në strukturat e funksionimit të cdo biznesi dhe në sistemin shkollor dhe edukativ.
Në fund u nxorrën disa pika në formë rekomandimesh për hapat e ardhshëm të kësaj lëvizje si më poshtë:
- Krijimi i një grupi vullnetar i dedikuar për AI që do të ndiqet nëpërmjet një grupi në whats app për komunikim të shpejtë profesional.
- Identifikimi i ekspertizave brenda grupimit për t´u orientuar drejt zgjidhjeve konkrete
- Listimi i zgjidhjeve konkrete mbështetur mbi AI në Shqipëri, Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.
- Mbështetja me sfida / mentorim aktivitete si Hackathon që do të zhvillohet më datë 11 Qershor për Artificial Inteligjence
- Edukim si të përdorim ChatGPT ose vegla të tjera të AI-it.
- Përhapje e debatit mes miqve dhe kolegeve mes kompanive për të ndërgjegjësuar universitete / struktura arsimore / qeverisje lokale / grupime donatorësh / ceo dhe menaxherë biznesesh mbi rolin e AI
- Vlerësim i vazhdueshëm për përmirësim të ngjarjeve dhe të përmbajtjes së tyre.
Organizimi i ngjarjeve të tilla për të promovuar teknologjitë e reja do të jetë periodike, derisa të realizohet dhe një konferencë kombëtare jo më larg se Mars 2024.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.