Industria e eventeve dhe COVID - 19: Vlera e një eventi virtual në kohë pandemie - Business Magazine Albania

Industria e eventeve dhe COVID – 19: Vlera e një eventi virtual në kohë pandemie

Industria e eventeve

Industria e eventeve ishte një tjetër viktimë e rëndësishme ekonomike e pandemisë COVID-19 kudo nëpër botë. Këto dëme janë ndier edhe në Shqipëri, pavarësisht se matje dhe informacion të saktë lidhur me këtë nuk ka. Ajo që bie më shumë në sy është që panaire të rëndësishme që zhvillohen gjatë vitit, duke kulmuar me atë të librit në nëntor që tërheqin me mijëra vizitorë, nuk janë zhvilluar e nuk do të zhvillohen. Eventet e zakonshme të biznesit që mblidhnin biznesmenë e profesionistë, konferencat shkencore, etj,, trajnimet, festat e përvitshme të organizuara nga ambasadat apo dhomat vendase dhe të huaja të tregtisë janë anulluar, janë shtyrë në kohë ose janë zhvilluar me sa ka qenë e mundur në formë virtuale.

Sipas një studimi të Events Industry Council, federata e më shumë se 30 organizatave amerikane dhe ndërkombëtare të përfshira në industrinë e takimeve, konventave dhe ekspozitave, në vitin 2018 domethënia ekonomike e industrisë e shprehur në shifra ishte shumë e lartë. Sipas këtij studimi, industria e eventeve ishte aq e madhe në përmasa sa ekonomia e 13-të më e madhe në botë me një kontributi në GDP-në globale prej 1.5 trilionë dollarë, 26 milionë njerëz të punësuar dhe 1.5 miliardë njerëz pjesëmarrës në evente biznesi në nivel global.

Sipas Forbes, anullimi ose virtualizimi i mijëra eventeve të mëdha dhe të vogla, konferencave, ekspozitave e panaireve, trajnimeve dhe eventeve të tjera me incentiva, vetëm në SHBA do të thotë një humbje prej 450 miliardë dollarësh. Kësaj humbjeje i shtohen blerjet e munguara të drejtpërdrejta që ndodhin në këto evente që vlerësohen me 845 miliardë dollarë në vit dhe 104 miliardë dollarë në taksa federale dhe lokale. Sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më e vështirë do të jetë që sektorë ekonomikë si ky i eventeve, por edhe ai udhëtimeve dhe i hotelerisë të rifitojnë vitalitetin e tyre, gjë që me gjasa mund të zgjasë për shumë vite.

Lexo : 20-22 nëntor, vjen Rruga drejt Suksesit 2020

Po sipas Forbes, të prekura në këtë industri nuk janë vetëm kompanitë, por edhe individët profesionistë të lirë, të cilët që në fund të marsit kishin rënie me 50 pikë përqindje në veprimtari, krahasuar me muajin shkurt. Fillimisht 58% e eventeve që ishin planifikuar në prill u shtynë me 6 muaj dhe vetëm 10 përqind u anulluan menjëherë, gjë që vlerësohet pozitivisht. Por, në korrik situata ishte ndryshe, sasia e evente të shtyra ra në nivelin e 21 përqind dhe sipas Honeybook gjysma e eventeve të shtyra kishin afat më shumë se 6 muaj. Pra, industria e ka kuptuar dhe pranuar që dëmi është më afatgjatë dhe nuk mund të kenë iluzione për t’u kthyer shpejt në normalitet. Vetëm në SHBA vlerësohet që ka 134 000 planifikues eventesh, 13 200 floristë dhe 140 000 fotografë dhe videofotografë profesionistë. Këtyre shifrave u shtohen edhe qindra mijëra të tjerë: artistë grafikë, printues, staf logjistike dhe shpërndarjeje, kuzhinë, pastrim.

Ndërkohë edhe në Gjermani, që ka po ashtu një industri të madhe dhe shumë të zhvilluar të eventeve, situata është e njëjtë. Shumica e 1.5 milionë të punësuarve të industrisë kanë kaluar në punë me orare të reduktuara dhe marrin ndihmë e pagesë papunësie nga shteti. Në një artikull të para disa muajve mbi këtë temë, NDR raporton se Nordlite, një nga kompanitë udhëheqëse të tregut ne Gjermani për pajisje teknike për evente, është përballur me rënie të porosive të marrjes me qera nga mbi 400 në muaj n ë 20-30 në muaj. Presidenti i Shoqatës së Eventeve, Marcus Pohl, u shpreh se nëse situata vazhdon si ka nisur që prej muajit mars 2020, 80 përqind e kompanive do të shpallin falimentin. Kompanitë kërkojnë rihapjen e aktivitetëve dhe do të dijnë të vetorganizohen për të mundësuar siguri maksimale dhe kushte të përshtatshme higjiene.

Lexo: Panairi i Librit Online 2020–20 ditë festë me lexuesit

Po çfarë zgjidhjesh ka për afatin e shkurtër dhe atë pak me të largët? Sa shpejt do ta marrë veten kjo industri?

Rrjeti prej 7000 anëtarësh (PCMA – Professional Convention Management Association) ka diskutuar gjatë këtij viti se si mund të përballohet situata me bllokimin e krejt industrisë së eventeve për shkak të pandemisë. Një nga idetë e hedhura sipas Forbes ka qenë që kompanitë të lënë mënjanë pozicionet kundërshtare dhe të bashkëpunojnë për të ndërtuar një model të përshtatshëm biznesi për të përballuar situatën e re normale kur ajo të vijë. Ajo që ndodhi gjatë pandemisë ishte mes të tjerash që partneritete, të cilat deshën dekada punë për t’u ngritur, u shkatërruan brenda pak muajsh, teksa manaxherët dhe kompanitë përpiqeshin të shpëtonin veten dhe të shmangnin falimentimin. Profesionistët e fushës mendojnë se do duhet rishpikur kjo industri dhe në mënyrë kreative të shikohet për mënyrën sesi do të ndërtohen partneritetet. Përqasja më e mirë ndoshta do të jetë ajo e bashkërendimit në formulën “grow the pie – share the pie”, pra rrit volumin e punës për të pasur më shumë për të ndarë prej tij. Ose shprehur në një mënyrë tjetër, përballimi i situatës mund të bëhet duke menduar në grup si “ne” në vend të “unë” si një kompani e vetme. Një pikëpamje tjetër ka qenë ajo e krijimit të eventeve hibride që kombinojnë eventet me prani fizike ballë për ballë me eventet digjitale dhe sikurse tregon përvoja e këtij viti, kjo është pikëpamja më mbizotëruese aktualisht në këtë industri.

Sipas Convene, në situatën e re normale, pritet që do të ketë më shumë evente hibride apo evente më të vogla në nivel lokal që shërbejnë si komplementare për evente më të mëdha. Ndërkohë, sipas Congrex, në situatën e re normale do të ketë rishikim edhe në mënyrën e organizimit: të vendosjes së vendeve ulëse, të procesit të hyrjes, daljes dhe regjistrimit, të shpërndarjes së ushqimit, të ndërveprimit të përgjegjshëm, duke respektuar distancën sociale, të stacioneve të higjienës dhe të ndihmës së shpejtë.

Por, deri atëherë do të duhet ende kohë dhe aktualisht fokusi i kompanive të eventeve ka qenë një kryesor, si të arrihet të shpëtohen eventet e planifikuara, si të mbahet vëmendja dhe afërsia e publikut si dhe e sponsorëve. Për këtë, zgjidhja duket se ka qenë unanime në gjithë industrinë. Eventet virtuale janë risia e madhe e këtij viti. Të detyruara nga pandemia po ndryshojmë mendësinë për idenë e “takimit” si i tillë. Me sjelljen e tyre në jetë, menjëherë kompanitë u desh të gjenin apo të trajnonin me ngut stafin e tyre për të krijuar aftësi për manaxhimin digjital të eventeve. Madje, në harkun e pak muajve një pozicion i ri pune me një përshkrim të veçantë pune është krijuar në industri, ai i manaxherit të eventeve digjitale. Po ashtu me shpejtësi, kompani eventesh dhe të teknologjisë së informacionit shtuan një shërbim të ri në portofolin e tyre, atë të organizimit të eventeve digjitale apo ofrimit të platformave teknologjike për organizimin e eventeve digjitale.

Për një pozicion pune si ai i manaxherit të eventeve digjitale aftësitë e kërkuara janë: aftësia teknike, krijimi i përmbajtjes, dizajni i eskperiencave, manaxhimi i eventeve.

Ndërkohë, sfida më e rëndësishme aktualisht për të gjitha kompanitë që po ofrojnë evente të tilla digjitale është dhe mbetet sesi të monetizohen këto evente. Shembulli që do të sillet në vijim nga kompania Campus Party flet më konkretisht për arritjet dhe sfidat e një zgjidhjeje të tillë virtuale.

Campus Party është një kompani ndërkombëtare me qendër në Irlandë dhe prani me zyra e staf në disa vende të botës. Ajo organizon festivalin më të madh të teknologjisë në botë e bashkë me të edhe platformën më të madhe të inovacionit të hapur që mban të njëjtin emër. Nisur në Spanjë që prej vitit 1997, në kohën kur sapo kishin nisur eventet e forms LAN-party, Campus Party është rritur në përmasa dhe cilësi dhe sot është një markë e mirënjohur në kontinentin europian, atë amerikan dhe në rritje edhe ne kontinentin aziatik dhe afrikan. Eventet Campus Party janë ekspozita dhe njëkohësisht platforma të mëdha dije aktuale mbi të rejat e teknologjisë, pikëtakim i rëndësishëm për biznese të fushës që duan të prezantojnë produkte të reja si dhe pozicione pune dhe të zbulojnë inovacione dhe startupe në një publik të përbërë nga talente të moshës 18 – 30 vjeç. Prej vitesh kjo platformë mundëson edhe hackathon-e që zhvillohen në partneritet me biznese dhe qeveri lokale dhe qendrore.

Në kushtet e papritura të pandemisë, prania fizike e dhjetëramijëra njerëzve në eventet që ishin planifikuar për vitin 2020 ishte krejtësisht e pamundur dhe drejtuesit e Campus Party ndërmorën biseda me partnerët dhe u ra dakord që të eksperimentohej ideja e një eventi tërësisht digjital global, që do të zhvillohej në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe do i lidhte të gjithë në përballimin e kësaj sfide. E gjithë kjo kërkonte një ndryshim të fokusit dhe të proceseve të punës, trajnim të stafit, sidomos për përdorimin e platformave teknologjike, për t’u përdorur me këtë rast. Pjesa më sfiduese e punës ishte padyshim arritja e sponsorëve dhe pranimi prej tyre i platformës virtuale si alternativë për atë fizike. Bileta nuk u shitën dhe eventi u mbajt i hapur për të gjithë të interesuarit. Në këto kushte dhe me model të ndryshuar biznesi në mënyrë të befasishme, pati partnerë lokalë që arritën të kishin fitime, por një pjesë tjetër nuk arritën të mbulonin kostot e tyre, madje pati edhe nga ata që e zhvilluan aktivitetin krejtësisht pro bono.

Por rezultati ishte shumë i rëndësishëm për markën Campus Party. Nën moton “Reboot the World”, eventi u zhvillua në datat 9-11 korrik në 31 shtete të botës, me një program të ngjeshur që niste me mëngjesin e Singaporit dhe mbyllej me netët e shteteve të kontinentit amerikan. Më shumë se 2600 personalitete e profesionistë të fushave të ndryshme të teknologjisë, ekonomisë, politikës, bizneseve, universiteteve, qeverive nga 120 shtete u përfshinë si folës në këtë event. Mes tyre: Al Gore, Vint Cerf, Tim Bernens-Lee, Edward Snowden, Radia Perlman, Don Tapscott. U zhvilluan mbi 150 broadcast-e paralele. Mbi 400 partnerë u përfshinë si sponsorë dhe mbështetës. Rreth 1 500 000 ndjekes live dhe rreth 200 000 shikues on demand u përfshinë gjatë këtyre tri ditëve dhe platforma Campus Party pati rreth 45 000 anëtarë të rinj. Eventi u ndoq dhe u komentua live ne Facebook, Twitter, Instagram, TikTok, Youtube.

Në kushtet kur pandemia ka nisur një valë të dytë të fortë, Campus Party po fokusohet në veprimtari të tjera si një kompani që vepron me biznese partnere dhe ofron platforma inovacioni për to. Eventet e mëdha fizike lokale janë parashikuar për në verën e vitit 2021. Gjithashtu stafi qendror po reduktohet duke u përshtatur me çfarë po bëjnë kompanitë e kësaj industrie në gjithë botën për të përballuar krizën, me perspektivën e një ringritjeje në kushtet normale kur gjendja të normalizohet. Megjithatë, vlen të vihet në dukje se të paktën në një shtet si Italia ku kompania ka një bazë të fortë, sikurse edhe në rastin e Gjermanisë të përmendur në hyrje të artikullit, është shteti ai që i ka ardhur në ndihmë kompanive përmes mbështetjes financiare për kompanitë punonjësit, në mënyrë që kriza të përballohet sa më shumë të jetë e mundur, ata të mos mbeten të papunë dhe kompanitë të mos falimentojnë.

Në Shqipëri, ndihma shtetërore është pikërisht hallka që mungon në këtë zinxhir përpjekjesh shumë të mëdha të ekonomisë private për të mbijetuar. Lënia në baltë e biznesit në përgjithësi, por në veçanti e kompanive më të prekura sepse kanë të bëjnë drejtpërdrejt me takimet në mes njerëzve, është e nevojshme të çojë në më shumë aktivizim të komunitetit në fjalë për të detyruar shtetin të mos mbyllë përsëri vendin krejtësisht dhe t’i çojë këto kompani drejt falimentimit.

Lindita Komani

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0