ILVA, mes traditës së Beratit dhe ambicies për treg kombëtar! - Business Magazine Albania

ILVA, mes traditës së Beratit dhe ambicies për treg kombëtar!

ILVA, qëndrueshmëri, cilësi dhe zgjerim përtej Beratit!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça– Në Berat, bizneset e vogla zakonisht lindin nga nevoja. Disa mbyllen shpejt. Disa mbeten në të njëjtin vend për vite. Disa të tjera, shumë pak, rriten në heshtje. ILVA është një nga këto të fundit. Në vitin 2016, në një ambient të vogël, me prodhim modest të kasatës, Vasilika Murataj dhe familja e saj nisën një aktivitet që në atë moment nuk kishte garanci, as treg të sigurt. Kishte vetëm punë, një recetë tradicionale dhe idenë që cilësia do ta gjente rrugën e vet. Sot, ILVA operon në një ambient më të madh dhe është shtrirë përtej Beratit, në qytete të tjera të Shqipërisë. Por rritja nuk ka qenë e shpejtë dhe as e lehtë, dhe për këtë e për të mësuar më shumë ne kemi zhvilluar një intervistë me znj.Murataj.

Si lindi ILVA dhe kur vendosët të hyni në sipërmarrje?

ILVA lindi në vitin 2016 në qytetin e Beratit. Fillimisht e nisëm aktivitetin në një vend shumë të vogël, me prodhim dhe shitje modeste të kasatës. Me kalimin e kohës, falë punës, këmbënguljes dhe besimit të klientëve, biznesi u rrit dhe sot operojmë në një ambient më të madh, duke u shtrirë edhe përtej Beratit, në qytete të tjera të Shqipërisë. Fillimi ishte i thjeshtë. Pa investime të mëdha. Pa zhurmë. Vetëm prodhim i kujdesshëm dhe kontakt i drejtpërdrejtë me klientin.

Çfarë e bën biznesin tuaj të veçantë? Cili është sekreti i formulës së ILVA?

Ajo që e bën ILVA të veçantë është ruajtja e cilësisë dhe mënyra artizanale e prodhimit. Kasata përgatitet sipas një recete tradicionale, ku elementi kryesor është përdorimi i qumështit të freskët. Çdo produkt punohet me kujdes, pa kompromise në përbërës dhe proces, për të ruajtur shijen autentike. Në një treg ku shpesh prodhimi industrial dominon, ILVA ka zgjedhur të mos ndryshojë thelbin e produktit për hir të volumit. Qumështi i freskët dhe procesi artizanal janë elementë që kërkojnë më shumë kohë dhe më shumë kontroll, por që krijojnë diferencë reale në shije.

Lexo edhe: Flora Sali: Mjalti i Bedunicës, një specialitet shqiptar, por me sfida për eksportA është kasata traditë e Beratit? Si e ndërtoni identitetin e markës suaj duke u lidhur me historinë dhe traditën e Beratit?

Kasata është pjesë e traditës dhe kujtesës gastronomike të Beratit. Identitetin e markës ILVA e kemi ndërtuar duke u mbështetur në këtë trashëgimi, duke respektuar recetën tradicionale dhe duke e sjellë atë në formë autentike. Berati është burimi i frymëzimit dhe vlerave që përcjell marka jonë. Marka nuk është ndërtuar mbi një koncept artificial marketingu. Është ndërtuar mbi një produkt që ekzistonte më parë si traditë dhe që është formalizuar si biznes.

Cilat janë sfidat kryesore të të bërit biznes në një qytet turistik si Berati?

Berati është një qytet i vogël dhe tregu lokal është i kufizuar. Sezonaliteti i turizmit dhe volumi i konsumit janë sfida kryesore, prandaj zgjerimi i produktit përtej qytetit ka qenë një domosdoshmëri për rritjen e biznesit. Turizmi ndihmon, por është i paqëndrueshëm. Për një fabrikë prodhimi, stabiliteti vjen nga tregu i zgjeruar dhe nga rrjeti i shpërndarjes përtej qytetit.

A mendoni se Berati ofron mjaftueshëm mbështetje për sipërmarrësit vendas? Çfarë mund të përmirësohet?

Ekziston potencial për më shumë mbështetje ndaj sipërmarrësve vendas, sidomos në promovim, lehtësim procedurash dhe krijim bashkëpunimesh. Iniciativa që lidhin bizneset lokale me turizmin dhe tregjet kombëtare do të sillnin përfitime të mëdha.” Mbështetja institucionale mbetet një element që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shkallën e rritjes së bizneseve të tilla.

Si ka ndikuar rritja e turizmit në zhvillimin dhe zgjerimin e biznesit tuaj?

Rritja e turizmit ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e njohjes së markës ILVA. Vizitorët që provojnë kasatën tonë e përcjellin eksperiencën edhe jashtë Beratit, duke ndihmuar në zgjerimin e tregut dhe rritjen e kërkesës.” Ekspozimi përmes turistëve ka funksionuar si kanal komunikimi natyral për markën.

Çfarë roli luan autenticiteti dhe trashëgimia kulturore në suksesin e sipërmarrjes suaj?

Autenticiteti dhe trashëgimia kulturore janë baza e suksesit tonë. Duke qëndruar besnike traditës, prodhimit artizanal dhe shijes së vërtetë, kemi arritur të ndërtojmë një markë që përfaqëson jo vetëm një produkt, por edhe identitetin dhe shpirtin e Beratit.

ILVA nuk është thjesht një histori suksesi lokal. Është një shembull i qartë se si një produkt tradicional, kur trajtohet me seriozitet, durim dhe respekt ndaj cilësisë, mund të gjejë vendin e vet në treg pa bërë kompromis me identitetin. Në një kohë kur shumë biznese përpiqen të rriten shpejt, ILVA ka zgjedhur një rrugë tjetër: rritje të qëndrueshme, pa zhurmë, por me standard. Në thelb, kjo histori flet për diçka më të madhe se kasata. Flet për vlerën e punës së ndershme, për fuqinë e traditës kur kombinohet me disiplinë sipërmarrëse, dhe për potencialin që qytete si Berati kanë për të krijuar marka që mbajnë brenda tyre identitetin e një vendi.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0