Me ide e kreativitet, përmes vetëpunësimit, drejt ëndërrave - Business Magazine Albania

Me ide e kreativitet, përmes vetëpunësimit, drejt ëndërrave


Në hyrje të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në të djathtë gjendet një raft i ndriçuar përplot bizhuteri. Në këtë kënd mund të blesh byzylykë, vathë e unaza të ndryshme për veten ose për dhurata. Egzona Krasniqi një vajzë 24-tër vjeçare është një nga dhjetëra të rinj në Kosovë, të cilët talentin e tyre e kanë shndërruar në biznes. Me punimin me dorë të bizhuterive, siç thotë, ka filluar para shumë vitesh, ndërsa biznesin e ka nisur në vitin 2015, me emrin “Egzona Krasniqi Handmade“ dhe ia ka dalë ta zgjerojë atë.

Krahas kësaj stende ajo e ka hapur edhe një stendë në Qendrën Tregtare “Albi Mall”, ka arritur t’i punësojë shtatë punëtorë, por gjatë verës numri rritet deri në 12.

Egzona tregoi që kishte vështirësi shumë të mëdha deri në hapjen e lokalit të parë. Edhe pse ka provuar që të sigurojë ndonjë donacion, në fund ka marrë mbështetje vetëm nga familja.

“Unë jam sot tatimpaguese e rregullt e shtetit. Si biznes i ri nuk kam marrë as ndihmën më të vogël, por shpresoj që në të ardhmen të na ndihmojnë diçka”, tha ajo.

Egzona sigurisht nuk është e vetmja që nuk ka arritur të sigurojë mbështetje nga ndonjë organizatë donatore vendase apo ndërkombëtare për të filluar me një biznes. Por, ajo që ndoshta e dallon nga shumica është se nuk ka hequr dorë nga realizimi i ëndrrës së saj jetësore dhe sigurimi i ekzistencës.

Çifti bashkëshortor Isahi Mustafa dhe Loreta Ukshini biznesin e tyre e ka nisur fare rastësisht, para gjashtë vjetësh:

“Ideja ka lindur pasi në treg nuk kemi gjetur çanta për shijen tonë dhe rrjedhimisht kemi dashur ta punojmë vetë një tonën. Ështe realizuar një çantë me ndihmën e disa rrobaqepësve që i kemi pasur në familje edhe na ka pëlqyer shumë produkti i parë. Komente pozitive kemi marrë dhe nga shoqëria e të afërmit. Këtu ka lindur edhe ideja, pse të mos provojmë ta nisim si brand”, thotë ky çift simpatik nga Prishtina.

Isahu për KosovaLive thotë se dy vjetët e parë ka qenë provë dhe që askund nuk i kanë plasuar prodhimet e veta as virtualisht e as në ndonjë dyqan, tek pastaj kanë arritur që ta nisin biznesin me emrin “I’m Lu”.

“Vështërisitë më të mëdha janë në fuqinë punëtore, njerëz të cilët e njohin këtë veprimtari, e më pas edhe në gjetjen e lëndës së parë”, thotë ai.

Ndihma e vetme të cilën ata e kanë marrë është një donacion për marketing, ku përfshihet brendimi, logoja dhe webfaqja Imlubags.com.

Edhe ata kanë aplikuar në disa organizata me shpresën se do të marrin një mbështetje financiare, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Thonë se u është dashur ta blejnë edhe arkën fiskale, e cila ka kushtuar 600 euro, “ishte tepër e shtrenjtë për një biznes që sapo kishte nisur të zhvillohej”.

“Me ato para do të kishim mundur ta blejmë ndonjë makinë qepëse që të na i lehtësonte sadopak fillimet”, thotë Leonora.

Një shembull interesant është edhe ai i studentit të vitit të dytë në Universitetin AAB, Endrit Jashanica. Edhe ai punon bizhuteri dhe çanta të ndryshme me dorë dhe i shet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe webfaqes që e ka titulluar “Uni Kraft”.

“Në fillim ishte si ide për t’u bërë dhurata shoqërisë, por interesimi për produkte unike ishte i madh. Andaj edhe e fillova si biznes”, thotë Jashanica.

Ai vazhdimisht mendon si ta zgjerojë këtë veprimtari. Shpreson se do t’ia arrijë që një ditë ta hapë edhe një lokal. Është i sigurt se kurrë nuk do të heqë dorë nga ky biznes, edhe pse ende nuk e ka regjistruar.

Sipas tij interesimi për këto produkte është i kënaqshëm, çmimet nuk janë të larta, por duhet pasur në konsideratë që është punë dore dhe unike, andaj është pak më e kushtueshme se produktet e zakonshme.

Si gjithkund në botë, edhe në Kosovë janë të shumta të ashtuquajturat dyqane “second hand”, në të cilat shiten veshmbathje të ndryshme, e përdorur apo e re që nuk është shitur në dyqanet e reparteve për prodhimin e konfeksionit. Në të mund të gjendet veshmbathje nga e gjithë Evropa, por edhe nga kontinente të tjera. Rrugët e ardhjes së këtyre mallrave në Kosovë janë sekret i secilit pronar të një dyqani të tillë.

Dyqani “Mozaik”, i cili punën e kishte filluar në vitin 2012, funksionon në kuadër të organizatës joqeveritare “Bashkësia e Popullit të Zotit”. Janë të punësuar 15 punëtorë dhe ka katër pika të shitjes: dy në Prishtinë, një në Malishevë dhë një në Vushtrri. Të gjithë punëtorët janë të regjistruar dhe ky biznes është deklarues i rregullt i pasqyrave financare në Administratën Tatimore.

Menaxherja, Leonora Maloku thotë që rëndësi shumë të madhe luan edhe puna vullnetare e të rinjve që punojnë pranë kësaj qendre, ndërsa puna e tyre është që ta distribuojnë ndihmën në veshmbathje të ardhur nga Zvicra, Gjermania e Suedia.

Për dallim nga bizneset e tjera, “Mozaik” të gjithë fitimin e dhuron për bamirësi. Ata ndihmojnë çdo muaj reth 400 familje në veshmbathje, por edhe me pako ushqimore e medikamente.

“Të gjitha të ardhurat qarkullohen nga këto katër pika të dyqaneve”, tha Maloku.

Në Kosovë nuk ka statistika për numrin e bizneseve të tilla a të ngjashme. Posaçërisht jo të atyre që nëpërmjet rrjeteve sociale i shesin produktet e tyre. Por, një gjë është e sigurt, kryesisht të rinjtë, në mungesë pune pas mbarimit të shkollimit, përpiqen që me idetë e tyre dhe kapitalin modest të fillojnë të fitojnë për jetesë.

Sipas statistikave për vitin 2016 të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 27.5%, ndërkohë që papunësia më është e theksuar tek femrat (31.8% nga numri i përgjithshëm) dhe më pak tek meshkujt (26.2%). Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.4%.

burimi: kosovalive-360

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0