I huaj në vendin tënd. Drama e emigrantit shqiptar

I huaj në vendin tënd. Drama e emigrantit shqiptar


Drama e emigracionit të gjatë pa mundësi integrimi jashtë apo në atdhe ka prekur me mijëra familje shqiptare. Ata që po kthehen pas dhjetëra vitesh jashtë, apo pas refuzimit të një kërkese për azil, përballen në Shqipëri me mungesën e strukturave publike që do ta lehtësonin riintegrimin e tyre.

Adil Brahaj është 38 vjeç. Gati 20 vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar si emigrant jashtë vendit, shumë vite në Greqi, e pesëvjeçarin e fundit në Suedi dhe Gjermani. Ka vetëm një javë që është kthyer në Shqipëri ditën kur e takojmë në një kafe pranë sheshit Avni Rustemi në Tiranë. Prej tre ditësh Adili ka filluar punë në një call center (në gjermanisht), i cili ndodhet pranë këtij sheshi.

Me shikimin e përhumbur, tipike për shumë emigrantë që rikthehen në vend, Adili tregon se e kanë kthyer nga Gjermania, ku kërkonte azil prej tre vite e gjysëm. Nuk di të spjegojë shumë, ende nuk i ka kuptuar arsyet e dëbimit pa një njoftim paraprak.

Shqetësimi i tij i parë janë gruaja dhe djali. Të parës i është ndërprerë terapia që ndiqte tek psikiatri, ndërsa djalit tre vjeçar i janë theksuar problemet e sëmundjes së tij kronike me laringun. Në telefonatë me gruan mëson se djali është me 40 temperaturë. E takojmë në pushimin e tij të drekës, ndërsa shpesh shikon orën, që të rikthehet në kohë në punën e tij të re.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 47 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.

‘’Me 250 euro të ardhura mujore, nuk do të mund të siguroj mbështetje për gruan dhe djalin’’, thotë Adili. Nuk di ku të drejtohet për të marrë informacione, apo një përkrahje të mundshme. ‘Ndihem i huaj këtu. Nuk di të orientohem. Disa herë kam ngatërruar stacionin e autobuzit për kthimin në shtëpi, dhe përfundoj të bëj në këmbë shumë pjesë të rrugës’’, thotë ai.

Nuk e di sa funksionale janë zyrat e punës në Tiranë. Ndaj thotë se nuk është prezantuar aty për t’u regjistruar si i papunë. Adil Brahaj ka punuar 1 euro/orë (5 orë në ditë) në komunën ku jetonte në Gjermani. Një punë kjo që shpreh dëshirën e tij për t’u integruar atje.

I përhumbur në Tiranë, Adili përsërit nevojën për psikologë e psikiatër për gruan, por tronditja e tij, të lë të kuptosh se edhe ai vetë ka nevojë për një psikolog.

Drama e familjes shqiptare që ka ‘humbur’ vite në përpjekje për të ndërtuar një jetë jashtë vendit nuk është e re. Shqetësimi, është se ajo po përsëritet në mënyrë konsistente, si për të treguar se asnjë hap nuk po bëhet në këtë drejtim.

Adili tregon se në Greqi, ka punuar në bujqësi, kamarier, shofer, murator, e sërish në bujqësi gjatë periudhës së krizës ekonomike atje. Në këtë periudhë krize, është rikthyer shumë pak dhe madje ka menduar të ndërtojë një jetë në Tiranë, por pa sukses.

Mediat gjermane: familja ishte e mirëintegruar

Disa media gjermane kanë shkruar për rastin e Adilit. ‘’Lübecker Nachrichten’’ dhe ‘’Segeberger Zeitung’’, u referohen vullnetarëve që kishin në patronazh familjen Brahaj, avokatit dhe përfaqësues të disa institucioneve. Përshtypja e krijuar gjatë takimit me Adilin, se ai është një kryefamiljar me kulturë  pune e dëshirë të madhe për t’u integruar, përkon me atë çfarë shkruhet në artikujt e mediave gjermane.

Largimi i papritur i familjes, cilësohet si një veprim i parë vetëm nëpër filma. ‘Nuk kishte asnjë komunikim nga zyrat e huaja që familja duhet të largohej’, thuhet në media. ‘’Familja ishte mirëintegruar, pastaj lejohet që me një fëmijë të sëmurë të përzihet nga Ricklingu? Kjo është përzërja jonë e parë’’, thotë Irmela Bartels, vullnetare.

Vetë Adili nuk arrin ta spjegojë largimin pa paralajmërim, apo edhe faktin që nuk i është lejuar të përdorë telefonin. ‘’Çdo person që ka nëvojë, i lejohet që t’i telefonojë avokatit të tij’’, thekson  znj. Bartels, në media, e cila se bashku me me një tjetër ndihmëse Dr. Anne Engelhard  kanë arritur të takojnë familjen e përzënë në momentin e nisjes me autobus në drejtim të aeroportit të Frankfurtit. “Kemi mundur që t’i japim gruas disa ilaçe të rëndësishme”, thotë Bartels.

Adili po përgatitej të niste një shkollë të profesionale, ndërsa kishte gjetur vendin e punës (kusht për shkollën). Ne gazetën gjermane, citohen përfaqësuesit e zyrës së punësimit. Regine Gühlstorf thotë se ‘’Ne si firmë nuk arrijmë ta kuptojmë, e kishim mundësinë e punësimit të tij, në praktikë ishte shumë i mirë, kontrata ka qenë e mbyllur, do të ishte një situatë e favorshme. Përzënia qendron ende e paqartë. I riu shqiptar është një njëri i përkryer, flet shumë mirë gjermanisht, është i vullnetshëm dhe dëshiron të punojë, por për fat të keq për zyrat e huaja kjo nuk mjafton. Kjo varet nga ligjet e Asylit. Unë e kam njohur familjen personalisht. Jam shumë e mërzitur, por ky është mendimi im personal’’. Shqetësime në media janë ngritur edhe për djalin tre vjeçar. ‘’I diskutuesshëm është nëse fëmijës 3 vjeçar i lejohej të udhëtonte. Fëmija vuan nga sëmundja kronike ‘Pseudolaring’. Mjeku i familjes nuk lejohet të komentojë rastin për shkak të konfidencialitetit të tij. Megjithatë është në përgjithësi një inflamacion i qafës i karakterizuar nga kollitja dhe frymëmarrja. Në këtë rast duhet të merret menjëherë ilaçi i duhur. Por, ka raste që gjendja e fëmijës mund të bëhet shumë më dramatike dhe pacienti të mos marrë frymë dhe në një rast të tillë emergjent është e mundur vetëm në spital. Në autobus dhe aeroplan kjo gjë është shumë e rrezikshme’’, thuhet në mediat gjermane.

Shumë plane largimi, pak riintegrim

Me një nivel të lartë emigracioni, vitet e fundit e theksuar nga kërkesat për Azil, vendi nuk ka institucione specifike për rehabilitimin e riintegrimin e posaçësm të këtij kontigjenti në vend. Azilkërkuesit që kthehen në vend janë me mijëra, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë ‘vegjetojnë’ në shtetë të huaja, deri në një përgjigje, që përfundon të jetë masivisht negative, sidomos nga Gjermania.

Në tre vitet e fundit (2015-2017), të dhënat e Eurostat tregojnë se kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë. Kjo është vetëm një pjesë e të larguarve. Mijëra të tjerë, po largohen nga vendi pasi pajisen me një kontratë pune, fitojnë llotarinë amerikane, apo shumë mënyra të tjera largimi, deri në formë ilegale.

Mëse e kuptuar në periudhën e ndërrimit të regjimit, emigracioni i shqiptarëve në fakt në më shumë se një çerek shekulli, rishfaqet në mënyrë të vazhdueshme e përmasa të mëdha, duke reflektuar pasojat e mungesës së vazhdueshme të një politike të mirëfilltë sociale, nivelit të lartë të korrupsionit e pasigurivë të mëdha që ofrohen në vend. Fakti konfirmohet nga të dhënat e Barometrit të Ballkanit, i cili tregon se vitin e kaluar 50% e të anketuarve planifikonin të largohen nga vendi. Shifër kjo në nivele të larta, e për më tepër në rritje (një vit më parë, 48% e të anketuarve planifikonin largimin nga vendi).

http://news.gallup.com/poll/211883/number-potential-migrants-worldwide-tops-700-million.aspx

Institucionet publike e pranojnë dobësinë në ndalimin e kësaj rrjedhe emigracioni, e po ashtu edhe riintegrimin e emigrantëve të kthyer.

Në Strategjinë Kombëtare të Diasporës dhe Migracionit 2018-2024, Ministria e Diasporës, vë në dukje tre shkaqet pse emigrojnë shqiptarët. Shkaku kryesor pranohet të jetë faktori ekonomik. Në dokumentin e qeverisë thuhet se, “Shqiptarët largohen kryesisht për arsye ekonomike, të tilla si mungesa e mundësive për punësim, kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi”.

Arsyeja e dytë është siguria publike. Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personave të kualifikuar me kushte të mira ekonomike janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre.

Si faktor i tretë cilësohen institucionet e dobëta: Ato kanë krijuar mungesë besimi te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, vëren raporti, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Dokumenti që mban firmën e qeverisë shqiptare thekson se institucionet e dobëta dhe vështirësitë në zbatimin e ligjit ndikojnë në përpjekjet e emigrantëve për t’u rikthyer. ‘Në vitin 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga vendi’, sipas raportit. Fenomeni vijon me përmasa të mëdha, së fundi edhe me numrin e madh të studentëve.

Një studim i bërë nga Ardian Hackaj, Dr. Esmeralda Shehaj dhe Neshat Zeneli, mbi emigracionin në Gjermani në periudhën 2014-2016, rezulton se, një e katërta e të anketuarve nuk kanë pasur asnjë kontakt me institucionet publike në Shqipëri që nga kthimi i tyre. ‘Ata sillen sikur nuk kanë ikur kurrë nga Shqipëria dhe nuk kanë bërë ndonjë kërkesë për azil në vendet e BE-së. Gjtihsesi ata kanë qenë të paktën një herë në ambasadën gjermane në Tiranë pas kthimit’’. Studimi, ‘’Mbi njohjen e emigracionit Shqiptar në Gjermani 2014-2016’’ trregon se, ‘’nga të anketuarit që pranojnë se janë prezantuar në zyrat e punës, një prej tyre  është regjistruar në zyrat e punës në janar 2016, dhe nuk ka marrë asnjë njoftim nga zyra e punës, që atëherë.’’ Sipas këtij studimi, emigrimi i fëmijëve dhe riintegrimi i tyre në sistemin shkollor është një problem i vërtetë. Drejtori i shkollës Jordan Misja, në Shkodër, citohet të thonë se, ‘’në semestrin e parë të 2014-ës, më shumë se 10% e nxënësve kanë ikur me familjet e tyre. Që nga atëherë, rreth gjysma janë kthyer’’.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 47 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.

Në Shqipëri ka një strategji për riintegrimin e qytetarëve shqiptarë 2010-2015, një plan veprimi që synon të respektojë marrëveshjet e qeverisë Shqiptare me shtete të tjera për të pranuar qytetarët e kthyer. Por, një studim i bërë për emigrantët nga  Dr.Sidita Dibra; Irma Semini dhe Marsela Allmuça, tregon se, ‘’ strategjia fokusohet tek emigrantët e kthyer, por nuk përmend dhe nuk trajton kategorinë specifike të azilkërkuesve shqiptarë që kthehen në vendin e tyre të origjinës’’. Kjo kthehet, sipas studiuesve, në një pengësë për kryefamilarët në integrimin në punë, dhe për fëmijët në riintegrimin në shkolla.

Nuk ka një politikë apo dokument të shkruar për azilantët e kryer pasi, vetë qeveria, ashtu siç vlerësojnë edhe institucione ndërkombëtare e shtetet pritëse, Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt. Ndaj edhe pse një femonen që ka marrë përmasa të mëdha (kërkezat për azil, refuzimi i tyre, nevoja për integrim) qeveria nuk e konsideron problem).

Ndër të paktat mundësi insitutcionale për riintegrim, është zbatimi i disa projekteve të huaja që kanë në fokus punësimin e të rinjve. Në vend, po zbatohen programe, të financuara nga qeveritë gjermane, zvicerane, etj., që synojnë emigrimin e ligjshëm më Gjermani, por mbi të gjitha riintegrimin e zhvillimin e të rinjve në Shqipëri. Një projekt është ‘’IDEA’’. Ai nxit hapjen e bizneseve të reja në Shqipëri, me një mesazh domethënës ‘Make it in Albania’.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0