Nëpërmjet programit “Seeds for Future”, kompania certifikoi 25 studentët më të mirë të teknologjisë së informacionit për herë të parë në Shqipëri
Huawei Albania në bashkëpunim me Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, finalizoi rrugëtimin 8 ditor të programit ndërkombëtar dhe intensiv “Seeds for Future” për studentët e shkëlqyer të këtij fakulteti. Nëpërmjet një prezantimi online, përfaqësues të gjigantit botëror të teknologjisë, profesorët e fakultetit, të ftuarit si dhe studentët ndanë eksperiencën unike të realizimit të programit për herë të parë në vend, duke akorduar certifikata për më të mirët.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin Ambasadori shqiptar në Kinë Selim Belortaja, Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding, Zv. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. Asoc Indrit Enesi, drejtuesi i shumë aktiviteteve të suksesshme në industrinë e TIK në Shqipëri, Kushtrim Shala si dhe studentët ndoqën trajnimin.
“Programi “Seeds for Future” që kultivon talentet e ekosistemit për teknologjinë e avancuar është vetëm fillimi i një bashkëpunimi më afatgjatë që realizon shkëmbimin e njohurive por edhe të kulturës midis dy vendeve përkatëse. Teknologjia e Informacionit përbën edhe një prej pikave më të rëndësishme ku qeveria shqiptare është e fokusuar” tha ambasadori shqiptar në Kinë.
“Studentët shqiptarë u bënë pjesë e programit që zhvilloi jo vetëm aftësitë e tyre digjitale por edhe kulturore. Ky program krijoi mundësinë për të eksploruar Kinën, por edhe teknologjinë, nga profesionistët më të mirë në botë, duke mësuar se si ajo mund ta përmirësojë jetën tonë” tha ambasadori Zhou Ding në Tiranë.
Zv. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. Asoc Indrit Enesi shprehu falenderimet e veçanta për Huawei dhe mundësinë e ofruar studentëve. “Trajnime të tilla nga më të mirët e fushës, kryesisht për tema si rrjeti 5G apo teknologjia e avancuar janë vërtet të domosdoshme për studentët shqiptarë” tha ai.
Ndërsa organizatori i shumë aktiviteteve novatore në fushën e TIK dhe aktivisti i njohur i teknologjisë Kushtrim Shala theksoi se kompetencat digjitale janë e ardhmja për zhvillimin e të rinjve të talentuar në vend. “Nisur nga eksperienca, tregu shqiptar është i etur për zhvillimin e kapaciteteve digjitale dhe përbën një nga prioritetet aktuale të fushës. Dëshiroj të shpreh një falenderim tejet special drejtuar Huawei Albania për të gjithë angazhimin në ekosistemin shqiptar duke mbështetur në vazhdimësi startupet dhe të rinjtë e apasionuar. Kjo nuk është hera e parë që Huawei angazhohet në nisma të tilla. Më parë kompania ka sjellë teknologjinë elitare afër ekostemit nëpërmjet nismës UpLift” tha ai.
Lexo: Facebook krijon Neighborhoods, një hapësirë për të mësuar rreth fqinjëve
Disa prej studentëve pjesëmarrës u shprehën se ndihen tepër me fat që janë përzgjedhur të ndjekin programin. “Fillimisht e njihja Huawei vetëm si markë por gjatë kësaj jave kuptova se është akoma më shumë. Edhe pse online, çdo ditë përjetoja nga afër një fillim të ri, temë të re, eksperiencë të re, perspektiva të reja. Pjesa më interesante ishte mundësia për të njohur kulturën kineze nëpërmjet teknologjisë, duke vizituar virtualisht disa nga vendet kulturore. Për me tepër ishim me fat jo vetëm të dëgjonim por edhe të ndërvepronim me profesionistët më të suksesshëm në botë” tha Ornela Brinja, studente e Fakultetit të Teknologjisë së Informacioni, dega Inxhinieri Informatike.
“Seeds for Future” u prezantua për herë të parë në vitin 2008 me qëllimin për të zhvilluar talentet e TIK në të gjithë botën duke ndërtuar ura komunikimi mes vendeve e kulturave të ndryshme. Aktualisht programi shtrihet në 130 vende e rajone dhe rreth 9000 studentë kanë përfituar prej njohurive të tij. Së fundmi, programi u shtri edhe në Shqipëri, duke ndarë ekspertizën dhe përvojat e mjedisit global të biznesit. Huawei Albania do vazhdojë të sjellë pranë studentëve në vendin tonë, praktikat më të fundit të teknologjisë elitare në botë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.