Çdo vit, së bashku me nxehtësinë e verës, afron dhe debati i zjarrtë i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Është bërë tashmë traditë që ky diskutim të kulmojë në qershor, me njërën palë që mbron idenë se negociatat u hapën dhe palën tjetër që i mëshon fort argumentit se negociatat nuk hapen pa u ndryshuar qeveria.
Ndërkohë që përfaqësuesit dhe shërbëtorët e qytetarëve në pushtetet vendore e qendror, të pakicës e shumicës “zihen” se kush do ta ketë fatin e madh të na integrojë i pari në familjen e madhe europiane, pjesë të caktuara të votuesve, kryesisht ata militantë, i ndjekin me endje të madhe, besim të verbët e admirim gati hyjnor shërbëtorët e tyre në karriget e pushtetit. Kjo histori përsëritet prej gati 30 vjetësh. Dhe ne nuk jemi asnjë hap më afër BE-së. Por ajo që shumë pak guxojnë të artikulojnë sot është se ne thjesht nuk e meritojmë të futemi në një Union Shtetesh, të cilat janë vite dritë larg nesh nga shumë pikëpamje, të cilat janë në fokus të kësaj analize.
Çfarë do të ndodhte nëse një politikan, kryetar nga partitë që qeverisin apo kanë qeverisur vendin tonë do të thoshte se ne na duhen dhe 50 vjet të tjera për të arritur standardet e vendeve të Bashkimit Europian?! Me siguri do të lindte pyetja (jo nga militantët e partisë, kjo është pak por e sigurt) nga çdo individ i përgjegjshëm i vendit se çka ka bërë kjo parti në 30 vjet, ndërkohë që ka pasur apo ka në dorë drejtimin e vendit. Dhe, natyrshëm, do të dilej në konkluzionin se në Shqipëri asnjë nuk e ka pasur dhe nuk e ka mendjen te vendosja e standardeve, te shteti i së drejtës, te krijimi i tregut, te forcimi i individit, te krijimi i institucioneve, te zhvillimi i shtresës së mesme dhe të lartë, te respektimi i sipërmarrjes së lirë etj. Rruga drejt BE-së është konceptuar si një përrallë për të vënë në gjumë elektoratin, që kaloi nga historia e vajtjes në komunizëm, në atë të BE-së.
Bashkimi Europian, ashtu si u konceptua në fillimet e tij, është një union ekonomik vendesh në të cilin çdo vend sjell një vlerë të shtuar. Duke krijuar një treg të përbashkët, pa tarifa, me afërsi gjeografike, me lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave apo tregje të përbashkëta aksionesh, këto vende kishin si synim përparimin ekonomik, rritjen e nivelit të jetesës dhe natyrisht forcimin gjeopolitik të tyre.
Nëse Shqipëria, me ndonjë ndërhyrje hyjnore, hyn që sot në Bashkimin Europian, çfarë ka për të ofruar në këtë Union? Pse duhet një holandez, gjerman, spanjoll apo italian të pranojë vendin tonë në këtë grupim tashmë jo vetëm ekonomik? Dikush mund të thotë se një Shqipëri në BE, ul rrezikun rus apo kinez në rajon. Italia është një nga vendet themeluese dhe së fundi është bërë pjesë e projektit kinez të Rrugës së Mëndafshit. Gjermania, që mbahet si lokomotiva e Europës nuk e ka refuzuar gazin rus deri më sot për ndonjë arsye parimore. Pra, një qytetar i thjeshtë i Spanjës apo Luksemburgut, nuk është se i ka varur shpresat te Shqipëria për të shpëtuar nga ariu rus apo dragoi kinez. Ndaj, logjikisht kjo arsye bie. Për sa i përket argumentit se integrimi qetëson Ballkanin e fuçive të barutit, komuniteti ndërkombëtar, për hir të stabilitetit, është tejet i lumtur të vendosë dhe nga një Diktator sërish në secilin prej vendeve të Gadishullit Ballkanik, i cili do të ketë rolin të këndojë këngën e integrimit sa të jetë në karrigen e pushtetit. Por, kjo hipokrizi i takon një analize tjetër.
A ka Shqipëria diçka nga ana ekonomike për të kontribuar? Sigurisht që jo. Ne jemi një vend që nuk kemi ende një sektor strategjik. Kush di të thotë nëse është turizmi apo bujqësia sektori ynë strategjik? Sa janë investimet për secilin nga këto të dy? Ekonomikisht, vlera e shtuar e Shqipërisë është kostoja e ulët e kapitalit njerëzor, të cilën Europa e shfrytëzon prej tri dekadash. Ashtu siç vende si Franca veprojnë me nigerianët, algjerianët apo emigrantë të tjerë që mbajnë brenda kufirit, apo në kolonitë si për shembull në Afrikë.
Nga ana tjetër, dikush me të drejtë mund të thotë se vërtetë ne, si vend i vogël e i vuajtur nuk ofrojmë shumë, por përfitojmë pafundësisht nga Bashkimi Europian. Nëse futemi që sot, çfarë do të ndryshojë në jetën e një qytetari çfarëdo?! Do të behet më i pasur, më i shkolluar, më i mirëqënë? Do të kemi brenda natës institucione të forta? Do të kemi një sistem financiar të zhvilluar? Do të kemi ujë 24 orë, drita pa ndërprerje dhe ushqim në dollapët e gjithsecilit? Sigurisht që jo. Sepse nëse të gjitha këto do të vareshin nga fondet e BE-së, me milionat që janë hedhur nga Europa në vendin tonë, sot duhet të ishim më të pasur se Sulltani i Bruneit, më të shkolluar se Erazmusi i Roterdamit dhe më ndërgjegje qytetare më të lartë se britanikët e Brexit.
Pra, Shqipëria sot nuk është në gjendje as t’i ofrojë as t’i marrë gjë Europës. Vendi ynë nuk shkon në tryezën e bisedimeve si një vend sovran, i barabartë, dhe me kokën lart. Ne shkojmë si një vend vasal, të nënshtruar dhe me një ndjenjë të thellë inferioriteti. Ne dëgjojmë ambasadorë sikur të ishin perëndi, ndjekim kryetarë partish sikur të ishin perandorë, dhe braktisim identitetin individual, kulturor dhe patriotik me të njëjtën shpejtësi që marrim thesin e miellit natën para votimit. Jemi i vetmi vend në botën e qytetëruar që nuk ka as Gjykatë të Lartë e as Kushtetuese. Dhe askush nuk vë duart mbi kokë e të shkojë të protestojë. Sot ka njerëz që nuk kanë bukë të hanë dhe shkojnë takojnë kryetarin e partisë së tyre tërë ngazëllim. Sot, në Shqipëri ka njerëz që kanë frikë të mendojnë ndryshe, të klikojnë online një artikull ndryshe e jo më të shkojë të protestojë. Dhe një pjesë e mirë e popullsisë është rehat me këtë gjë.
Qytetari shqiptar, i lënë me një traumë të thelle nga komunizmi, i zhgënjyer nga 30 vjet politikë që i ka shërbyer vetvetes në më të shumtën e rasteve, është sot indiferent, i pafuqishëm dhe i drobitur. Shumica e individëve votojnë pa u informuar, pa ditur se kë dhe çfarë votojnë. Kënaqen me politikanë që shajnë njëri-tjetrin, që bëjnë spektakël me tepsi, kazanë e timon dhe arrijnë kulmin e ekstazës “qytetare” kur pala e tyre thotë një batutë më tepër dhe një sharje më shumë. Kjo është një shfaqje groteske që nuk e gjen në asnjë vend europian. Në çdo vend të Europës rinia është grupimi më antikomformist, më kritik dhe që debaton më shumë vendimet e çdo qeverie. Në cilindo vend të Europës, sipërmarrësi respektohet më shumë se kushdo, sepse është ai që krijon vendin e punës, ai që ngre ekonominë, ai që çon vendin përpara.
Sipërmarrësi është intelektuali që ka një ide, një shpikje, një krijim më shumë. Në vendin tonë rinia është në gjumë letargjik, në një pjesë të konsiderueshme të saj. Nuk ka shpirtin antikomformist, nuk ka identitet të vetin dhe është menefregiste për fatin e vet. Nga ana tjetër sipërmarrësi, pjesëtari i shtresës së mesme dhe të lartë, ai që krijon vendet e punës, shihet me përbuzje, goditet me taksa të larta, dhe i zihet fryma deri në largim. Kjo natyrisht vjen si pasojë e mentalitetit komunist, i cili bën që njerëzit të kënaqen teksa e shohin tjetrin keq, i cili bën që puna e fortë dhe e ndershme të ndëshkohet dhe dinjiteti të përbuzet.
Rritja dhe brumimi me spiunimin e tjetrit, servilizmin si mënyre jetese dhe kultin e individit bën që njerëzit të duan më shumë kryetarët e partive se veten e tyre, të zihen për hallet e politikanëve në vend të protestojnë për mungesën e bukës në tavolinë, të duan më shume shtetin sesa familjet e tyre, të duan ta zmadhojnë shtetin dhe të varen prej tij, në vend që të forcojnë familjen si bërthama e shoqërisë dhe sipërmarrjen si motori i ekonomisë.
Ky është realiteti shqiptar sot, që nuk ka BE që e shëron. Nëse besojmë se BE do të thotë sundim i ligjit, sipërmarrje e lirë, treg i fortë, sistem financiar i plotë, ekonomi konkurruese, vlera kristian-demokrate, atëherë të gjithë duhet të jemi realist se ne nuk e meritojmë ende të jemi në BE. Një anëtarësim i yni, pa ndryshuar defektet e shumta që kemi, do të ishte aprovim i këtyre defekteve.
Për herë të parë në historinë 107 vjeçare të shtetit tonë duhet të pushojmë së qeni hipokritë. Duhet të jemi ne që duhet t’u themi burokratëve europiane që ne nuk jemi gati. Vetëm pasi të jemi ndarë njëherë e mirë me të kaluarën komuniste, të kemi zgjidhur problemin e pronave si e drejtë kushtetuese e individit, të kemi vendosur shtetin e së drejtës me gjykata funksionale, të kemi krijuar një sektor strategjik të ekonomisë, të kemi rivendosur sistemin e drejtë të taksës së sheshtë, dhe mbi të gjitha të vlerësojmë atë që punon dhe krijon punë, atëherë mund të shkojmë si të barabartë në tryezën e bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Por, kjo nuk bëhet me eksportim nga jashtë. Kjo bëhet duke larguar kultin e individit dhe mentalitetin komunist të rrënjosur thelle ne ADN-në e shumicës së popullsisë. Kjo bëhet duke u kthyer nga pjesëtarë të turmës, në individ me identitet patriotik dhe ndërgjegje qytetare. Kjo do të na bënte të barabartë me një qytetar të Perëndimit, të cilit themi se i përkasim, por nuk e njohim aspak. Ky është realizmi me principe, në kontekstin shqiptar, që Presidenti Trump po aplikon në SHBA me shumë sukses. Momenti që do të zgjohemi si qytetarë shqiptarë me identitet individual, do të shënojë fillimin e tranzicionit të vërtetë.
Deri atëherë do të endemi pa drejtim si shpirtrat e dënuar në botën e Hadit dhe ndërkombëtarët nuk do të jenë veçse Odiseu gjatë vizitës në botën e përtejme që nuk mund të bënte tjetër, veç të mëshironte.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.