Më 02 Gusht 2021, Bashkia Tiranë ka filluar zyrtarisht zbatimin e Projektit për Fondin e Programit të Nxitjes së Punësimit “Fuqizimi i të rinjve dhe të rejave” të Bashkisë Tiranë, financuar nga burime publike dhe do të shpallë thirrjen e hapur për dorëzimin e aplikimeve për grante për projekte biznesi individuale të krijuara për të mbështetur krijimin, ose zgjerimin e aktiviteteve të suksesshme të biznesit nga të rinjtë që janë të aftë për të qenë të sukseshëm në një treg konkurrues.
Rreth Projektit të Bashkisë Tiranë për Fondin e Programit të Nxitjes së Punësimit në Ndihmë të Fuqizimit të të rinjve dhe të rejave”
Qëllimi i Projektit është të mbështesë plane të qëndrueshme biznesi të krijuara nga të rinjtë dhe të rejat të prekur nga pasojat e pandemisë globale COVID -19 dhe të kontribuojë në kuadër të zvogëlimit të këtyre pasojave. Procesi i përzgjedhjes së aplikantëve ka si qëllim të ofrojë transparencë dhe konkurrencë të barabartë si dhe të mbështesë idetë dhe planet e më të mira, të veçanta, fitimprurëse biznesit që garantojnë rezultate të qëndrueshme. Përveç mbështetjes në formë granti, Projekti do të ofrojë gjithashtu trajnim për aftësitë në biznes si dhe mbështetje duke ndihmuar të rinjtë me orientime profesionale dhe kualifikime për të qenë të suksesshëm në fushën e përzgjedhur.
Projekti do të zbatohet në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë kuota që do të kufizojnë numrin e aplikantëve dhe sasinë e financimit për t’u përdorur për bizneset e reja dhe bizneset ekzistuese prioritet .
Mbështetja e Projektit
Qëllimi Projektit është të japë një mbështetje hap pas hapi për idetë e biznesit që kanë mundësinë më të madhe për të pasur sukses dhe për të tejkaluar barrierat e ndryshme të tregut. Për këto qëllime, Projekti është ndarë në tre faza.
Faza e parë: Kandidatët e pranueshëm aplikojnë me idenë e tyre bazë për biznes, përmes Formularit të Aplikimit (shkarko).
Faza e Dytë: Aplikantët e pranuar marrin pjesë në trajnim për aftësi të përgjithshme biznesi dhe zhvillimin e planit të biznesit, dhe vetëm atëherë ata dorëzojnë planet e tyre të biznesit. Planet e biznesit do të jenë një version më i përpunuar i idesë për biznes dhe do të konkurrojnë për mbështetjen e grantit.
Faza e trete: Fituesit e njoftuar do të firmosin një kontratë 12 mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.
Aplikantët e pranueshëm
Të gjithë aplikantët duhet të kenë një ide për biznes, që ka si qëllim fillimin ose zgjerimin e një biznesi të pavarur. Ata janë të detyruar të marrin pjesë personalisht në të gjitha aktivitetet e Projektit, duke qenë se janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe zbatimin e biznesit të tyre.
Kandidatët dhe pjesëmarrësit e pranueshëm të Projektit janë të rinjtë 18-35 vjeç me një ide të qartë sipërmarrje në hapjen e bizneseve të reja të cilët do te ndihmojnë komunitetin e prekur nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ose të rinjtë që kanë biznese të vogla ose të mesme, të prekur nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19 në mënyrë shmangien nga falimentimi të bizneseve të tyre ekzistuese duke i dhënë mbështetje financiare transparente.
Të rinjtë që nuk përmbushin kriteret për t’u përzgjedhur janë ato të cilat kanë një konflikt interesi me palët e përfshira dhe vendimmarrësit e Projektit.
Çdo aplikant mund të marrë pjesë me vetëm një ide biznesi. E drejta për të marrë pjesë në projekt dhe për të pasur akses në asistencën e Grantit mund të përdoret vetëm një herë në vit.
Aplikantët mund të jenë biznese start up dhe ekzistuese
Grupet e mëposhtmë të të rinjve do t’u jepet prioritet.
• Të rinj /të reja (18-35 vjeç) banorë të Bashkisë së Tiranës (sipas çertifikatës familjare), të prekur prej pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 (Dokument justifikues nga Instituti i Shëndetit Publik për personat e prekur nga COVID-19 në Tiranë);
• Të rinj dhe të reja të papunë (sipas vërtetimit të punëkërkuesit të papunë);
• Të rinj dhe të reja me aftësi të kufizuara (sipas vërtetimit të KMCAP);
• Komuniteti Rom/Egjiptian (sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga oranet që mbrojnë të drejtat e tyre ose vetë-deklarimit ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave);
• Të rinj të cilëve u cënohet qëndrueshmëra e ekzistencës së sipërmarrjeve të reja qe janë prekur ekonomikisht për të mos falimentuar (vërtetuar sipas pasqyrës financiare).
Aktivitete Biznesi të Pranueshme
Aktivitetet e pranueshme për biznes janë nga sektorët e mëposhtëm, përkatësisht:
• Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK);
• Bizneset rurale;
• Shërbime (Agjensi dhe pika informacioni turistike, Tregti dhe shërbime me tematike specifike për fëmijë, shërbime kulunarie, të nënprodukteve ushqimore dhe produkteve të përpunuara ushqimore, me origjinë Shqipëtare, shërbime hotelerie dhe restoranti, biznese me profil artizanati, aktivitete shërbimi Etj…
Sektorët mund të ndryshojnë gjatë vitit, në varësi të prioriteteve të parashtruara nga Bashkia.
Prioritet do u jepet aplikantëve:
• me ide biznesi inovative ose që ofrojnë produkte/shërbime të reja
• me ide biznesi qe kane te inkorporuar digjitalizimin e proceseve qe deri tani jane kryer ne mënyrë tradicionale,
• me biznese që ndodhen në zonat rurale të Bashkisë së Tiranës,
• me biznese që krijojnë më shumë se 2 ose më shumë mundësi punësimi.
Pavarësisht sektorit të zgjedhur, idetë e mëposhtme të biznesit nuk janë të pranueshme për të qenë pjesë e Projektit:
• të gjitha llojet e aktiviteteve brenda sektorit parësor të bujqësisë;
• shërbime të pasurive të patundshme, qiraja për pasuri të tundshme;
• shërbime financiare dhe sigurimesh, dhe shërbime që përfshijnë lojërat e fatit;
• prodhim pijesh me përmbajtje dhe esencë të lartë alkooli;
• prodhim produktesh duhani;
• prodhim duke përdorur teknologji që shkakton ndotje mjedisore (siç është ndotja e ajrit, ujit, tokës, etj.
Mbështetje financiare
Efektet financiare të këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i miratuar për projektin “Fuqizimi i të rinjve dhe të rejave”, Aparati i Bashkisë në programin e papunësisë, arsimit dhe aftësimit profesional, viti 2021 . Aplikantët e përzgjedhur duhet të planifikojnë për financim shtesë 20% të shumës së mbështetur, duke përdorur instrumente financiare (kredi, hua, grante, etj.) të disponueshme në Shqipëri nëpërmjet institucioneve financiare ose projekteve të financuara nga donatorë, ose me financat e tyre. Instrumenti financiar do të përdoret së bashku me asistencën e grantit për fillimin e planit të biznesit, atëherë ky burim financimi duhet të përfshihet në planin e biznesit dhe do të jetë subjekt i vlerësimit. Nëse instrumenti financiar do të përdoret për zgjerim të mëtejshëm të biznesit, kjo mbështetje shtesë e përfituar pritet që vetëm të raportohet në vizitat e monitorimit dhe raportet e Projektit.
Shpenzimet e Pranueshme
Shpenzimet e pranueshme që mund të mbulohen nga paratë e grantit duhet të përdoren për zbatimin e planit të biznesit dhe mund të përfshijnë:
• qiranë për mjediset për zyra dhe shërbimet e biznesit;
• blerjen e materialeve për mobilim ose rregullim të mjediseve/godinave për biznesin;
• blerjen e makinerive, mjeteve dhe pajisjeve, si edhe softëare etj.,
• blerjen e programeve softëare, licencave apo abonimeve digjitale te cilat kanë rol te rëndësishëm ne zbatimin e planit te biznesit,
• blerjen para fillimit të materialeve të papërpunuara dhe produkteve të konsumueshme;
• rrogat dhe pagat, dhe shërbime të tjera të specializuara të nevojshme, kontabilitet, administrim, IT, etj ;
• promovimin dhe reklamimin e aktiviteteve.
Ka disa kufizime për shpenzimet e pranueshme:
• blerja e materialeve të papërpunuara mund të mbulohet vetëm një herë, si blerje e vetme e stokut fillestar;
• rrogat dhe pagat mund të mbulohen deri për 12 muaj pas fillimit të biznesit, bazuar në rrogën mesatare në Shqipëri (pjesa tjetër e rrogës duhet të mbulohet nga vetë biznesi);
• idetë që kanë përftuar më parë nga ky program nuk do të mund të aplikojnë për së dyti për te njëjtin shërbim qe kanë përftuar më parë (ose dhe përjashtohen fare)
Shpenzimet jo të pranueshme që nuk mund të mbulohen nga paratë e grantit përfshijnë:
• blerjen e pasurive të patundshme si toka, godina, etj ;
• blerjen e mjeteve të transportit që nuk do të përdoren direkt për funksionimin e biznesit të propozuar;
• çdo shpenzim që nuk lidhet me biznesin e propozuar;
• shpenzimet e kryera përpara përmbylljes së kontratës së grantit.
Shpenzimet jo të pranueshme në grant mund të mbulohen nëpërmjet kontributit personal të aplikantit, dhe formave të tjera të financimit, siç janë kreditë, huaja, vet investim, etj.
Si të Aplikohet?
Të gjithë Formularët e plotësuar të Aplikimit do të dorëzohen në Sektorin e Pritjes me Qytetarin në Bashki në një kopje origjinale dhe dy kopje të tjera identike. Aplikantët janë të detyruar që të dorëzojnë bashkangjitur me Formularin e Aplikimit të gjitha llojet e dokumenteve që vërtetojnë arsimin, kualifikimin dhe eksperiencën e tyre që korrespondon me idenë e paraqitur për biznes si dhe Ekstrakt Bankar për shumën e bashkëfinancimit.
Afati i fundit për dorëzim nuk është më vonë se 23 Gusht 2021 ora 16:00 në adresat në vijim: Sporteli i Pritjes dhe Shërbimit me Qytetarin, Bashkia Tiranë.
Formulari i plotësuar i aplikimit me dokumentet e bashkëngjitura duhet të dorëzohet personalisht ose me postë.
Çdo aplikim që merret pas datës së shpallur të mbylljes do të quhet i pavlefshëm.
Çdo aplikant mund të aplikojë me vetëm një ide për biznesi.
Dokumentacioni i cili duhet dorëzuar për aplikim:
1. Kartë identiteti
2. Formulari standard i idesë së biznesit
3. Çertifikatë familjare që vërteton qe aplikanti është banues i territorit te Bashkisë Tiranë
4. Dokumente justifikuese nëse i përket komunitetit Rom/Egjyptian, sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga organet që mbrojnë të drejtat e tyre ose vetë deklarimit ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave.
5. Dokumement justifikues nga Instituti i Shëndetit Publik për personat e prekur nga COVID-19
6. Ekstrakt Bankar për shumën e bashkëfinancimit
Informacione të tjera
Informacione shtesë dhe Formulari i Aplikimit mund të gjenden në adresën www.tirana.al
Për më shumë informacion në Bashki, ju lutem kontaktoni Joniada Gace, në numrin e tel. 0693694196, ose në adresën në vijim: [email protected]
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.