Guvernatori Sejko në javën e parasë: kemi një strategji për edukimin financia - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në javën e parasë: kemi një strategji për edukimin financia

edukimi financiar

Çdo vit, nën koordinimin e OECD-INFE, zhvillohet Java Globale e Parasë, e cila është një festë mbarë botërore e parasë që synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht. Në këtë kuadër, edhe në vendin tonë, partnerë të shumtë organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë financiarisht fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe si të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

Në këtë kuadër, sot, në datë 12 prill, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga zj. Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, për të diskutuar në panelin me temë “Si t’i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare”, së bashku me z. Ervin Mete, Ministër i Financave, dhe z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Gjatë panelit, Guvernatori Sejko u shpreh se të gjitha bankat qendrore moderne i kushtojnë vëmendje dhe burime të veçanta edukimit financiar dhe ekonomik të publikut. Kjo dukuri është intensifikuar dhe ka marrë një formë të plotë në mënyrë të veçantë në periudhën e paskrizës financiare, kryesisht për arsye se autoritetet financiare kuptuan rëndësinë e operimit në një ambient me publik të mirinformuar.

Guvernatori theksoi se një publik i pajisur me kulturë financiare ka më shumë mundësi të kuptojë botën financiare plot risi që e rrethon, si dhe funksionin dhe vendimet komplekse të bankës qendrore. Me këto principe në fokus, prej afro 20 vjetësh, Banka e Shqipërisë është angazhuar në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri.

Guvernatori Sejko u shpreh se në janar 2024, u miratua Strategjia e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare – një dokument i parë institucional që promovon edukimin financiar, në nxitje të përfshirjes, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare. Misioni i tij është të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare.

Një tjetër hap mjaft i rëndësishëm është ligji 100/2023 “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili vjen si angazhim i Bankës së Shqipërisë në nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë dhe modernizimit të sistemit të pagesave, dhe synon rritjen e numrit të llogarive bankare të pagesave, nëpërmjet afrimit drejt sistemit bankar të shtresave të konsumatorëve që nuk kanë aktualisht llogari bankare, si dhe nxitjen e përdorimit më aktiv të llogarive ekzistuese të pagesave për atë grup konsumatorësh që megjithëse e kanë një llogari, e përdorin minimalisht atë.

Në vijim Guvernatori vlerësoi bashkëpunimin mjaft të mirë me partnerët si Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Shoqata Shqiptare e Bankave, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Banka Botërore etj. për zhvillimin e vazhdueshëm të programeve të përbashkëta në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e kulturës financiare.

Së fundmi, Guvernatori theksoi se mund të thuhet se aktivitetet dhe botimet e veçanta edukative të përgatitura nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, kanë tre objektiva kryesorë: prezantimin e rolit dhe funksioneve të bankës qendrore tek publiku; kultivimin e përforcimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare; si dhe nxitjen e përfshirjes financiare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0