Gratë sipërmarrëse, histori frymëzimi nga Risi Albania - Business Magazine Albania

Gratë sipërmarrëse, histori frymëzimi nga Risi Albania

Risi Albania

Në një bashkëbisedim me Besnik Ligaçi, Drejtues për Çështjet Gjinore dhe Përfshirjen Sociale, si edhe Lutjona Lula, Oficere për Mediat dhe Komunikimin, pranë RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, patëm mundësinë të diskutojmë për iniciativën që ky projekt ka ndërmarrë të promovojë historitë inspiruese të 10 vajzave dhe grave, nën moton ‘Historia Jote Frymëzon’. Historitë e zgjedhura janë përfaqësuese të bashkëpunimeve të ndryshme që RisiAlbania kryen, me qëllim nxitjen e punësimit te të rinjtë dhe zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri.

Risi Albania ka në fokus mbështetjen e grave sipërmarrëse. Për këtë ju keni realizuar së fundi edhe disa video, të cilat shërbejnë njëkohësisht për promovimin e tyre, por mbi të gjitha për frymëzimin e grave dhe vajzave që duan të hapin një biznes. Si vendosët për këtë dhe në veçanti për personazhet e përzgjedhura?

Kjo iniciativë erdhi si rrjedhojë e nevojës për të promovuar rezultatet e arritura deri më tani nga projekti Risi Albania, nëpërmjet bashkëpunimeve të realizuara në fusha të ndryshme ku ne operojmë. Përfshirja e grave dhe grupeve të margjinalizuara është pjesë e rëndësishme e punës sonë dhe nëpërmjet kësaj iniciative donim të vendosnim fokusin pikërisht te partneritetet e krijuara me këto vajza dhe gra. Personazhet jemi munduar që t’i zgjedhim duke patur parasysh që kriteret përzgjedhëse, të ishin sa më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese për komunitetet ku këto gra ushtrojnë aktivitetin e tyre, por edhe për audiencën e mundshme që do t’i shihte këto video. Kriteret që mund të përmend, janë: shtrirja gjeografike, industria ku operojnë dhe vitet në treg, impakti dhe përfshirja në komunitet, mundësitë e punësimit që ofrojnë, mosha. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 45 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Çfarë të veçante kanë mesazhet që përcjellin zonjat? Njëkohësisht çfarë të përbashkëte kanë?

E veçanta e mesazheve konsiston në përvojat unike që ato kanë “mbi supe” të ardhura si rrjedhojë e eksperiencave individuale, por edhe si rrjedhojë e industrive specifike dhe sfidave që dalin duke bërë biznes në to.

Të përbashkëtat, në përgjithësi shprehen nëpërmjet pozitivitetit dhe këmbënguljes që ato kanë për të qenë të suksesshme, si edhe vizioni që kanë për të ardhmen, për veten dhe familjet e tyre, pavarësisht se ku jetojnë dhe operojnë me biznesin e tyre, qoftë në qytete apo zonat rurale.

Kur fushata u ideua në thelb të saj ishte elementi i frymëzimit të vajzave të reja me shpirt sipërmarrës, për të ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Ne vendosëm të sillnim historinë e këtyre grave, disa me përvojë dhe disa vajza të reja, nisur nga përjetimet e tyre, disfatat dhe sukseset, bazuar në 5 fjalë kyçe për secilën.

A janë mbështetur më parë nga ju? 

Këto gra janë mbështetur më parë ose po mbështeten aktualisht nga Risi Albania, nëpërmjet iniciativave të ndryshme që kemi në sektorët e turizmit, agrobiznesit dhe teknologjisë së informacionit, por edhe në sektorë të tjerë, siç janë: këshillimi i karrierës, apo ofrimi i kurseve aftësuese që përgatisin të rinjtë për tregun e punës.

Cila është eksperienca juaj gjatë xhirimeve? Qasja e zonjave dhe mesazhet e përzgjedhura?

Për realizimin e videove kontraktuam një kompani kreative dhe kemi bashkëpunuar me të gjatë gjithë kohës. Të gjitha zonjat kanë qenë të hapura për bashkëpunim dhe gjejmë rastin t’i falenderojmë. Mesazhet janë të ndjera dhe të sinqerta dhe nuk jemi imponuar në përmbajtje në këtë drejtim. Bashkë me skenaristen kemi punuar që historia të organizohej rreth konceptit, por përmbatja është historia reale e zonjave, për të qenë dhe sa më afër me audiencën. Kemi dashur të prodhojmë video ndryshe nga formati standard, por diçka që nxit veprim dhe reflektim në drejtim të përfshirjes gjinore dhe sociale.

A keni pasur një reagim nga gra apo organizma të tjera pas publikimit të videove?

Kjo “fushatë” ka patur një jehonë pozitive në kanale të ndryshme komunikimi që ne përdorim, sidomos në rrjetet tona sociale. Kemi patur një reagim pozitiv nga komunitete përkatëse lokale, ku këto gra kanë bizneset e tyre, por edhe nga pjestarë të tjerë të industrive, ku ato kontribuojnë. Madje kemi patur dhe raste të suksseshme, kur prej videos, bizneset e zonjave janë kontaktuar për të ditur më shumë mbi shërbimet që ofrojnë dhe për ne, në këtë realitet pandemie COVID-19, është shumë e rëndësishme. Sipas të dhënave nga rrjetet sociale audienca e videove janë të rinj, më së shumti grupmosha 24-34 dhe shpresojmë që vërtet të kemi frymëzuar dikë për t’iu bashkuar botës së biznesit dhe për të rritur numrin e sipërmarrjes së grave dhe vajzave në Shqipëri.

Sa ndikoi pandemia në realizimin dhe shpërndarjen e videove. Më saktë, në përçimin e mesazhit?

Do ta ndaja këtë eksperiencë në dy momente. Momenti i realizimit të videove dhe shpërndarjes së tyre. Gjatë realizimit patëm jo pak të papritura, pasi videot u realizuan gjatë muajve Nëntor, Dhjetor 2020 dhe Janar 2021, që përkuan me një rritje të numrave të infektuar me Covid-19, ku edhe një pjesë e stafit tonë u prek. Kjo situatë i ngadalësoi pak proceset e punës, por edhe zhvillimin e idese fillestare, ku ekipi xhirues nuk arriti që të kishte akses në disa vende.
Përsa i përket shpërndarjes, mund të themi se pandemia pati edhe efektet e saj “pozitive” pasi ka rritur botëkuptimin dhe rëndësinë që prezenca online ka për bizneset dhe kjo është përkthyer pozitivisht edhe te partnerët tanë, si edhe te shpërndarja e këtyre videove për publikun. Në këto kohë të vështira, ishte shumë e rëndësishme për ne që, jo vetëm të përçonim mesazh pozitiv, por edhe që nëpërmjet këtij mesazhi të promovonim iniciativa biznesesh të drejtuara nga vajza dhe gra. Nëse u referohemi statistikave, gratë në Shqipëri drejtojnë afro 30 % të bizneseve, shifër kjo që duhet të vijë në rritje dhe të reflektojë kontributin e vërtetë të vajzave dhe grave në shoqëri. Publikimi i këtyre videove do të ndihmojë në frymëzimin edhe të vajzave dhe grave të tjera të besojnë në aftësitë e tyre dhe të ndërmarrin iniciativa të reja. 

Cilat janë planet tuaja në drejtim të fuqizimit të grave sipërmarrëse në të ardhmen? 

Risi Albania do të vazhdojë të ketë në fokus përfshirjen e vajzave dhe grave, por edhe pjesëtarëve të tjerë nga komunitete të margjinalizuara, nëpërmjet promovimit të bashkëpunimeve në sektorët e ndryshëm, ku ne operojmë. Qëllimi është krijimi i mundësive ekonomike dhe hapësirave për të nxitur punësim, sipërmarrje të reja dhe ide inovatore në treg.

Jehona e videove në fakt ka arritur dhe përtej kufijve të Shqipërisë dhe falë mbështetjes nga Helvetas Global Communications Unit, të cilët serinë e videove në këtë 8 Mars 2021 e kanë përzgjedhur si histori suksesi nga të gjitha vendet ku Helvetas operon. Ne jemi shumë të lumtur që Shqipëria, biznesi në Shqipëri, tregu i punës, si dhe sipërmarrja e grave pati këtë jehonë ndërkombëtare. Shpresojmë dhe jemi të angazhuar në të qenurit një partner për rritje të punësimit të të rinjve e të rejave në Shqipëri, sikurse është motoja jonë “Making the Market Work for Young People”. 

https://www.youtube.com/watch?v=vEteQpmgJt4&list=PLZJo6AC5on54vHuSoCFZz9BZsqFw3DsrX&index=11

https://www.youtube.com/watch?v=oMFMC-Mj1Ts&list=PLZJo6AC5on54vHuSoCFZz9BZsqFw3DsrX&index=1

Artikulli u publikua më parë në faqen 45  të numrit 26 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0