Google ka paralajmëruar se ndarja e shfletuesit të tij të njohur Chrome, nga pjesa tjetër e biznesit, mund të dëmtojë si konsumatorët ashtu edhe bizneset. Ky reagim erdhi pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) konsideron të propozojë masën e ndarjes në një proces gjyqësor për konkurrencën. Vendimi do t’i paraqitet Gjykatësit Amit Mehta, i cili në gusht vendosi se Google operon si monopol në tregun e kërkimit në internet.
Google e ka kundërshtuar fuqishëm këtë masë, duke e quajtur atë një “axhendë radikale”. Lee-Anne Mulholland, një ekzekutive e Google, theksoi në një deklaratë se masa të tilla jo vetëm që shkojnë përtej çështjeve ligjore, por do të dëmtojnë konsumatorët, zhvilluesit dhe lidershipin teknologjik të SHBA-së në një moment kritik.
Gjithashtu, DOJ po konsideron vendosjen e rregullave të reja për Google në lidhje me inteligjencën artificiale, sistemin operativ Android dhe menaxhimin e të dhënave.
Chrome mbetet shfletuesi dominues global, me një pjesë tregu prej 64.61% deri në tetor, sipas Similarweb. Ndërkohë, Google Search kontrollon pothuajse 90% të tregut global të motorëve të kërkimit. Ky pozicion i fuqishëm buron pjesërisht nga fakti që Google është motori i kërkimit i parazgjedhur në Chrome dhe në shumë shfletues të tjerë, përfshirë Safari të Apple.
Lexo edhe: Studimi i ri:” Truri ynë i përpunon mesazhet e shkurtra në mënyrë super të shpejtë”
Gjykatësi Mehta në vendimin e tij theksoi se motori i kërkimit i paracaktuar është një “pasuri e paluajtshme jashtëzakonisht e vlefshme” për Google, duke i dhënë kompanisë një avantazh të fortë konkurrues.
Google ka argumentuar se ndarja e shërbimeve si Chrome dhe Android do të destabilizonte modelet e saj të biznesit, do të rriste koston e pajisjeve dhe do të dobësonte konkurrencën me rivalët si Apple. Për më tepër, kompania ka paralajmëruar se ndarja do të vështirësonte mbajtjen e shfletuesit Chrome të sigurt dhe të qëndrueshëm për përdoruesit.
Raportet për ndarjen e propozuar dhe ndikimin e saj të mundshëm po ndiqen me vëmendje nga investitorët, ndërsa Departamenti i Drejtësisë përgatitet të paraqesë rekomandimet përfundimtare në gjykatë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto