Google gjobitet me 6,8 milionë dollarë nga autoritetet ruse me arsyetimin se gjigandi i motorit të kërkimit ka thyer rregullat e konkurencës me sistemin operativ Android.
Autoriteti Federal Anti-Monopol tha se Google kishte detyruar prodhuesit e telefonëve që të përfshijnë aplikacionin Google Search në ekranin parësor të telefonëve të tyre nëse donin qasje në dyqanin e aplikacioneve Play Store.
Kjo çështje e hapur që në Shkurt të 2014-tës filloi me padinë e konkurrentit të drejtpërdrejtë në Rusi, Yandex, ndaj Google. Vitin e kaluar autoritetet dolën me qëndrimin se Google kishte thyer rregullat e konkurrencës dhe duhej të pritej muaji Mars kur do të paraqitej në gjykatë apeli i Google për të vendosur më pas lidhur me fatin e çështjes.
Gjoba prej 6.8 milionë dollarësh është pothuajse e papërfillshme nëse e krahasojmë me të ardhurat globale prej 74.5 miliardë dollarësh të Google. Megjithatë telashet për Google në Europë nuk mbarojnë këtu.
Kompania rrezikon një gjobë marramendëse prej 7 miliardë dollarësh nëse akuzat e Bashkimit Europian vërtetohen. Gjatë muajit Prill Margaret Vestager akuzoi formalisht gjigandin e motorit të kërkimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto