Google ka arritur një marrëveshje për të blerë kompaninë e sigurisë kibernetike Wiz për 32 miliardë dollarë, duke shënuar blerjen më të madhe ndonjëherë të gjigantit të teknologjisë, në një kohë kur po përballet me rrezikun e shpërbërjes së perandorisë së saj të internetit.
Marrëveshja, e shpallur të martën, është pjesë e zgjerimit agresiv të Google në shërbimet cloud, në një periudhë kur inteligjenca artificiale po përjeton një bum zhvillimi. Kërkesa për qendrat e të dhënave që fuqizojnë teknologjinë e AI-së po rritet ndjeshëm, duke shtuar konkurrencën mes Google dhe dy gjigantëve të tjerë të teknologjisë, Microsoft dhe Amazon.
Nëse transaksioni miratohet nga rregullatorët, Wiz do të bëhet pjesë e Google Cloud – një sektor gjithnjë e më i rëndësishëm për kompaninë, veçmas nga operacionet e kërkimit dhe reklamave, që përbëjnë pjesën më të madhe të 350 miliardë dollarëve të ardhura vjetore të Alphabet, kompania mëmë e Google. Megjithatë, me rritjen e ndikimit të AI-së, sektori cloud është kthyer në një yll në ngjitje për Google. Të ardhurat vjetore të Google Cloud arritën në 26.3 miliardë dollarë në vitin 2022 dhe u rritën me 64% duke arritur në 43.2 miliardë dollarë vitin e kaluar.
Wiz – nga startup në një blerje rekord
Wiz është një startup pesëvjeçar, i themeluar nga katër miq të ngushtë që u njohën në ushtrinë izraelite kur ishin ende adoleshentë. Kompania nisi aktivitetin në Izrael në vitin 2020, por tashmë operon nga selia e saj në Nju Jork, ku ofron mjete sigurie për të mbrojtur informacionin e ruajtur në qendrat e të dhënave. Sivjet, Wiz pritet të gjenerojë të ardhura rreth 1 miliard dollarë. “Wiz dhe Google Cloud ndajnë të njëjtin vizion se siguria në cloud duhet të jetë më e thjeshtë, më e arritshme, më inteligjente dhe e demokratizuar, në mënyrë që më shumë organizata të mund të përdorin cloud dhe AI në mënyrë të sigurt,” shkroi CEO i Wiz, Assaf Rappaport, në një postim në blog. Në një konferencë të martën, CEO i Google, Sundar Pichai, parashikoi se përfshirja e Wiz në Google Cloud do të rezultojë në siguri më të mirë me kosto më të ulët. Kjo deklaratë mund të ketë qenë drejtuar po aq rregullatorëve sa edhe klientëve të ardhshëm, duke pasur parasysh se marrëveshja pritet të kalojë një shtim të rreptë nga autoritetet e konkurrencës. Google kishte tentuar prej kohësh të blinte Wiz, por një ofertë prej 23 miliardë dollarësh ishte refuzuar në korrik të vitit të kaluar, me Wiz që sinjalizoi se do të fokusohej në një ofertë publike fillestare (IPO). Por, për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut të aksioneve, Wiz vendosi të ndryshojë drejtim, duke zgjedhur të bëhet pjesë e Google.
Lexo edhe:Studime falas në Harvard për studentët që vijnë nga familje me të ardhura deri në 200,000 dollarë
Një lëvizje e guximshme kundër Microsoft dhe Amazon
Sipas analistëve të Wedbush, blerja e Wiz është një “shpallje lufte” ndaj Microsoft dhe Amazon, të cilët tashmë kanë investuar miliarda dollarë në sigurinë kibernetike për të dominuar tregun e cloud computing. Google ishte prapa konkurrencës në këtë sektor, por blerja e Wiz mund të ndryshojë ekuilibrat. Kjo marrëveshje tejkalon blerjen më të madhe të mëparshme të Google, blerjen e Motorola Mobility për 12.5 miliardë dollarë në vitin 2012, një marrëveshje që nuk dha rezultatet e pritura për kompaninë. Gjithashtu, është blerja më e madhe në historinë e sigurisë kibernetike dhe hyn në 20 blerjet më të shtrenjta të një kompanie softuerike, sipas të dhënave nga Mergermarket. Siç ndodh shpesh me blerjet e mëdha, investitorët nuk e pritën me shumë entuziazëm lajmin. Aksionet e Alphabet ranë me 2%, duke u mbyllur në 160.67 dollarë.
Megjithatë, disa nga blerjet e kaluara të Google kanë rezultuar të suksesshme, si blerja e YouTube për 1.76 miliardë dollarë në 2006 dhe blerja e DoubleClick për 3.1 miliardë dollarë në 2008, që e ndihmoi kompaninë të konsolidonte dominimin në reklamimin dixhital. Blerja e Mandiant për 5.4 miliardë dollarë në 2022 gjithashtu ka luajtur një rol kyç në rritjen e Google Cloud.
Një marrëveshje nën hijen e hetimeve antitrust
Google po përballet me një sërë hetimesh antitrust në SHBA dhe në vende të tjera. Marrëveshja për blerjen e Wiz ka të ngjarë të jetë nën vëzhgimin e autoriteteve të konkurrencës, veçanërisht duke pasur parasysh shqetësimet e Departamentit të Drejtësisë për dominimin e Google në tregun e reklamave dixhitale. Një gjyq federal vitin e kaluar përcaktoi se Google kishte shndërruar motorin e tij të kërkimit në një monopol të paligjshëm. Departamenti i Drejtësisë po kërkon që Google të shesë shfletuesin Chrome dhe t’i ndalojë marrëveshjet me Apple dhe kompani të tjera për të mbajtur Google si motorin e paracaktuar të kërkimit në iPhone dhe pajisje të tjera. Administrata e re në SHBA mund të jetë më e hapur ndaj marrëveshjeve të mëdha, por Andrew Ferguson, kreu i Komisionit Federal të Tregtisë (FTC), ka qenë një kritik i fortë i fuqisë së pakufishme të gjigantëve të teknologjisë dhe ka paralajmëruar se do të mbajë nën kontroll rritjen e tyre. Pavarësisht sfidave të mundshme, Google duket i vendosur të përforcojë praninë e tij në tregun e sigurisë kibernetike dhe cloud computing për të sfiduar dominimin e Microsoft dhe Amazon. Mbetet për t’u parë nëse kjo blerje do të miratohet nga rregullatorët dhe si do të ndikojë në peizazhin e teknologjisë në vitet e ardhshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.