“Gjyms’Hana”, si u ndërtua një brand që nuk ra, edhe kur çdo gjë... - Business Magazine Albania

“Gjyms’Hana”, si u ndërtua një brand që nuk ra, edhe kur çdo gjë tjetër u rrëzua?

Nga Adelina Onuzi/ Kur Ana Gjymshana vendosi të bëhej arkitekte, nuk ishte thjesht një zgjedhje profesioni. Ishte një marrëveshje zemre mes një vajze 13-vjeçare dhe babait të saj, një ëndërr që mbeti gjallë edhe kur jeta vendosi t’i vinte përballë sfida të pazakonta. Gjyms’Hana u hap pak ditë para tërmetit dhe pak muaj para pandemisë, në një kohë kur gjithçka tjetër po shembej, ajo zgjodhi të ndërtonte.

“Gjyms’Hana” nuk është një studio e zakonshme. Është vetë Ana. Një njeri që nuk kërkoi asnjëherë të imitojë sistemin, por të krijojë një model të vetin. Emri i studios rrjedh nga mbiemri i saj, me një apostrof që simbolizon thjeshtësinë, përkatësinë dhe ndoshta edhe ndarjen midis asaj çfarë na jep jeta dhe asaj që ndërtojmë vetë.

E hapur zyrtarisht vetëm dy javë para tërmetit të 2019-ës, Gjyms’Hana hyri në lojë pa paralajmërim për sfidat që do të vinin. Tre muaj më pas, pandemia do ta rrëmbente botën. “Ishte një kohë kur nuk njihja as fjalën ‘sfidë’ në fjalor,” thotë Ana. Por ajo nuk u dorëzua. Çdo përplasje, çdo humbje, çdo leksion është ruajtur në një bllok me titull “Katalogu i Leksioneve”, një dëshmi e rrugëtimit të saj njerëzor e profesional.

Prilli i vitit 2021 nuk ishte një moment i vetëm, por pjesë e një kapitulli të tërë sfidash për Gjyms’Hana. Tensioni financiar, frika, pasiguria, të gjitha u grumbulluan në atë që Ana e përshkruan si periudha më e errët. Por ajo nuk u dorëzua. Në vend që të shohë vetëm të zezën, ajo zgjedh të zgjerojë spektrin deri tek ylberi: “Kur e shtrëngova aq shumë të bardhën dhe të zezën, kuptova se aty ka ylber”.

Kur e mbylli dyqanin në 2023, ajo nuk e pa si një fund, por si një rikonceptim. Sepse Gjyms’Hana nuk është vetëm një vend fizik, është një brand. Është një filozofi pune, jete, këmbënguljeje. Është ajo natë e Vitit të Ri ku punëtorët me familjet e tyre festonin në një hapësirë të sapo krijuar, ende të papërfunduar. Është ajo ndjesia që, siç thotë vetë Ana, “kur të hysh në shtëpinë tënde, do më bekosh gjithë jetën”.

Nuk ka dashur kurrë të bëhet viktimë e sistemit, as të jetë një kopje e tij. Ka zgjedhur gjithmonë të ecë kundër rrymës, të sfidojë mënyrat tradicionale, të jetë praktike dhe të kërkojë nga jeta më shumë sesa ekselenca në letra. “Më trego ekselentët,” thotë, “por shtata-teta është ai që më bën punën”.

Sot, ajo është ende duke mësuar, si Mikelanxhelo që në frymën e fundit tha “I’m still learning”. Por tashmë, ajo është bërë një zë për ata që nuk duan thjesht të ndërtojnë struktura, por të lënë gjurmë. Sepse për Anën, arkitekt nuk je kur diplomohesh, por kur ia del të krijosh realisht diçka të jetueshme, të prekshme, që i bën njerëzit të ndihen në shtëpi.

“Making history” do të thotë që ndonjëherë humb para,” thotë ajo me një buzëqeshje që fsheh një fuqi të madhe. Por për të, suksesi nuk matet vetëm me bilance, matet me ndikim, me ndryshimin që sjell tek të tjerët dhe tek vetja. E kur t’i flasë vetes në moshën 60-vjeçare, do t’i thotë vetëm kaq: “You did it.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0