Shanaz Hemmati, një veterane me përvojë në dy startup-e shumëmiliardëshe, thotë se çdo sipërmarrës i ri duhet të ketë parasysh një mësim thelbësor përpara se të nisë një biznes të ri.
Pavarësisht sa i bindur je për idenë tënde, kërko mendimin e sa më shumë klientëve apo konsumatorëve potencialë dhe merr reagimet e tyre përpara se të përcaktosh modelin e biznesit, këshillon ajo. Hemmati dhe Ross Buhrdorf janë bashkëthemelues të ZenBusiness, një kompani që ofron software me inteligjencë artificiale për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrësve të rinj gjatë proceseve ligjore e rregullatore të nisjes së një biznesi. Ata e krijuan kompaninë në vitin 2017 dhe në nëntor 2021 ajo u vlerësua me 1.7 miliardë dollarë. Më herët, dyshja kishte punuar bashkë si drejtues në HomeAway, një platformë për qira pushimesh, e cila u ble nga Expedia për 3.9 miliardë dollarë në vitin 2015. Kur vendosën të krijonin ZenBusiness, kaluan rreth 10 muaj duke studiuar tregun dhe duke folur me dhjetëra sipërmarrës për sfidat e tyre kryesore rreth përputhshmërisë ligjore.
Lexo edhe:Ekspertët paralajmërojnë: “Superinteligjenca” artificiale mund të zhdukë njerëzimin
“Mësoni nga klientët përmes intervistave të vazhdueshme”
Hemmati thotë se që në fillim ata kishin parashikuar të ndërtonin një software që ndihmon bizneset e vogla të menaxhonin dokumentacionin ligjor. Problemin e kishin parë vetë në përvojën e tyre, por e mbështetën edhe me të dhëna publike që tregonin se ishte një pengesë e përhapur për sipërmarrësit. Fillimisht, kishin menduar t’ia ofronin shërbimin bizneseve ekzistuese. Por pas bisedave me klientët potencialë, e kuptuan se duhej ta fokusonin tek sipërmarrësit e parë herë, të cilët hasnin më shumë vështirësi me procedurat ligjore të ndërlikuara. “Folëm me rreth 50 deri në 100 klientë potencialë për të kuptuar se çfarë u duhej më shumë, nga ndihma për hapjen e kompanisë deri te përputhshmëria dhe shërbimet për rritje,” tregon ajo. “Bëmë teste, prova me paketa dhe çmime të ndryshme, ndërtuam faqe interneti dhe madje rimbursuam disa regjistrime të hershme, vetëm për të parë çfarë tërhiqte vëmendjen e njerëzve dhe për çfarë ishin të gatshëm të paguanin.” Kjo strategji u tregua vendimtare, duke i dhënë atyre besimin dhe njohuritë e duhura për të nisur biznesin. Për më tepër, klientët që ishin përfshirë në procesin që në fillim, kishin më shumë gjasa të mbeteshin besnikë ndaj shërbimeve të ZenBusiness. Sot, kompania ka ndihmuar mbi 850,000 biznese të vogla. Mesazhi kryesor për sipërmarrësit e rinj, sipas saj: çdo ide biznesi duhet testuar dhe hapi i parë është gjithmonë kërkimi i tregut dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me klientët. “Filloni duke pasur komunikim dhe bashkëpunim, intervistoni vazhdimisht klientët potencialë dhe mësoni jo vetëm se cili është produkti që duan, por edhe si duhet ta ndërtoni atë,” thotë Hemmati.
“Nëse nuk je i gatshëm të ndryshosh, dështimi është i sigurt”
Steve Blank, autor dhe sipërmarrës i njohur që jep mësim në Universitetin Stanford, e përforcon të njëjtin mesazh: moskërkimi paraprak i klientëve është një “gabim fatal” që e dëmton biznesin para se të fillojë. “Pyetja më e rëndësishme është: ‘Kush janë klientët e mi?’ Dhe e dyta: ‘Çfarë duan ata?’” tha Blank. “Nuk është: ‘Ja çfarë po ndërtoj. A mund ta shes këtë dikujt?’” Por, ai shton se reagimet vlejnë vetëm nëse sipërmarrësi është i hapur për të dëgjuar dhe për t’u përshtatur. “Nëse nuk mund të ndryshosh drejtim shpejt, gjasat janë që të dështosh,” ka shkruar Blank. Edhe Hemmati bie dakord: “Ka një ndryshim të madh mes atyre që mendojnë se e dinë saktësisht si ta bëjnë diçka dhe atyre që janë vërtet të hapur për të parë opsionet. Ky mentalitet shpesh bën diferencën mes suksesit dhe dështimit.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto