Në emisionin e TV Skan, “Profil” me Suela Demiri, Gerti Boshjaku, bashke themelues i New Media dhe drejtues i Businessmag.al ka folur për rrugëtimin e tij në sipërmarrje dhe parimet që e kanë udhëhequr.
Lexoni intervistën e zhvilluar në emisionin “Profil”
Çfarë është e rëndësishme në zhvillimin e një biznesi?
Me kalimin e viteve kam kuptuar rëndësinë e bashkëpunimit në grup. Ka qenë ky një faktor, i cili më ka shtyrë të besoj tek arritja e objektivave nëpërmjet punës në ekip. Sot nuk është e rëndësishme vetëm të kesh ide, por është e rëndësishme që këto ide t’i përkthesh në realizim, të punosh që ato të marrin formë. Jetojmë në një epokë digjitale dhe kur flas për epokë digjitale, flas për një epokë e cila na është vetëofruar për ta bërë jetën tonë më të thjeshtë dhe për të na dhënë pafund mundësi. Janë një sërë projektesh, startup, ide risi, të cilat mund t’i realizosh falë afërsisë që ka bërë interneti mes ideve dhe kapacitetit.
Ka qenë kjo si të thuash një ndër arsyet, qe edhe unë aso kohe i pata thënë vetes: ‘Ti nuk ke nevojë veteëm për ide, por duhet të kuptosh si do t’ia dalësh për ti sjellë ato në jetë’. Shpesh i bëja pyetje vetes: sa e mundur është që një njeri të bëjë disa gjëra në të njëjtën kohë? Dhe shembuj të tillë shihja plot. Kjo më bënte skeptik nëse, ia dalin këta të fundit të jenë plotësisht cilësorë në atë që bëjnë dhe si e ruajnë fokusin.
Është ky një tregues që të mësosh me shumë, të mësosh nga personazhe të sukseshëm, se cila ka qenë forma e tyre më e mirë që ia kanë dalë. Pas gjithë kësaj, kupton që gjërat nuk mund të bëhen vetëm. Duhet një ekip dhe duhen mjete, sisteme të cilat punojnë në një rend për një qëllim të përbashkët.
Cili është formimi juaj akademik, për t’iu rikthyer edhe njëherë viteve kur mori jetë pasioni juaj?
U ktheva tashmë pas në kohë. Unë jam brez i veteve para 90′ dhe kam lindur në Tiranë. Kujtoj që në kohën kur duhet të aplikoja për të studiuar në arsimin e lartë duhet të futesha në konkurs, provim si edhe kriter ishte shtesë edhe mesatarja. Mendoj që ka qenë një praktikë cilësore, por nga ana tjetër, nuk ka pasur një orientim të qartë të asaj që duhet të zgjidhnim. Shkova tek ekonomia pasi matematikën e kisha pikën time të fortë. Gjatë vite të studimit kuptova që duhet të jemi pjesë e një ekonomie tregu dhe jo të centralizuar si më parë, ndaj filluan ëndrrat e para për biznes dhe sipërmarrje. Dega më e mirë për t’i ushqyer këto ëndrra ishte ekonomik dhe menaxhim biznesi. Pata fatin në ato kohë që pas studimeve të larta të filloja punë në një kompani që tregtoheshin kompjutera. Ka qenë takimi i parë me këto pajisje që më dha sinjalet e para pasi në ato vite, në 2001, nuk kishim të gjithë mundësi për të pasur afër teknologjinë në hapat tanë të përditshëm. Aty mësova, jo vetem si të përdor internetin për informacion, por edhe për të kuptuar çfarë ndikimi kishte ai në jetët tona.
Ju keni ditur të bëni përzgjedhje të mençur, e keni përdorur siç duhet këtë mundësi?
Po, mendoj që ka qenë një mundësi e mirë për të shfrytëzuar çastin dhe momentin. Nuk e kam nisur menjeherë një biznes, por kam pritur që t’i kaloj shkallët një e nga një dhe duke i ngjitur hapat siç duhet, sipërmarrja bëhet më e thjeshtë. Kam lëvruar në disa fusha dhe kam pritur që të arrij disa gjëra që të plotësojnë ciklin e plotë të përmbushjes së aftësive. Por, në thelb në brendësine time e dija se ku do shkoja pas disa vitesh, pra mendoj se kisha një vizion. Doja të punoja fort që më pas të ndërtoja diçka që më përkiste mua. Kam pritur për një hark kohor për më shumë se 7-8 vite, të cilat me formësuan si njeri, diku në media, në shitje, në marketing, etj. Ky ishte hapi im i parë drejt përgatitjes. Hapi tjetër ishte, momenti për të dalë më vete. E thashë më lart që është tepër sfiduese që gjërat t’i bësh vetë, ndaj mu desh një shtytje nga dikush tjetër, një mik në familjen time i cili kishte nivel të lartë kreativiteti ndërsa unë po ashtu kisha përfunduar një cikël dyvjeçar në një kompani reklamash, që më ndihmoi shumë të krijoja rrjetëzim. Vijoja të punoja diku tjetër, për dikë tjetër, ndërkohë e dija edhe vetë që kisha kapacitet për të bëra gjëra të tjera. Pas një bisede me këtë mikun tim fillova të ndërtoja diçka timen.
Cilat janë dimensionet e kompanisë suaj?
Janë disa kompani njëherësh që kanë profile të ndryshme. Njëra prej tyre është Marketingu & PR dhe tjetra është një kompani që ndërton softuer/website dhe apliokacione në internet. Janë tepër të lidhura së bashku pasi atë që krijojmë nëpërmjet Zhvillimit të Platformave Online, duhet edhe ta marketojmë në një treg fizik dhe online.
Përpara se të krijoja kompaninë isha në kulmin e karrierës. Të gjithë me donin për punën që bëja dhe me vlerësonin por ende kisha një dilemë tek vetja ime. A duhet të beja hap personal dhe të nxisja iniciativë individuale? Kisha shumë njerëz në rrethin tim, të cilët ishin skeptikë për vendimmarrjen time, por kishte edhe të tjerë, të cilëve unë u besoja që më shtynin ta bëja si hap, sepse besonin tek unë dhe kapaciteti im. Isha i qartë që puna në të cilën ndodhesha ishte shumë e mirë, por po kërkoja diçka tjetër. Duke u menduar për formën më të mirë se si të hapja një biznes ishte të rrija edhe i punësuar diku edhe të filloja një biznes paralelisht. Është një rrugë e shkelur nga shumë njerëz. Unë testova ambicien time, nëse kjo ishte ajo që doja; të kisha mundësi të kuptoja a do ta përballoja presionin dhe më besoni sakrifikova shumë, duke nisur nga gjëja më e shtrenjtë që kemi: koha.
Lexo: Sa % e ndot industria e modës mjedisin?
Gjithmonë kam pasur me vete një bashkëpunëtor, një partner i cili më ka suportuar. Ndërsa prita një vit që të testoja aftësitë e mia, kuptova që gjatë këtij viti unë kisha mësuar shumë. Orë të gjata punë, unë ikja paradite në punën si i punësuar, më pas vija në biznesin tim si i vetëpunësuar e me rradhë në vazhdim cdo ditë. Nga i punësuar në i vetëpunësuar për gati një vit rresht që të kisha mundësi të kuptoja se sa e përballoja një biznes.
A jeni ju i lumtur për zgjedhjet që keni bërë? Mendoni shpesh nëse ka qenë hapi i duhur?
Unë nuk di të them me bindje se kam bërë apo jo mirë, por nëse do kthehesha sërish në ato vite, do të bëja të njëjtën gjë. Jam me parimin që së pari, zgjedhjet duhet të jenë në funksion të ndjesive. Ato duhet të na plotësojnë ne fillimisht, më pas të tjerët rreth nesh, apo të kenë një funksion tjetër. Suksesi duhet të jetë intim, një marrëdhënie që t’i e ndërton me veten dhe zgjedh të gëzosh për çfarë arrin. Ka njerëz, të cilët janë tepër të angazhuar, bëjnë shumë punë për vete apo dikë tjetër por nuk janë të lumtur sepse nuk është puna e ëndrrave të tyre. Sepse nuk e kanë zgjedhur ata të jenë aty për të bërë atë që janë duke bërë. Ndryshe ka ndodhur me mua.
Ju në fakt nuk keni parë vetëm në nivel individual. Sipërmarrjen e keni shtrirë në të shumtën e rasteve edhe në kauza apo sipërmarrje që ndikojnë në jetën sociale të njerëzve?
Po, sepse ndikimi tek të tjerët ka qenë një parim që në vitet e studimit. Ndikimi pozitiv tek jeta e të tjerëve për të ndryshuar diçka dhe vlera e ofruar, duhet të jenë qëllimet e një sipërmarrësi. Gjërat nuk bëhen vetëm për vetëkënaqësi.
Të gjithë njerëzit që duan të ndërtojnë një profil, një vlerë në shoqëri për të qëndruar gjatë në këtë treg, duhet të jenë afër publikut me iniciativa. “Brand-i nuk është thjesht një logo e shkruar bukur tek dera e zyrës, por është një përmbledhje e qëllimit dhe vlerave”.
Si natyrë kam dashur përherë të bëj disa gjëra në të njëjtën kohë, të jem në vende të ndryshme njëkohësisht, por duke mos ndryshuar atë që jam. Jemi të njëjtët njerëz në çdo rrethanë.
Një vlerë e jona si kompani është që të ndërtojmë produkt shumë shpejt, në një kohë rekord, por nga ana tjetër u jap shumë vëmendje startup-ve, sepse ajo janë idetë e reja që e mbajnë shoqërinë gjallë. Përpiqem shpesh të stimuloj njerëz drejt sipërmarrjes. Sa me shumë startupe aq më shumë produkte dhe ky është një zinxhir që ndikon tek të gjithë ne. Deri në vitin 2015 unë nuk e njihja këtë botë, por tani mendoj dhe besoj që kam bërë diçka shumë pozitive në zgjedhjet e mija.
Ka qenë një numër i lartë njerëzish, të cilët tentuan t’iu ndalin përbri kësaj zgjedhjeje, çfarë ju thua atyre tani?
Asgjë , sepse kjo është idea e masës. Të orientojnë të kesh një punë, e cila të jep siguri. Por, ka një paradoks këtu, pasi çfarë është e sigurt tani nuk është sigurt më vonë. Ne jetojmë një epokë të pasigurt dhe çdo gjë është perceptim. Kanë falimentuar banka të mëdha botërore dhe kanë ndodhur gjëra që as nuk i kemi menduar. Ndaj them shpesh që, guximi është një nga hapat që të rrit si njeri, pasi bota do jetë gjithnjë një terren i pasigurt.
Tani jam në fazën që e kuptoj se si duhet të jenë gjërat. Nuk më duhet as kohë as mund për ta kuptuar këtë gjë. Dua thjesht që atë grupin e vogël të njerëzve që mbështet idetë e reja të sipërmarrjes ta rris, ta bëj një grup më të madh. Nuk mund të pretendojmë në një epokë kaq interactive, të synojmë një vend pune të sigurt dhe një pension në fund. Ka ardhur realisht koha që të japim modele pozitive të kësaj zgjedhje.
Sipërmarrja është modeli që duhet të trumbetohet dhe jo një punë e qetë dhe pa prespektivë në shtet, e cila nuk të jep asgjë madje as të nxit të kuptosh aftësitë e tua. Imazhi i biznesmeneve në Shqipëri është pak i rëndë dhe i pavërtetë, në kuptimin që është abuzuar rëndom me figurën e tij, por le të bëhemi bashkë për të thyer mitet e një periudhe, e cila tashmë ka ikur.
Kur ka lindur “New Media”?
New Media ka ardhur më vonë, pavarësisht që është punuar herët për të. Jemi krijuar më 2011, por puna ime ka filluar që në 2006-2007. Unë lashë më pas të gjitha punët e tjera dhe u fokusova tek sipërmarrja, sepse duhet ta vendosësh me veten: të jesh i fokusuar apo i përhapur në disa gjëra, që je duke i bërë gjysma – gjysma .Në momentet e para unë i duhesha kompanisë sime 150%, me kohën time ndaj duhet të lija gjithçka, ndërsa në fazën ku jemi tani, ku kemi sisteme dhe procese të mirë përcaktuara duhet më pak prania ime për të vijuar me punën. Ndryshe ishte në atë kohë kur duhet të bëja gjithçka për të ngritur një filiz të sapo çelur.
Në vitin 2011, ne u bëmë një grup i madh, shumë i madh që vetëm krijonim fushata komunikimi dhe të eksperimentonim produkte në internet. Këtu ndodhi një tjetër ngacmim, ishin vitet kur rrjetet sociale ishin në kulmin e tyre. Ne përqafonim gjithçka të re që dilte. Kemi ndërtuar një numër të madh portalesh sepse e theksova, ishim në kohën kur interneti dhe mediat sociale ishte në kulm të lulëzimit. Kemi ndërtuar një portal që ne si grup pune u ndjemë shumë të lumtur pasi e pamë veten në 10 portalet me të mirë të ndërtuar aso kohe. Aty kuptuam çfarë duhet të bënim dhe nga të orientonim busullën tonë drejt suksesit. Filluam të kërkojmë staf që ndihmonte në krijimin e software, pra ishte një grup që punonte me marketingun dhe një tjetër që prodhon/zhvillon. Me kalimin e kohës u rritëm aq shumë në ndarjet respektive, saqë u krijua nevoja për ndarje në dy kompani të ndryshme me dy fokuse; Zhvillim Platforma Software dhe Marketing.
Cila është shtrirja e veprimtarisë tuaj?
Nëse kjo pyetje do të më vinte disa vite më parë unë do të thoja qe kemi fokus Shqipërinë dhe pak vendet e huaja. Ndëra tani që flasim çdo gjë ka ndryshuar. Ne jemi shumë të përhapur në sferën ndërkombëtare. Punojmë për vende të ndryshme të botës. Pas pandemisë, u fut shumë në lojë edhe pjesa e shitjes e-commerce. Ndaj, pas vitit 2018 kemi ndërtuar shumë platforma që bëjnë të mundur shitjet online dhe jemi specializuar në zhvillimin e Websiteve të Ecommerce. Në internet tashmë mund të bësh gjithçka. Besoj që jemi një nga kompanitë më të sukseshme të fokusuar në e-commerce në vend dhe në rajon me zgjidhjet që ofrojmë për shumë kompani në Europë dhe në botë.
Një ndikim shumë të madh që ju keni dhënë është edhe krijimi i konferencave ndërkombëtare, falë organizimeve tuaja.
Nëse më parë unë dhe ekipi ynë donim të përthithnim më shumë informacione, duhet të shkonim diku për ti gjetur ato, ndërkohë tani informacioni është ai që jeton me ne. Për ta thjeshtuar, për të mësuar më shumë, unë duhet të shkoja tek një konferencë në Maqedoninë e Veriut , siç është All Web. Kjo gjë nuk ndodhte në Shqipëri. Biseduam me organizatorët dhe menduan që do të ishte dhe rezultoi të ishte shumë mirë të zhvillohej edhe në Shqipëri. Që prej vitit 2016, në një ditë të vetme ne sjellim të gjithë ekspertët e industrisë së Marketingut & Inovacionit dhe këtë gjë nuk arrin ta realizosh shumë lehtë nëse nuk je duke kërkuar më shumë prej vetes.
Subjekte të mëdha biznesi marrin aty gjithçka që u duhet, sa u përket hapave që vetë teknologjia apo marketingu po ndërmerr. Tashmë është kthyer në traditë ky event nëpërmjet të cilit kemi një shkëmbim dinjitoz vlerash. Unë vijoj të jem partizan i vlerave që duhet të përhapim në shoqëri.
Përpos gjithë angazhimeve tuaja ju keni ndërtuar edhe një revistë e cila vjen njëherë në tre muaj, Business Magazine!
Po, revista ka një ndikim të madh në jetën time. Vetë puna në këtë revistë, jo vetëm për mua, por edhe për grupin e punës i ka bërë ata të ndryshojnë qasjen dhe mënyrën se si i shohim gjërat.
Vetë revista, ka lidhje me gjithçka që rrëfeva sot. Në vitin 2015 unë e përmenda që ato vite ne kishim një portal (infoalbania.al për ata që e kujtojnë), por nuk kishim eksperiencë në gazetari, thjesht kuptuam që po ecte mirë. E rritëm, e kuruam por nuk kishim një vizion të qartë dhe përvojën e duhur për ta cuar drejt suksesit. Pra, ne po e mbanim atë për inerci derisa kuptuam që çdo gjë po shkonte drejt dështimit.
Mirëpo në këtë portal ishte një dritare që ofronte materiale për biznesin, e cila ishte më e preferuara për mua. Dhe çfarë bëra?! Përmblodha gjithë materialet që ishin aty ndër vite dhe krijova një revistë të vogël ose më mirë katalog me këto materiale dhe zgjodha që fillimisht këtë ta ndaj me miqtë e mi në LinkedIn. Nisa t’i dërgoja në postë elektronike për cilindo, duke kërkuar edhe përshtypje prej tyre për të kuptuar nëse ishte ose jo diçka pozitive.
Nga 3 mijë dërgesa më pas unë kam qëndruar një javë që t’iu ktheja përgjigje të gjithëve, sepse reagimi i njerëzve ishte i jashtzakonshëm. Ata e përqafuan këtë ide dhe na nxitën për të bërë hapin tjetër. Unë ende edhe sot i kam të ruajtura mesazhet që më dërguan për revistën, sepse shumica e tyre janë të mbushura me motivim dhe energji pozitive.
Më pas e testova për disa muaj, derisa ndërtova një platformë dhe u dedikova tërësisht. Ne e themi shpesh: audienca na ka orientuar drejt krijimit të kësaj reviste. Ata donin të lexonin materiale që nuk i gjenin në hapësira të tjera mediatike. Ne krijuam atë që lexuesit tanë na e kërkuan.
Dhe ja ku jemi: më të rritur se kurrë. Me kalimin e kohës jemi bërë zëri i sipërmarrjeve të reja, të cilat rriten dhe zhvillohen në vendin tonë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.