Brezi Generation Z shpesh etiketohet si më i brishtë, më i stresuar dhe më i pasigurt se brezat e mëparshëm. Por sipas psikologes së zhvillimit nga Harvard University, Alexis Redding, realiteti është më kompleks, të rinjtë nuk janë domosdoshmërisht më të dobët, por shpesh ndihen më të vetmuar në përballjen me sfidat e jetës.
Lexo gjithashtu: Një “pyll” i fshehur në fund të Mesdheut po lufton ndryshimet klimatike, por ankorat e anijeve po e shkatërrojnë
Studimet tregojnë se shumë të rinj raportojnë më shumë probleme të shëndetit mendor dhe pasiguri në tregun e punës. Megjithatë, sipas Redding, një pjesë e madhe e problemit lidhet edhe me mënyrën se si brezat më të rritur tregojnë historitë e tyre.
Në një studim të realizuar me studiuesen Nancy Hill, u analizuan intervista me studentë të viteve ’70 dhe më pas të njëjtët persona u intervistuan sërish pas 50 vitesh. Rezultati ishte befasues: kur kujtonin të kaluarën, ata flisnin për vendime të sigurta dhe rrugë të qarta drejt suksesit.
Por regjistrimet e vjetra tregonin diçka tjetër: edhe ata kishin qenë të pasigurt, të frikësuar dhe shpesh të vetmuar, njësoj si studentët e sotëm.
Ky fenomen lidhet me atë që psikologjia e quan “peak-end rule”, ku njerëzit kujtojnë momentet më intensive dhe fundin e historisë, ndërsa pjesa e vështirë në mes harrohet.
Sipas Redding, kjo krijon një problem të madh për të rinjtë: kur dëgjojnë vetëm historitë e suksesit, ata fillojnë të mendojnë se janë të vetmit që po hasin vështirësi.
Për të ndihmuar brezin e ri, psikologia sugjeron disa qasje të thjeshta nga të rriturit:
-
Mos përdorni narrativën “këta të rinjtë e sotëm”. Kujtoni si ndiheshit ju kur u përballët për herë të parë me dështimin apo refuzimin.
-
Dëgjoni më shumë dhe flisni më pak. Pyetini të rinjtë për frikërat dhe shqetësimet e tyre përpara se t’u jepni këshilla.
-
Ndani edhe sfidat tuaja aktuale. Të rinjtë kanë nevojë të shohin se edhe të rriturit ende përballen me probleme.
-
Mos fshini “pjesën e vështirë të historisë”. Tregoni jo vetëm suksesin, por edhe momentet e pasigurta që keni kaluar.
Sipas ekspertëve, kur të rriturit tregojnë historitë e tyre në mënyrë më reale dhe të sinqertë, krijohet një lidhje më e fortë me të rinjtë dhe ata ndihen më pak të vetëm në rrugën e tyre drejt së ardhmes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto