Gazsjellësi TAP, 14 milionë euro për përgjegjësinë sociale në Shqipëri - Business Magazine Albania

Gazsjellësi TAP, 14 milionë euro për përgjegjësinë sociale në Shqipëri


Zonat e banuara, ku kalon gazsjellësi TAP, po përfitojnë nga programi i përgjegjësisë sociale të projektit ndërkombëtar. Nga rehabilitimi i tokës bujqësore, rregullimi i kadastrës së tokave, deri tek siguria në rrugë (program që pritet të futet edhe në shkolla), projektet sociale e mjedisore për këtë vit kapin vlerën e 7.5 milionë eurove në Shqipëri, ndërsa për gjithë kohën e implementimit të projektit investimi pritet të arrijë në 14 milionë euro.

Intervistë me Menaxherin e Investimeve Sociale dhe Mjedisore në Shqipëri, Gentian Selmani

1. Sa është fondi i përcaktuar për investime në dobi të komuniteteve nga TAP  dhe sa është shfrytëzuar deri me tani?

Paketa e investimeve sociale dhe mjedisore e TAP parashikon të realizoje projekte në dobi të komuniteteve me një vlerë totale prej 14 milionë euro. Përveç kësaj pakete, janë parashikuar një komponent për  përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe një komponent për mbështetjen e zhvillimit të tregut të brendshëm të gazit në Shqipëri.

Lexoni: https://businessmag.al/sa-ka-ecur-projekti-tap/

Zbatimi i investimeve sociale dhe mjedisore të TAP ka filluar në vitin 2016. Aktualisht janë identifikuar më shumë se 40 projekte në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe qendrore, të cilat tashmë janë miratuar. Disa prej tyre, rreth 19, tashmë janë zbatuar dhe pjesa tjetër do të zbatohet në vitet në vijim. Vetëm gjatë vitit 2017 TAP ka investuar në Shqipëri afërsisht 2.5 milionë euro në projekte sociale dhe mjedisore.

2. Ku do të jetë fokusi i Investimeve Sociale dhe Mjedisore në vitin 2018?

Në vitin 2018 TAP do të vazhdojë të investojë në projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës. Bëhet fjalë për projekte sociale dhe mjedisore me vlerë të përafërt 7.5 milionë euro.

Gjatë vitit 2018 do të rindërtohen tërësisht ose do të ndërtohen nga e para 7 godina shkollash dhe kopshtesh në Bashkitë e Beratit, Urës Vajgurore dhe Çorovodës. Godinat e rindërtuara përveçse do të ofrojnë kushte krejtësisht moderne do të pajisen edhe me dalje sigurie dhe sistem kundra zjarrit.

Fusha e bujqësisë do të jetë në fokus të investimeve sociale dhe mjedisore të TAP për vitin 2018. Deri më tani janë rreth 8 projekte të miratuara implementimi i të cilave do të fillojë këtë vit. Bëhet fjalë për projekte si rehabilitimi i sistemeve të ujitjes dhe kullimit në Devoll, Berat, Urë Vajgurore, Skrapar dhe Fier. Sistemimi i infrastrukturës bujqësore do të ketë ndikim të menjëhershëm në prodhimin bujqësor të zonave pranë gjurmës së gazsjellësit të TAP. Rritja prodhimit bujqësor rrjedhimisht do t’u sigurojë të ardhura më të shumta për fermerët duke përmirësuar nivelin e jetesës në këto zona.

Por TAP nuk do të ndihmojë vetëm në rritjen e prodhimit por edhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për tregtimin e këtyre produkteve. Gjatë këtij viti, TAP do të investojë në ndërtimin e tregjeve për prodhimet e freskëta bujqësore dhe blegtorale në Fier dhe Korçë. Tregjet janë një ndihmë për banorët e qyteteve, të cilët do të kenë mundësi të blejnë në kushte shumë të mira produktet e freskëta bujqësore, por edhe për vetë fermerët që do të kenë një hapësirë më shumë për të shitur prodhimin e fshatit në qytet.

Nisur nga nevojat e vjetshme në përballimin e emergjencave me zjarret, gjatë vitit 2018 TAP po vlerëson mundësinë për të ofruar përsëri mbështetje për institucionet shqiptare nëpërmjet sigurimit të një numri makinash zjarrfikëse që mund të aksesojnë edhe terrenet e vështira malore. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë lufta ndaj i zjarreve dhe dhënia e ndihmës së parë.

Ashtu si edhe gjatë vitit 2017, TAP do të shqyrtojë mundësinë e zbatimit të projekteve që nxisin rritjen e punësimit, arsimin profesional, trashëgiminë kulturore, përkujdesjen ndaj mjedisit, etj. Për më tepër, në thuajse të gjitha projektet pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP janë përzgjedhur kontraktorë dhe nënkontraktorë shqiptare.

Përveç projekteve që tashmë janë miratuar, përfaqësuesit e TAP-it janë në dialog të vazhdueshëm dhe të hapur me komunitetet lokale si edhe të gjitha nivelet e qeverisjes për të zhvilluar projekte të përbashkëta që mbështesin zhvillimin e komuniteteve.

3. Kompani të ndryshme kanë përqasje të ndryshme karshi përgjegjësisë dhe kontributit social në shoqëri. Si e shikon TAP përgjegjësinë sociale?

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka zgjedhur të funksionojë në përputhje me parimet e EBRD dhe IFC në të gjithë aspektet e tij. Si rrjedhojë, investimet sociale dhe mjedisore të TAP janë pjesë e një kuadri më të gjerë se si funksionon një korporate e përgjegjshme nga pikëpamja sociale. Sigurimi i tokës për ndërtimin e tubacionit dhe rikthimi i saj në gjendjen fillestare, mbrojtja e mjedisit, ruajtja e trashëgimisë kulturore, mekanizmi i ankesave, etj. janë pjesë e këtij kuadri të gjerë të të vepruarit në mënyrë të përgjegjshme.

Programi i Investimeve Sociale dhe Mjedisore i TAP paraqet një paketë të gjerë përfitimesh për komunitetet pranë gjurmës së gazsjellësit. Investimet sociale dhe mjedisore identifikohen në koordinim me qeverisjen qendrore dhe ato lokale. Këto investime janë të organizuara në katër fusha kryesore:

  • Përmirësimi i cilësisë së jetës së komuniteteve vendase, duke u përqendruar në rehabilitimin e shkollave, kopshteve, ujësjellës-kanalizime etj.
  • Ngritja e kapaciteteve në sektorë me rëndësi për komunitetet e përshkuara nga TAP-i
  • Përmirësimi i mjeteve të jetesës dhe të ardhurave, duke u përqendruar kryesisht në nismat në bujqësi, mjedis etj.
  • Donacionet dhe reagimi ndaj emergjencave

Natyrisht, tek paketa e investimeve sociale dhe mjedisore e TAP nuk llogariten përfitime të tjera të tërthorta për komunitetet vendore. Si rezultat i zhvillimit të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP ka ndikuar në rritjen e  punësimit, përmirësimin e kadastrës ligjore, përmirësime të infrastrukturës së ndikuar gjatë ndërtimit apo përfitime ekonomike për bizneset përgjatë gjurmës së gazsjellësit.

4. Cilat janë disa nga projektet SEI të zbatuara tashmë nga ju në Shqipëri në vitin 2017?

Investimet sociale dhe mjedisore të TAP gjatë vitit 2017 u përkasin fushave të ndryshme dhe kanë një gjeografi shpërndarje që prek thuajse të gjitha komunitetet pranë gjurmës se gazsjellësit. Madje disa projekte janë zhvilluar edhe në nivel kombëtar. TAP ka investuar në përmirësim infrastrukture, në fushën e edukimit dhe ka ofruar ndihmë për të përballuar emergjencat natyrore.

Në investimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës mund të përmendim rikonstruksionin total të tri shkollave, në Bashkitë e Devollit, Roskovecit dhe Fierit. Falë këtij investimi mbi 1’300 nxënës tani mund të studiojnë në ambiente të reja, moderne, të mobiluara dhe shumë më të sigurta. Të tre shkollat ​​janë rikonstruktuar dhe pajisur me sistem alarmi ndaj zjarrit dhe shkallë emergjence.

Investimi për rehabilitimin e urës në Çorovodë e ka transformuar atë nga një urë me një korsi në një urë me dy korsi duke lehtësuar kalimin e banorëve drejt spitalit të qytetit dhe turistëve drejt kanioneve të lumit Osum.

Një investim tjetër është ndërtimi i Ujësjellësit të Mbrostarit në Fier, i cili do të përfundojë në muajt e parë të vitit 2018. Ky ujësjellës do të sigurojë ujë të pijshëm për mbi 11,000 banorë të 7 fshatrave në zonë.

TAP dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) bashkëpunuan për të ndërtuar dy platforma moderne panoramike mbi kanionet e lumit Osum, pranë qytetit të Çorovodës. Platformat panoramike i ofrojnë vizitorëve një pamje më të bukur të kanionit dhe njëkohësisht më të sigurt. Rreth 15’000 turistë çdo vit vizitojnë kanionin.

Këtë vit Korça dhe Shqipëria do të kenë një muze kushtuar fotografit të famshëm me origjinë shqiptare, Gjon Milit. TAP ka marrë përsipër realizimin e një investimi të plotë për të rehabilituar plotësisht godinën ku do të vendoset muzeu i “Gjon Milit” në Korçë.

Shkolla e mesme e Çorovodës, ku mësojnë rreth 600 nxënës, tashmë është pajisur me sistem ajrimi të kondicionuar. Ky investim i TAP do të mundësoje rregullimin e temperaturës në ambientet e shkollës si në dimër ashtu edhe në vere.

Si pjesë e investimeve në infrastrukturë janë edhe 36 stolat e prodhuar nga Muzeu Quartier i Vjenës që i janë dhuruar Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej” në bashkëpunim me Raiffeisen Bank.

Përsa i përket investimit në edukim, ndërgjegjësim dhe ngritjen e kapaciteteve, vëmendje i është kushtuar ndërgjegjësimit të komuniteteve për sigurinë në rrugë, duke qenë të vetëdijshëm se kjo është një nga çështjet më kritike në Shqipëri. Nëpërmjet këtij projekti mbi 8’000 nxënës, mësues dhe banorë të komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit u informuan dhe u trajnuan mbi sigurinë rrugore. Për më tepër, po punohet me Ministrinë e Arsimit për të përfshirë në kurikulat arsimore lëndë mbi sigurinë rrugore.

TAP tashmë po prezanton thirrjen e tretë të Programit të Praktikave profesionale. Për një periudhe prej gjashtë muajsh, një grup studentësh të talentuar kanë mundësinë të punojnë në departamentet kryesore të projektit TAP dhe të marrin përvojë nga profesionistët më të mirë të industrisë së energjisë.

Një tjetër investim i TAP për zhvillimin e edukimit është Mobilimi i Bibliotekës së qytetit Berat dhe sigurimi i një fondi të konsiderueshëm librash. Punimet priten të përfundojnë muajt e parë të vitit 2018. Pas shumë vitesh qyteti i Beratit do të ketë përsëri bibliotekën e qytetit si një hapësirë për leximin dijen dhe për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

Viti 2017 ka qenë një vit relativisht i vështirë për familjet shqiptare që banojë në zonat rurale. Moti nuk i ka kursyer momentet e vështira dhe në këto raste TAP ka mundur të ofrojë në kohë ndihmë.  Gjatë verës së vitit të shkuar, TAP u dhuroi autoriteteve shqiptare 600 pompa shpine për fikjen e zjarrit dhe 100 uniforma zjarr-duruese për të përballuar emergjencën me zjarret që përfshinë shumë pyjet.

Gjatë muajit nëntor të vitit 2017 TAP ndihmoi fermerët që u prekën nga shirat përmbytës. Rreth 200 ton ushqim për kafshët iu dhuruan fermerëve në Bashkinë e Fierit për të mbajtur gjallë bagëtitë. Po në nëntor 2017, TAP u bashkua me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në pastrimin e mbeturinave përgjatë lumit Osumi. Nisma përfshinte edhe thellimin e shtratit të lumit dhe u zhvillua në kuadër të fushatës së fushatës “Ne e pastrojmë Shqipërinë që duam”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0