Fushata më e guximshme e vitit 2018 erdhi nga Nike - Business Magazine Albania

Fushata më e guximshme e vitit 2018 erdhi nga Nike


Marketingu ka të bëjë me vlerat që kompania beson, shprehej Steve Jobs. Dhe strategjia e komunikimit të vlerave bën diferencën.

Një nga shembujt më të suksesshëm të strategjisë së marketingut është fushata e fundit e Nike, me mesazh marketingu të qartë e të guximshëm, i cili mishëron sloganin e tyre “Just do it” në veprim.

Shprehja që kanë zgjedhur në foto është vlera kryesore që përfaqëson marka. Me këtë synon të bëjë bashkë filozofinë e njerëzve të guximshëm, e të tundojë ndjekësit dhe aspirantët guximtarë t’i bashkohen Nike.

Spotin e fushatës mund ta shikoni në këtë video:

https://www.youtube.com/watch?v=Fq2CvmgoO7I&feature=youtu.be

/Artikulli u publikua më parë në faqen 6 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Si u perceptua kjo fushatë nga mediat globale?

Ndryshe nga shumë media e personalitete publike që komunikuan se kjo fushatë kontraversale me personazhin kryesor lojtarin e NFL Colin Kaepernick, do të kishte një impakt negativ drastik për aksionet e kompanisë, ndodhi krejt e kundërta.

Impakti i fushatës ishte një sukses i madh për Nike dhe doli se ishte një strategji e zgjuar. Pas fushatës, Nike pati rritje të shitjeve. Pjesa më e madhe e klientëve të rinj e mbështetën në masë, dhe si rezultat vlera e kompanisë në treg u rrit me mbi 6 miliardë dollarë. (Shiko artikullin: https://yhoo.it/2pvv7GX )

Siç njoftoi edhe CBS News, vlera e tregut të Nike është rritur rreth 6 miliardë dollarë që kur kompania filloi fushatën me personazhin Kaepernick – që shkaktoi polemika si nxitës i protestave nga lojtarët e NFL kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë. Ai u shfaq si imazhi kryesor i kësaj fushate provokuese, fushatë me ndikim të fortë tek klientët, komunitetet dhe politika.

“Fushata me Colin Kaepernick ishte një goditje gjeniale,” shprehet Camilo Lyon, një analist në kompaninë e shërbimeve financiare Canaccord Genuity. Kjo lëvizje e paramenduar ishte një shenjë tjetër delikate, por e rëndësishme e forcës dhe besimit të Nike në pozitën e saj në treg. (Shiko: https://cnb.cx/2Mj3FFi)

Pas suksesit të fushatës, media filloi ta quante Colin Kaepernick si njeriu që i solli 6 miliardë dollarë Nike. ( Shiko: https://cbsn.ws/2DlYZiT )

Kush ishte Colin Kaepernick dhe si u bë ai personazhi kryesor i fushatës?

Kaepernick ka qenë një figurë polarizuese që nga viti 2016, kur si një lojtar për San Francisco 49ers, ai refuzoi të qëndronte në këmbë gjatë himnit kombëtar në shenjë proteste kundër politikave të Donald Trump. Në fillim ai qëndroi ulur, më vonë uli njërin gju të tij. Ai u shpreh se, protesta e tij kishte për qëllim të tërheqë vëmendjen për vrasjet e afrikano-amerikanëve nga policët dhe padrejtësitë e tjera që po u bëhen minorancave etnike nga qeverisja dhe politikat e presidentit Trump. “Unë nuk do të qëndroj në këmbë për të treguar krenari për flamurin e një vendi që shtyp njerëzit me ngjyrë dhe minorancat etnike. Për mua kjo çështje është më e madhe se futbolli dhe do të ishte egoiste nga ana ime të mos e vë re këtë padrejtësi. Ka trupa të vdekur në rrugë dhe njerëzit që i vrasin ata nuk dënohen”- u shpreh Kaepernick. (Shiko https://bit.ly/2PMYzDZ )

Shpejt, edhe shokët e skuadrës u bashkuan me të dhe protesta u përhap edhe në lojtarë të tjerë, që zgjatën në sezonin e vitit 2017. NFL bëri një deklaratë ku thekosi se lojtarët “inkurajoheshin, por nuk u kërkohej me detyrim të qëndronin në këmbë gjatë himnit kombëtar”. Më pas, Kaepernick u akuzua për “mosrespektimin e flamurit” dhe çështja u bë politike, ku hyri në skenë edhe Donald Trump.

Donald Trump është shprehur me zemërim për të, duke përdorur skenën e tij politike për të nisur një sulm publik të drejtpërdrejtë ndaj lojtarëve të NFL. Trump ka thënë në një nga mitingjet e tij: – “A nuk do të doje të shihje një nga këta drejtues të NFL-së që të reagonte direkt kur dikush nuk respekton flamurin tonë, e të të thotë “Nxirreni jashtë fushës atë lojtar. Ai duhet shkarkuar në moment”.

Drejtuesit e klubit reaguan ndaj vendimit duke vendosur që të gjithë lojtarët duhet të qëndrojnë në këmbë gjatë himnit kombëtar. Në vitin 2017 kur Kaepernick u bë agjent i lirë e një lojtar pa klub, asnjë skuadër nuk i ofroi atij një kontratë pune për të luajtur. Në muajin Tetor paraqiti një ankesë kundër drejtuesve të klubit që nuk e lejonin të bëhej pjesë e skuadrës.

Ai rrezikoi të gjithë karrierën e tij për atë që besonte.

Gjatë fushatës me imazhin e Colin Kaepernick, nënpresidenti i Nike, Gino Fisanotti, shprehet:-“Ne besojmë se Colin është një nga atletët më frymëzues të këtij brezi, i cili ka fuqizuar sportin, për të ndihmuar në ecjen përpara të botës. Ne donim të forconim kuptimin e saj dhe të prezantonim ‘Just Do It’ në një brez të ri atletësh”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 6 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Si ndikoi fushata tek aksionet dhe tek vlera e kompanisë?!

Pasi Nike njoftoi se Colin Kaepernick do të ishte fytyra e fushatës “Just Do It” për 30 vjetorin e saj, çmimet e aksioneve u luhatën. Në fillim, kur pati panik, aksionet ranë 3% ($83.49), por më pas u rritën me shpejtësi dhe arritën +5%. Pas fushatës, pati edhe një rritje prej 31% në shitjet online, duke treguar suksesin e saj. (Shiko https://bit.ly/2U1glpu )

Si reagoi komuniteti i marketingut në Shqipëri?

Si në shumë shtete, edhe në Shqipëri pati reagime nga ekspertë dhe persona të fushës së marketingut. Disa prej tyre i shprehën mendimet tek grupi Marketing in Albania në facebook. Ja cilat ishin disa nga komentet e tyre:

Endri Pano : Në long run ka për të dalë shumë e fituar! Është një fushatë e goditur!

Gimi Fjolla: Varet sa i duhet tregu i brendshëm amerikan Nike, në krahasim me tregun e jashtëm.

Oliana Demiri: Si çdo biznes edhe Nike ka vlerat dhe filozofinë e vet ku bazohet. Besoj se në 30 vjetorin e Just do it, ky slogan përfaqëson edhe vlerat e vetë Nike. Ata besojnë në diçka aq shumë sa edhe mund të përkthehet në sakrificë ekonomike. Respekte!

Blerina Kapaj Superfushatë. Mesazhi është qenësisht i lidhur me karakterin e brandit. Sa për përfitueshmërinë mendoj që nuk do t’i hyjë asnjë gjemb në këmbë, pavarësisht zhurmës së kësaj jave online.

Gladiola Dona: Jam kundër asaj që kompanitë të pozicionohen politikisht. Përpjekjet e marketingut kanë synim rritjen e shitjeve në fund fare, jo të rregullimit të politikës. Nuk mendoj që është sakrificë për të shprehur atë çka beson kompania. Mendoj që është lëvizje provokuese, riskoze bazuar në supozimin që “çdo amerikan që nuk do Trumpin do të dojë Nike” i tipit “vish një Nike për të shprehur qëndrimin tënd politik”. Jam e sigurt që Nike ka marketerë më të mirë se ne këtu që komentojmë. Le të shohim ku do të dalin këto përpjekje.

Gert Zenelenberg: Mendoj që kompanitë dhe brandet janë dhe faktorë shumë të fortë social, që për mendimin tim transferohet kollaj dhe në kontekstin politik.

Bejkollari Ergisa:  Fushata më pëlqen dhe mendoj se ka më shumë efekte pozitive sesa negative.

Oliana Demiri: Shprehja e vlerave si person apo si biznes nuk është pozicionim politik. Të shprehësh qartë se je kundër racizmit apo diskriminimit, s’ka të bëjë me të qenit demokrat apo republikan, por me ideologjinë e një personi apo subjekti. Sakrifica e kompanisë s’ka të bëjë me shprehjen e dy fjalive, por me mbrojten e vlerave të kompanisë edhe pse kundrejt rënies së shitjeve. Kjo është sakrifica e kompanisë, mbrojtja e vlerave në të cilat beson para prurjeve financiare.

Ina Xhani: Politika dhe biznesi nuk kanë si të jenë të ndara sepse kanë të njëjtin target…konsumatorin.
Unë si konsumatore nuk dua që lekët e mia t’i shkojnë një biznesi që nuk promovon gratë…që është racist..që i qep rrobat që më shet, me fëmijë 10-vjeç. Do të mbështes bizneset që kanë të njëjtat vlera me mua…

Ergest Nako: Nike i ka bërë të gjitha llogaritë. Shumë shpejt fushata do të ketë super sukses.
Per mendimin tim zgjedhje e goditur.

Jon Papadhimitri Përcjellje elegante e mesazhit. Imazhi i fushatës rrezikoi aq shumë për t’u treguar të gjithëve se është kundër veprimeve të Trump. Nike, merr si imazh të fushatës dikë me tepër risk. Ndoshta për Nike kompanitë janë më shumë se sa institucione që gjenerojnë para, por janë institucione, të cilat duhet të ushtrojnë pozitivisht influencën e tyre për një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Dhe pak kompani e bëjnë këtë.

Gazmend Pinjolli: “Te krijosh një debat për kauza” është qasja e re që po përqafojnë vrullshëm branded globale. Në këtë rrafsh është një debat demografik; mes një Patrioti dhe Sportisti. Unë mendoj që Sportisti ka të drejtë.

Andi Selaj: Reklama më e suksesshme, pasi njerëzit po e marrin konceptin dhe po krijojnë meme, që nga makinat, muzika, sporti, politika… Së shpejti do të bëjë edhe dikush në shqip ndonjë meme.

Ja disa të dhëna që tregojnë pse fushata arriti sukses!

Nike i ka të qarta disa gjëra mbi marketingun. Kompania “i bëri mirë llogaritë”. Ajo pa që, pavarësisht djegies së këpucëve dhe shpërthimit kërcënues nga e djathta, lëvizja do të ishte e mirë për biznesin.

“Populli kërkon që markat të shprehin qëndrimet e tyre mbi çështje të rëndësishme,” zbuloi një sondazh së fundi, ku u pyetën 1000 konsumatorë amerikanë. Dy e treta e konsumatorëve (66%) shprehen se është e rëndësishme që markat të shfaqin qëndrimin e tyre rreth çështjeve sociale dhe politike.

Një vështrim i përgjithshëm i vitit 2017 nga Edelmani u pajtua në këtë aspekt, kur zbuloi që veçanërisht brezi i ri kërkon të dijë sa më shumë mbi markën që përdor. “Pjesa dërrmuese e rinisë të shekullit XXI (60 %) janë blerës që bazohen në parimet që besojnë,” zbuloi studimi.

“Rreth 78% e individëve të anketuar, të cilët e identifikojnë veten si liberalë kërkojnë që marka e tyre të mbajë qëndrim, ndërkohë që pothuaje vetëm gjysma (52 %) e të anketuarve që identifikohen si konservativë ndajnë të njëjtin mendim”- u shpreh kompania Sprout Social.

Fakti që liberalët rezultojnë shumë më të interesuar në kompanitë që kanë përfaqësi politike, detyrimisht bëri të mundur që vendimi i Nike të merrej edhe më lehtësisht.

Dhe së fundi, klientët e kompanisë Nike anojnë nga mosha e re, urbane dhe liberale. Rrjedhimisht, nervozizmi që Nike krijoi në rrethin konservativ, ndikoi edhe në rritjen e besnikërisë së klientelës ndaj brandit Nike.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 6 të numrit 19 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 19 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0