“Fryhet” Buxheti. 30 miliardë lekë më shumë të ardhura në tremujorin e parë, gjysma prej TVSH-së - Business Magazine Albania

“Fryhet” Buxheti. 30 miliardë lekë më shumë të ardhura në tremujorin e parë, gjysma prej TVSH-së

Rritja e pandalshme e çmimeve kryesisht të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve ka nxjerrë me fitim arkën e shtetit, për shkak të të ardhurave që kanë tejkaluar çdo pritshmëri. Referuar treguesve fiskalë për 3-mujorin, e këtij viti, niveli i suficitit rezultoi në rreth 22.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 170.5 përqind të planit të periudhës prej rreth 13 miliard lekë, ndërkohë që 3 mujori i një viti më parë rezultonte me deficit në masën 8.8 miliardë lekë.

Konkretisht,  të ardhurat totale në Janar-Mars, u realizuan në masën 139 miliardë Lekë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 30 miliard lekë apo 248 milionë euro. Rritje kjo me e larta e ndodhur në vitet e fundit.  Të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 48.3 miliardë lekë apo  10 miliardë lekë më shumë se një vit më pare dhe ndikimin kryesor e ka pasur TVSH-ja në import që lidhet drejtpërdrejt me çmimet, ku janë mbledhur  34.1 miliardë lekë, 8.3 miliardë lekë apo 32.2 % më shumë se një vit më parë.

Nga akciza janë mbledhur 1 miliardë lekë më shumë se 3 mujori i parë 2021, nga renta minerare 1.1 miliardë lekë dhe nga taksat doganore 1.7 miliardë lekë. Sa i takon të ardhurave tatimore, duket se ndikimin më të lartë në “fryrjen” e arkës së shtetit sërish e ka pasur TVSH-ja e arkëtuar neto, e cila u realizua në masën 11.6 miliardë lekë, apo 94.4 % më shumë se 3-mujori 2021.

Nga tatim-fitimi mbi bizneset janë mbledhur 3.7 miliardë lekë më shumë dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale 2.89 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Në total të ardhurat tatimore kanë njohur një shtesë prej 15.4 miliard lekësh. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2022, arritën në rreth 117.1 miliard lekë me një realizim në masën 97.3 përqind të planit të periudhës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0