Frika nga Covid-19, shqiptarët shtojnë kursimet

Frika nga Covid-19, shqiptarët shtojnë kursimet

COVID-19

Depozitat bankare shënuan një tjetër rritje të ndjeshme për muajin shtator, duke vijuar një tendencë të qëndrueshme kursimi, që është konstatuar që pas fillimit të pandemisë së Covid-19. E ardhmja e pasigurt po nxit kursimtarët të lënë para mënjanë për kohë të vështira.

Që nga fundi i muajit shkurt, stoku i depozitave në vend është rritur me 36 miliardë lekë, ose 291 milionë euro (+3.5%).

Rritja është shumë më e fortë, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nga shkurti 2019 deri në shtator 2019, kursimet ishin rritur me vetëm 6.5 miliardë lekë, ose gati 6 herë më pak. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, kjo është rritja më e lartë për periudhën kohe në referencë, që nga viti 2011. Që prej vitit 2013, rritja e depozitave në sistem ishte ngadalësuar ndjeshëm, si rrjedhojë e uljes së normave të interesit (nga politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë), që i mbajti depozituesit larg bankave.

Duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve për të rritur kursimet në kohën e Covid-19 vërehet në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian. Në vendet e BE-së, rritja e kursimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 ishte më e larta në 20 vitet e fundit.

Studimet për situata të tilla në të shkuarën sugjerojnë se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin.

Lexoni: Kosova do ta sigurojë vaksinën për COVID-19 përmes Bankës Botërore

Duke llogaritur edhe depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë, totali i depozitave bankare në Shqipëri arriti në rreth 1.25 trilionë lekë ose rreth 10 miliardë euro. Depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të Bankës së Shqipërisë janë ato me maturim mbi dy vjet, si edhe depozitat e qeverisë qendrore.

Në tremujorin e tretë të vitit rritja e totalit të depozitave është rreth 19 miliardë lekë, ndërsa depozitat që përfshihen në paranë e gjerë janë rritur me rreth 22 miliardë lekë. Kjo mund të tregojë se një pjesë e depozitave afatgjata janë zhvendosur në depozita pa afat apo afatshkurtra, çka konfirmon sërish tendencën drejt formave më likuide të kursimit.

Rritja e depozitave në shtator

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator, totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arriti në 1 trilionë e 78 miliardë lekë ose rreth 8.7 miliardë euro. Depozitat regjistruan një rritje të mëtejshme prej 8.2 miliardë lekësh (rreth 65 mln euro) krahasuar me gushtin; me bazë vjetore krahasimi, depozitat shënuan një rritje prej 66 miliardë lekësh ose rreth 6.5%.

Gjatë shtatorit, depozitat u rritën pothuajse në masë të barabartë si në lekë, ashtu edhe në valutë, me një shtesë prej afërsisht përkaësisht 4 miliardë lekësh tek të dy grupet.

Depozitat në valutë huaj dhe kryesisht në euro vazhdojnë të dominojnë, me rreth 54% të totalit.

Edhe për shtatorin rritja erdhi kryesisht tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, në dëshmi të faktit se shqiptarët përgjithësisht preferojnë t’i mbajnë fondet e tyre në formë likuide dhe të mund t’i tërheqin në çdo kohë. Kjo zgjedhje lidhet si me normat e ulëta të interesit për depozitat me afat, ashtu edhe me pasigurinë që ka përcjellë kriza në radhët e familjeve dhe bizneseve shqiptare. /Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0