Franca përshpejton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç - Business Magazine Albania

Franca përshpejton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Franca përshpejton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se dëshiron që qeveria e tij të përshpejtojë procedurat ligjore, në mënyrë që ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç të hyjë në fuqi përpara fillimit të vitit të ri shkollor në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është për shitje,” u shpreh Macron në një video të publikuar të shtunën vonë nga BFMTV, partner i CNN në Francë. “Emocionet e tyre nuk janë për t’u shitur apo manipuluar, qoftë nga platformat amerikane apo nga algoritmet kineze.”

“Po ndalojmë rrjetet sociale për nën 15-vjeçarët dhe do të ndalojmë edhe telefonat celularë në gjimnaze. Kjo është një rregull i qartë, i qartë për adoleshentët, për familjet dhe për mësuesit,” theksoi ai. Deklarata e Macron vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende perëndimore po ndërmarrin masa ligjore të forta për mbrojtjen e të miturve nga dëmet e mundshme të rrjeteve sociale. Kjo ndodh pas ligjit historik të miratuar në dhjetor nga Australia, i cili ndalon përdorimin e platformave si Instagram, TikTok dhe Facebook për të rinjtë nën moshën 16 vjeç.

Edhe qeveria britanike ka bërë të ditur së fundmi se po shqyrton një sërë masash për sigurinë e fëmijëve në internet, përfshirë mundësinë e ndalimit të rrjeteve sociale për nën 16-vjeçarët.

Në Francë, nisma po udhëhiqet nga deputetja Laure Miller nga partia “Renaissance” e Macron. Në një intervistë për televizionin e Parlamentit francez, ajo theksoi se ndërhyrja është e domosdoshme, pasi aktualisht nuk ekziston asnjë verifikim real i moshës. “Çdokush mund të vendosë një datëlindje të rreme dhe të hyjë në platformë. Ajo që duam të imponojmë, duke zbatuar rreptësisht Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), është verifikimi real i moshës kur përdoruesit aksesojnë rrjetet sociale. Kjo ndryshon gjithçka,” u shpreh ajo.

Lexo edhe: Pas Australisë, edhe Malajzia do të ndalojë rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç

Edhe pse pranoi se gjithmonë do të ketë mënyra për të anashkaluar kufizimet, Miller theksoi se Franca duhet “të vendosë një vijë të qartë për mbrojtjen e të miturve online”.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit australian, më shumë se 4.7 milionë llogari rrjetesh sociale, të dyshuara se i përkisnin të rinjve nën 16 vjeç, janë çaktivizuar ose fshirë, sipas kryeministrit Anthony Albanese.

Në një intervistë për CNN, Albanese deklaroi se qeveria e tij reagoi sepse “dëmi social është real dhe ne kemi përgjegjësinë t’u përgjigjemi shqetësimeve të prindërve, por edhe vetë të rinjve që thonë: na lini të jemi thjesht fëmijë.” Në prag të ndalimit, kryeministri iu drejtua adoleshentëve australianë me një video-mesazh, duke i inkurajuar të “fillojnë një sport të ri, të mësojnë një instrument muzikor ose të lexojnë librin që kanë lënë prej kohësh në raft”.

Ndërkohë, pronari i platformës X, Elon Musk, shprehu kundërshtimin e tij ndaj ligjit, duke e quajtur atë “një luftë të fshehtë për të kontrolluar aksesin në internet”. Megjithatë, platforma ka zbatuar masat e vendosura. Një nga shtysat kryesore për ligjin australian ishte libri The Anxious Generation i psikologut amerikan Jonathan Haidt, botuar në vitin 2024. Libri argumenton se rrjetet sociale kanë dëmtuar rëndë shëndetin mendor të fëmijëve.

Sipas Haidt, “ne i kemi mbrojtur tepër fëmijët në botën reale dhe i kemi lënë të pambrojtur në botën online”. Si zgjidhje, libri propozon ndalimin e telefonave inteligjentë në shkolla dhe ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit – masa që tashmë po përkthehen në politika konkrete në disa vende.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0