FMN: rritja ekonomike në Shqipëri deri në 7.8% - Business Magazine Albania

FMN: rritja ekonomike në Shqipëri deri në 7.8%

FMN

Krahas konsolidimit fiskal, kërkesë e përhershme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kësaj radhe është edhe kërkesa për investimet tek burimet njerëzore. Në një konferencë të përbashkët me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministren e Financave, përfaqësuesja e FMN-së, Yan Sun kërkoi që, “Shqipëria të investojë tek njerëzit, të bëjë konsolidimin fiskal dhe të përmirësojë transparencën fiskale”. Ajo vuri në dukje se po financohet në investime të panevojshme, të cilat do të duhet të frenohen.

Me gjithë shqetësimet, parashikimet e FMN për rritjen ekonomike janë të larta, duke rishikuar në rritje të dukshme atë deri në 7.6-7.8%.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë të misionit të FMN

Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm. Politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës, duke i hapur rrugë rimëkembjes ekonomike. Sfidat kryesore tani janë të dyfishta: Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur defiçitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik.

Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparences dhe cilësisë së investimeve publike. Me një tjetër mandat, qeveria është e mirëvendosur për të adresuar këto sfida dhe për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar të shoqërisë në funksion të këtij qëllimi.

Konkretisht:

  • Tani është koha për të miratuar një plan të besueshëm të rregullimit fiskal afatmesëm, mbështetur nga një Strategji e shëndoshë e të Ardhurave që duhet të ndërmerren në periudhën afatmesme. Ajo që nevojitet qe kjo strategji të jetë e suksesshme, është para së gjithash angazhim dhe udhëheqje e fortë politike. Në të njëjtën kohë, duhet rritur cilësia dhe transparenca e shpenzimeve publike ndërsa investimet publike tejet ambicioze të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) duhet të moderohen. Mbështetja buxhetore duhet të orientohet me mirë tek personat që kanë më shumë nevojë. Gjithashtu, besueshmëria e buxhetit dhe kuadrit fiskal duhet të forcohet dhe rreziqet fiskale në rritje duhet të monitorohen dhe menaxhohen më mirë.
  • Ndërsa politika fiskale mbështetëse të vijë duke u ulur, politika monetare duhet të vazhdojë të mbetet lehtësuese. Shtrëngimi i politikës monetare nevojitet vëtem nëse ka indicie të qarta se presionet inflacioniste po zgjerohen dhe janë të qëndrueshme. Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet e stabilitetit financiar, sepse ndikimi i goditjeve vazhdon të jetë prezent në sistemin bankar.
  • Më e rëndësishme, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, të ulë dobësitë që burojnë nga korrupsioni, të rrisë konkurueshmërinë që të mbështesë realizimin e qëllimeve dhe aspiratave të saj të zhvillimit afatgjatë. Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj dy goditjeve të mëdha Pas një periudhe kontraktimi me 4 për qind në vitin 2020, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje të parashikuar prej 7.8 për qind në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, pakësimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i lartë të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit në pjesën e parë të vitit, si dhe një sezoni turistik relativisht të mirë.

Ne parashikojmë që rritja ekonomike do të normalizohet në 3.8 për qind në vitin 2022, duke reflektuar më pak mbështetje nga politikat fiskale dhe maturimit të efektit të rimëkembjes. Norma e inflacionit është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, por inflacioni bazë deri tani ka mbetur i qëndrueshëm dhe presionet inflacioniste të ulëta. Dalja e varianteve rezistente ndaj vaksinave në nivel global apo shpërthimeve të lokalizuara në Shqipëri, potencialisht kushteve më të shtrënguara globale financimi, si dhe rritja e çmimeve të energjisë në nivel global, përfaqësojnë rreziqe të mëdha në kahun rënës në perspektivën ekonomike. Një normalizim më i shpejtë nga pandemia përfaqëson një risk në kahun rritës. Me forcimin e rimëkëmbjes, politika fiskale duhet të kthehet drejt konsolidimit që t’i bëjë ballë goditjeve të ardhshme dhe të ulë borxhin, duke plotësuar ndërkohë nevojat për zhvillim të Shqipërisë–të gjitha këto do të varen nga rritja e të ardhurave tatimore. Ndërkohë që rritja e konsiderueshme e deficitit në vitin 2020 ishte e nevojshme për të zbutur ndikimin e goditjeve, politika fiskale në vitin 2021 është më ekspansioniste sesa nevojitet. Pavarësisht një arkëtimi më të mirë në të ardhurat tatimore, defiçiti primar do të mbetet në nivelin e 4.6 për qind të PBB-së, i ngjashëm me atë në vitin 2020.

Borxhi i përgjithshëm i qeverisë parashikohet të rritet në pothuajse 80 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2021, ndër më të lartit në rajon. Borxhi pritet të bjerë gradualisht, pasi masat mbështetëse dhe rindërtimi të përfundojnë dhe të respektohet rregulli fiskal i një bilanci primar fiskal të paktën zero duke filluar nga viti 2024, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit (LOB). Pa përpjekje të mëtejshme për rregullim fiskal, ne parashikojmë që borxhi të mbetet mbi normën 70 për qind të PBB-së në periudhën afatmesme.

Nevojat bruto të financimit të qeverisë mbeten të larta në rreth 20 për qind të PBB-së në vit. Bilanci i autoriteteve për të mbajtur nën kontroll defiçitin fiskal dhe për të ulur borxhin përpara goditjeve u ka krijuar atyre besueshmëri dhe hapësirë për politikat e ndjekura, duke i lejuar të reagojnë shpejt për të mbrojtur Shqipërinë nga efektet më të renda të goditjeve. Tani është thelbësore të përdoret rimëkëmbja ekonomike për të rikrijuar hapësirë për politikat fiskale. Një plan i besueshëm afatmesëm rregullimi—është më mirë të formulohet tani dhe të zbatohet duke filluar nga viti 2022—duhet të përcaktojë masa për të zvogëluar defiçitin primar në rreth 2 për qind të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balance primare pozitive prej rreth 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2024.

Themeli i një rregullimi të tillë të fiskal të besueshëm duhet të jetë një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (MTRS) që zgjeron bazën tatimore dhe të eleminon mundësitë për shmangie. Ne e mirëpresim planin e qeverisë për të finalizuar dhe miratuar MTRS-në pas konsultimive publike dhe për të filluar zbatimin e saj në fillim të vitit 2022. Angazhimi dhe udhëheqja politike si dhe mbështetja e gjerë e palëve të interesuara janë vendimtare për t’a kthyer këtë në sukses.

Ne vazhdojmë të këshillojmë kundër amnistisë tatimore dhe përjashtimeve e incentivave tatimore ad hoc, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me strategjinë afatgjatë të qeverisë për rritjen e të ardhurave tatimore. Ne shohim nevojën për krijimin e një njësie të dedikuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (MFE) për politikat tatimore që të ketë burime dhe personelin e duhur. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të moderohen investimet publike tepër ambicioze të financuara nga burimet e brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) duke pasur parasysh kapacitetin e dobët dhe efikasitetin e ulët.

Hapësira fiskale e krijuar në këtë mënyrë duhet të përdoret pjesërisht për ofrimin e kujdesit shëndetësor—dhe veҫanërisht për vaksinimin, pasi një pjesë më e madhe e popullsisë duhet të vaksinohet—si dhe për të siguruar mbështetje për pjesën më në nevojë të shoqërisë, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. Në të ardhmen, pasi të forcohet qeverisja dhe të rritet efikasiteti i shpenzimeve publike, si dhe të përmbahen risqet fiskale, përfitimet nga reforma e të ardhurave tatimore mund të përdoren për të mbështetur nevojat e zhvillimit të Shqipërisë. Ne besojmë se me një strategji të tillë, borxhi i qeverisë mund të kthehet afër 65 për qind të PBB-së deri në vitin 2026, që do të thotë se do të ketë përsëri hapësirë të mirë politike për të adresuar goditjet e reja që mund të kalojë vendi.

Të ardhurat tatimore shtesë duhen ruajtur për uljen më të shpejtë të defiçitit dhe borxhit. Nëse rimëkëmbja has në pengesa, mund të ndërmerren më shumë masa mbështetëse sesa ishte parashikuar. Forcimi i besueshmërisë së kuadrit fiskal, rritja e cilësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike, dhe përmirësimi i monitorimit menaxhimit tërisqeve fiskal në rritje, janë gjithashtu të rëndësishme për sigurimin e financave të shëndetshme publike.

Lexo: The Economist shpjegon: Pse çmimi i energjisë elektrike në Europë ka arritur nivele rekord?

Forcimi i besueshmërisë së buxhetit dhe kuadrit fiskal do të ndihmojnë në ruajtjen e besimit të tregut dhe mbajtjen e kostove të huamarrjes të ulëta. Ndryshimet që lidhen me hartimin dhe zbatimin e LOB-së duhet të bëhen vetëm përmes procedurave normale parlamentare. Përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente duhet të ndërpritet. Një strategji rigoroze e menaxhimit të borxhit nevojitet për të udhëhequr vendimet e qeverisë për huamarrjen e jashtme tregtare, që i nënshtrohet rrezikut të luhatjes së kursit të këmbimit.

MFE-ja duhet të vazhdojë të zgjerojë mekanizmat që përdor për menaxhimin e likuiditetit. Rritja e shpejtë e stokut të partneriteteve publike private (PPP) —që pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind në vitin 2018—kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP). Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme.

Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti e MFE-së për të vepruar në mënyrë pro-aktive si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe të angazhohet në mënyrë aktive në proceset e vlerësimit dhe monitorimit. Duhet te bashkerëndohen proceset për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP-të. Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet e bashkërënduara për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë risqet fiskale në rritje. Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore. Skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë risqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit.

Lexo: Edhe 9 ditë afat. Agjencia e Punësimit jep 500 mijë lekë ndihmë për personat me një ide biznesi

Angazhimi i vazhdueshëm ndaj transparencës dhe llogaridhënies, mbështetur në sisteme të forta të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), mbetet prioritet. Masa për të rritur transparencën dhe llogaridhënien lidhur me shpenzimet e kryera me procedura emergjence duhet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe përdorimi i fondeve të rindërtimit duhet të jetë subjekt i kontrollove standarte të menaxhimit te financave publike. Ne e mirëpresim përparimin për të krijuar një regjistër publik të pronarëve përfitues dhe presim përfundimin dhe publikimin afërt të raportit të auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shpenzimet e lidhura me tërmetin dhe pandeminë në vitin 2020.

Politika monetare lehtësuese mbetet e përshtatshme nëse përmbahen presionet inflacioniste Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë (BSH) vazhdon të jetë e përshtatshme, pasi inflacion mbetet nën objektiv dhe pritshmëritë janë të mirë-ankoruara. Ne presim që rritja në indeksin e çmimeve të konsumit—që vjen si pasojë e rritjes ndërkombëtare të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë—të jetë kalimtare. Një zhvendosje në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare duhet të bazohet tek të dhënat, dhe tregues të qartë të zgjerimit të presioneve inflacioniste të qëndrueshme. Fleksibiliteti i kursit e këmbimit i ka shërbyer mirë Shqipërisë dhe do të vazhdojë të luajë rolin si amortizues. Sistemi bankar mbeteti qëndrueshëm dhe likuid. Kërkohet vigjilencë e vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin financiar Meqënëse ndikimi i plotë i goditjeve në bilancet e bankave mund të bëhet i dukshëm vetëm pas njëfarë kohe, nevojitet monitorimi nga afër i cilësisë së portofolit të kredisë, identifikimi dhe menaxhimi në kohë i aktiveve problematikë, si dhe mbikqyrje e shtuar për bankat më vulnerabël.

Një ushtrim i fokusuar për Rishikimin e Cilësisë së Aktiveve (RCA) nga Banka e Shqip ërisë mund të konsiderohet për të vlerësuar me saktësi ndikimin e pandemisë në cilësinë e aktiveve të bankave dhe në nivelin e kapitalit. Rezervat e kapitalit bankar duhet të ruhen derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve. Rreziku i rritjes së kredive me probleme thekson rëndësinë e fuqizimit të kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe falimentit. Kuadri rregullator për trajtimin e huamarrësve të mëdhenj me kredi nën standart në më shumë se një bankë (i quajtur qasja e Tiranës) gjithashtu duhet të zbatohet më gjerësisht.

Përtej mandatit të Bankës së Shqipërisë, kuadri ligjor për falimentit dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme që kanë hyrë në fuqi, duhet të zbatohet me shpejtësi, përfshirë dhe ristrukturimin e kredive jashtë gjykatës. Ngërҫi i gjatë në reformën e përmbarimit duhet gjithashtu të zgjidhet. Peisazhi në ndryshim i sistemit bankar kërkon rritje të vigjilencës rregullatore dhe mbikqyrëse. Prania e më shumë bankave me pronësi domethënëse aksionesh nga individë dhe grupe jofinanciare e rrisin riskun e mungesës së kapitalit, të transaksioneve ndërmjet palëve të lidhura, dhe një rritje të ekspozimeve të mëdha. Ne rekomandojmë të vazhdohet të fuqizohet dhe zbatohet kuadrit i licensimit dhe i mbikqyrjes, duke përfshirë edhe kontrollin e përshtatshmërisë për aksionerë të rëndësishëm dhe ata me paketa kontrolluese, pronarëve fundorë përfitues dhe menaxherëve të lartë.

Ne gjithashtu theksojmë nevojën për një monitorim të shtuar të ndikimit të mundshëm në stabilitetin financiar nga rritja e shpejtë në tregun e pasurive të paluajtshme. Përpjekjet aktuale të BSH-së për të harmonizuar kuadrin rregullator dhe mbikqyrës të bankës me standardet ndërkombëtare duhet të vazhdojnë. Përmirësimi i qeverisjes dhe institucioneve do të mbështesë prosperitetin dhe aspiratat afatgjata të Shqipërisë Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi e nisur në vitin 2016 me mbështetjen e BE-së, po vazhdon.

Në mënyrë të veҫantë, autoritetet treguan se platforma e deklarimit të pasurive ishte në hapat përfundimtare dhe informacioni do të vihet në dispozicion të publikut. Procesi i vetingut të gjyqtarëve ka përparuar më tej, por ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë më të trajnuar. Reformat e mbetura duhen të zbatohen me shpejtësi, sepse korrupsioni mbetet një pengesë kryesore për rritjen e barabartë. Shqipëria ka bërë përparim në përmirësimin e kuadrit të saj ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PP/FT) dhe duhet të vazhdojë përpjekjet e saj.

Në shkurt të vitit 2021, FATF (task-forca globale që monitoron parandalimin e pastrimit të parave) e vuri Shqipërinë nën një monitorim të shtuar (“lista gri”) për shkak të shqetësimeve në lidhje me kuadrin e PP/FT dhe efektivitetin e tij dhe një plan veprimi u miratua. Vendi po bën përparim në planin e tij të veprimit dhe duhet të vazhdojë përpjekjet për të dalë shpejt nga lista gri. Mangësitë strukturore në konkurrueshmëri të Shqipërisë kundrejt fqinjëve rajonalë vazhdojnë. Forcimi i kuadrit institucional, zvogëlimi i dobësive ndaj korrupsionit dhe adresimi i mungesës së punonjësve të kualifikuar dhe mangësive të infrastrukturës do të përmirësojnë mjedisin e biznesit dhe produktivitetitn. Çdo rritje e mëtejshme e pagës minimale duhet të shoqërohet me masa për uljen e informalitetit dhe rritjen e produktivitetit. Falenderojmë autoritetet shqiptare dhe të gjithë partnerët tanë për bashkëpunimin e ngushtë dhe shkëmbimin e frytshëm të pikëpamjeve.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0