“FJALË”, të mësosh gjuhën shqipe online


BM: Përshëndetje Baki. Ju jeni themeluesi i fjalorit online “FJALË“, por çfarë mund të shtoni tjetër për ata që nuk ju njohin?

B: Kam studiuar Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin Ismail Qemali, në Vlorë. Por, i dashuruar me teknologjinë, mësova të programoj dhe jam aktualisht ndërtues faqesh interneti me profesion prej gati 10 vitesh. Gjuhësia është një nga pasionet e mija.

fjale-te-mesosh-gjuhen-shqipe-online-businessmag

BM: Si lindi ideja për këtë faqe webi, që të themi të drejtën është e nevojshme, por në të njëjtën kohë ka dhe variante të ngjashme me të? Cili është qëllimi i tij?

B: Si student i gjuhëve më lypseshin shumë fjalorët, si ata shpjegues shqip e anglisht, po ashtu edhe ata dygjuhësh. Me rritjen e njohurive të mija teknologjike, fillova të shfletoja shpesh fjalorë online anglisht. Sakaq, një grupim në Kosovë i njohur si QEP (Qendra për Edukim dhe Përparim) kishte filluar dixhitalizimin e fjalorit të fundit shqip të kohës së Komunizmit, atë të vitit 1984.

Duhet të kem qenë në vit të tretë të studimeve kur më ra në dorë ky produkt dhe shumi i entuziazmuar e instalova në kompjuterin e zyrës ku punoja me kohë të pjesshme si dizajner. Por zhgënjimi qe gjithashtu i madh kur fillova të zbuloj se një pjesë e qenësishme e përkufizimeve ishin tërësisht material propagandistik komunist dhe personat që e kishin dixhitalizuar përmbajtjen e fjalorit nuk kishin bërë asnjë përmirësim në këtë drejtim. Atëkohë këto shqetësime i ndava në blogun tim në artikullin “Fjalori i QEP-it, që në Kohën e Qepës”.

Pak vite më vonë, ky fjalor u hodh online në faqen e internetit fjalor.shkenca.org ku vazhdon të jetë i disponueshëm edhe sot e kësaj dite pa asnjë ndryshim minimal. E njëjta vlen edhe për një tjetër fjalor, që gjendet në faqen fjalorshqip.al, që ka po të njëjtën përmbajtje të vjetruar dhe të ngarkuar ideologjikisht.

Me konstatimin e këtij problemi dhe me rritjen e njohurive të mija teknologjike, dëshira për të krijuar një fjalor të pastruar dhe përditësuar sa vinte e rritej.

Duke qenë se ky problem nuk u adresua asnjëherë edhe pse më shumë se një dekadë kishte kaluar nga dixhitalizimi fillestar dhe, duke qenë se fjalorët ekzistentë online kishin gjithashtu mangësi teknike të tipit që nuk hapeshin siç duhet në celularë, me gjithë dominimin e trafikut nga këta të fundit, në vjeshtë të vitit 2016, hodha hapet e para për fjalorin FJALË për të krijuar një fjalor të denjë për kohën, si në përmbajtje edhe në përvojën e përdorimit.

BM: Cili është ekipi që punon për “FJALË”?

B: FJALË është një projekt anësor i imi. Deri më tani, kam qenë i vetëm si në zhvillimin teknik ashtu edhe ndërsa në përditësimin e përmbajtjes, me pak kontribute të vyera nga disa dashamirës. Nevoja për një ekip më të gjerë sa vjen e rritet dhe shpresoj shumë që në të ardhmen e afërt të gjejmë zgjidhje për financimin e një ekipi të mirëfilltë për ta çuar projektin në lartësi të reja.

BM: Cili është burimi i përmbajtjes, materialet që plotësojnë webin (fjalori i gjuhës shqipe, studiues i fjalorit, mësues gjuhë-letërsi)? Fjalori është shqip-shqip,por sa dialekte përfshin?

B: Materiali bazë i FJALË është ai i Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1984. Përditësimi e këtij materiali filluan që një para një viti, por mbetet akoma shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Fjalori i përfshin të gjitha dialektet e shqipes, edhe pse jo në tërësinë e tyre. Me zhvillimin e mëtejshëm teknik të platformës shpresojmë që të shtojmë mundësinë që përdoruesit të kontribuojnë fjalë të shqipes, sidomos dialektizma, që mungojnë në fjalor, të cilat pastaj do kalojnë nëpër filtrat e duhur për të bërë pjesë e fondit të fjalëve të fjalorit.

fjale-te-mesosh-gjuhen-shqipe-online-businessmag

BM: A keni menduar të krijoni një aplikacion, që fjalori të jetë më praktik dhe kushdo ta ketë në telefonin e tij?

B: Po, e kam menduar dhe gjithashtu shumë përdorues na kanë kërkuar të lëshojmë aplikacione për platformat mobile. Kjo nuk ka qenë e mundur deri tani thjesht për mungesë kohe, por është në planet afatmesme.

Megjithatë, fjalori është tashmë Progressive Web App, që do të thotë që është i instalueshëm si aplikacion direkt nga shfletuesi Chrome në platformën Android. Shkon në Settings => Add to Homescreen, mund ta shtosh fjalorin si aplikacion në mobile.

BM: Cilat janë përshtypjet e deri më tanishme?

B: Përshtypjet e deritanishme janë tejet inkurajuese. Përdorues të ndryshëm na shkruajnë vazhdimisht fjalë të mira dhe nxitëse për të vazhduar punën më tej. Brenda vetes, nuk jam aspak i habitur nga kjo pritje e mirë e produktit për faktin se edhe vet do e prisja po me kaq entuziazëm një fjalor të tillë, vetëm se në këtë rast unë jam vet zhvilluesi.

BM: Une rastësisht jam njohur me “Fjalë”, kur po kërkoja ndihmë në Google për drejtshkrimin e një fjale që ishte disi e paqartë për mua. Më parë nuk kisha dijeni për ekzistencën e këtij fjalori, prandaj pyetja është: Cila është strategjia e marketingut që po përdorni për të përhapur “Fjalë”?

B: Duket qenë se produkti bazë deri tani është faqja e internetit, strategjia kryesore ka qenë që FJALË të ketë të gjitha veçoritë e një faqeje interneti të suksesshme që i kam cekur tek blogu Sfida Biznesi. Dhe kjo ka rezultuar strategjia e duhur.

Rëndësi e veçanti i është dhënë optimizimit për motorët e kërkimit dhe nga kjo gjë jemi shpërblyer mirë duke qenë se pjesa dërrmuese e vizitorëve vijnë në faqe pikërisht prej motorëve të kërkimit, si në rastin juaj.

Për forcimin e markës dhe krijimin e audiencës besnike, është marrë shumë seriozisht prezenca në mediat sociale dhe FJALË ka aktualisht profile aktive në Facebook dhe Twitter kur shpërndahet rregullisht fjala e ditës dhe azhurnime të tjera relevante.

Së fundmi kemi filluar gjithashtu fushatat e listës së email-eve nga ku abonentët marrin me email fjalën e ditës dhe përditësime të tjera rresh produktit.

Pra, deri tani strategjia ka qenë ajo e rritjes organike të audiencës dhe kjo ka funksionuar më së miri duke rezultuar në rritje konstante të audiencës.

BM: Ne të falenderojmë për intervistën Baki dhe suksese të mëtejshme!!

B: Faleminderit ju që më dhatë mundësinë të ndaj me ju detaje të këtij projekti që e kam aq për zemër dhe ju uroj suksese në punën tuaj.

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale