Financa dhe investitorët për sipërmarrësit e rinj inovativë në Shqipëri  - Business Magazine Albania

Financa dhe investitorët për sipërmarrësit e rinj inovativë në Shqipëri 


Intervistë me Dr Endrit Kromidha, Profesor i asociuar për sipërmarrjen dhe inovacionin në University of Birmingham dhe konsulent i ftuar nga Albanian Tech Hub.

“Gjithmonë kam pasur dëshirë të bëj diçka në Shqipëri dhe ishte kënaqësi kur mora ftesën nga Ambasada Britanike e Tiranës për të zhvilluar trajnimin që mbështet sipërmarrjet e reja në kuadër të UK-Albania Tech Hub Programme”.  Kështu shprehet Dr. Endrit Kromidha, profesor i asociuar për sipërmarrjen dhe inovacionin në University of Birmingham.

Ai është larguar dhjetë vite më parë në Mbretërinë e Bashkuar për studimet e doktoratës pas një eksperience pune pesëvjeçare në Shqipëri. Endriti preferon ta thërrasim me emër më mirë, se siç thotë ai, askush nuk është aq i rëndësishëm në fund të fundit.

Në trajnim ai foli për menaxhimin e financave dhe investitorëve, një temë qe u mirëprit nga pjesëmarrësit e Albanian Tech Hub. Në veçanti, ngjalli interes dhe diskutime përmendja e dhjetë njerëzve më të pasur në Shqipëri si shembull potencial i investitorëve engjëj, që sipas përkufizimit, mund të mbështesin sipërmarrës të rinj inovativë si ata që marrin pjesë në këtë trajnim.

Por cila ishte këshilla konkrete në këtë drejtim? Duke vlerësuar nismat inovative, Endriti shpjegon se, “ata që janë shumë inovativë në fushën e teknologjisë dhe e kanë pasion, mund të ndodhë shpesh të rrinë larg financave”. Mesazhi i tij në fakt është që mund dhe duhet të bëhen shumë mirë njëherësh të dyja. “Ndonjëherë, nëse do të rritesh duhet të sakrifikosh pak nga zotërimi dhe kontrolli i plotë i biznesit.

Kush hyn si investitor shpesh pret të ketë një përqindje të biznesit. Ama sa më shumë dikush ka investuar kohë dhe mund në një biznes, aq me tepër të vështirë e ka ta ndajë atë me të tjetër, edhe kur kjo gjë i kufizon rritjen, sidomos pasi biznesi fillon të bëhet i njohur”. Kjo është një nga sfidat kryesore për të cilat ky trajnim synonte të ndërgjegjësonte sipërmarrësit e rinj.

Lexo: Filantropisti izraelit: Eksportoni mallra, jo njerëz. Lançohet “UK Albanian Tech Hub”

Të qenit pedagog në Mbretërinë e Bashkuar në një institucion si University of Birmingham do të thotë që shumica e kohës së Endritit i dedikohet kërkimit shkencor, rezultatet e të cilit përkthehen në përditësimin e vazhdueshëm të materialeve mësimore. Megjithatë, ai tregon se ka një biznes të vogël konsulence për sipërmarrjen dhe inovacionin në Angli, SDG Consult, të ngritur rreth dy vite më parë, për të mbajtur lidhje me botën e biznesit. Kjo e ka ndihmuar edhe në kërkimin shkencor e mësimdhënie.

Po a mund të flitet për sipërmarrje dhe inovacion duke u bazuar vetëm në libra e kërkim shkencor?! Sigurisht, kërkimi shkencor dhe botimi duan kohë, po ashtu edhe zbatimi i gjetjeve, ndërsa kontakti me bizneset nëpërmjet projekteve universitare ose puna e drejtpërdrejtë me ta është ndryshe.  “Kam dëshirë që ajo që bëj si pedagog të ketë efekt më të prekshëm, më të dukshëm, nxitur gjithmonë nga kërkimi shkencor dhe publikimet”, thotë ai.

Në projekte Endriti bashkëpunon me kolegë jo vetëm nga Mbretëria e Bashkuar ose Shqipëria por edhe nga mjaft vende të tjera të botës. “Ne jetojmë sot në kushtet kur, kompanitë më të mëdha të renditura në S&P 500, 85% të vlerës së kompanisë e kanë në kapacitete intelektuale”.

Idetë mund të shkëmbehen, transferohen, po ashtu edhe bashkëpunimet. Vitin që shkoi Endriti organizoi një konferencë për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në vendet në zhvillim në Tiranë dhe një shkollë verore në Durrës në fushën e teknologjive në fushën e mësimdhënies duke ftuar grupe bashkëpunëtorësh shkencorë të tij.

Si një kërkues shkencor e konsulent që udhëton në vende të ndryshme të botës për projekte, referate e konferenca shkencore, ai fton edhe universitetet shqiptare të jenë më të hapura dhe bashkëpunuese në zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0