Finalja e Uplift! Si ka ndryshuar ekosistemi? Intervistë me Kushtrim Shala - Business Magazine Albania

Finalja e Uplift! Si ka ndryshuar ekosistemi? Intervistë me Kushtrim Shala

Uplift

Uplift mban me 17 Janar ditën finale, Demo Day, ku startup-et e përzgjedhur do të prezantojnë idetë edhe progresin e tyre përpara një jurie investitoreësh. Në intervistën e mëposhtme me themeluesin e Uplift, Kushtrim Shala flasim për ecurinë e këtij edicioni të Uplift, nivelin e ideve inovative në rajonin tonë dhe planet e Uplift për të ardhmen. 

Si ka qenë ky sezon i Uplift ? A mendoni se i keni arritur pritshmëritë dhe objektivat e vendosura në fillim të sezonit? 

Uplift Western Balkans, i quajtur fillimisht Uplift Albania, ka kaluar në një fazë të dytë që solli dhe zgjerimin formal të këtij akseleratori me hapjen e degëve të tij në dy shtete të tjera siç është Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo ka hapur rrugën për një objektiv tjetër, për t’u përhapur më tej në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina. 

Në vetvete Uplifti është një program përshpejtues për startup-e në fazë të hershme, i cili ndihmon në rritjen e biznesit dhe rritjen e vlerësimit të tyre. Uplift synon të mbështesë dhjetëra startup-e nga rajoni i Ballkanit çdo vit. Nëpërmjet Uplift startup-eve inovative u mësohet sesi t’u afrohen investitorëve dhe të mbrojnë pronën e tyre, të përmirësojnë modelet e biznesit dhe të zbatojnë metodologji të caktuara. Kur themi startup-e inovative mendojmë çdo startup, i cili ka të përfshirë inovacionin në zgjidhjen e problemit. Krijimi i këtij akseleratori ka ardhur si pasojë e një mungese shumë të madhe midis projekt-ideve dhe ideve, të cilat janë të gatshme për të përthithur investime. Ekspozimi i modeleve është mënyra më e mirë për të joshur të tjerë në ekosistem. Uplift tashmë ka shkuar një fazë më tej, ku nuk pranon ide inovative, por MVP apo prototipe, të cilat kanë nevojë për investime. Ne bëjmë përshpejtimin e tyre për t’i bërë gati për të përthithur një investim të caktuar. 

Në këtë edicion kemi patur 12 startup-e, nga të cilat 10 kanë arritur të kalojnë në finale, në Demo Day më 17 Janar. Më specifikisht bëhet fjalë për 4 startup-e nga Shqipëria, 3 startup-e nga Kosova dhe 3 startup-e nga Maqedonia e Veriut. Gjatë rrugëtimit 2 startup-e nuk kanë arritur në finale, për arsye të ndryshme, startup-et hezitojnë të ndjekin një program të caktuar ose nuk janë në një moment të duhur të zhvillimit të projekt-idesë së tyre. Startup-et  kanë një lloj diference në nivel zhvillimi, disa janë early-state, disa janë në fazën ku gjenerojnë fitime, disa janë me risk më të lartë. Ajo që jemi përpjekur të arrijmë është të bëjmë që ta dashurojnë problemin, në këtë mënyrë nuk harrojnë në asnjë moment se kush është objektivi i tyre. Kjo sepse zgjidhja mund të jetë e ndryshueshme dhe mund t’i rikthehesh. Një faktor i rëndësishëm është edhe marrja e reagimeve në fazë të hershme nga konsumatorët potencialë.

Çfarë mendon se u ka munguar dy startup-eve që nuk ia kanë dalë t’i kalojnë të gjitha fazat?

Nuk do të thoja se u mungon diçka, por nuk kanë qenë në momentin e duhur për të përfituar nga një program kaq intensiv. Programi Uplift kërkon një angazhim shumë të madh prej 10 javësh, ku duhet të bëhesh pjesë e seminareve, workshop-eve, ndërveprimeve me investitorë, ekspertë të ndryshëm, të cilët kanë një eksperincë të gjerë dhe kërkojnë përkushtim dhe burime të caktuara për t’u angazhuar. Uplifti ka një kusht primar, ku në çdo aktivitet apo seancë individuale mentorimi duhet të marrë pjesë themeluesi apo bashkëthemeluesi i startup-it, që e bën të vështirë pjesëmarrjen në mënyrë konsistente. 

Si ka qenë niveli i aplikimeve në këtë edicion të tretë, duke patur parasysh edhe faktin që ju jeni zgjeruar në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm nga sasia e aplikimeve, por edhe nga cilësia e ideve? 

Uplift çdo vit padyshim përpiqet që të ngrejë standardin e ideve. Ky ka qenë viti më i mirë përsa i përket nivelit të aplikimeve. Dy vitet e shkuar kemi patur numër shumë të madh aplikimesh, por startup-et të cilat binin në sy kanë qenë shumë pak. E veçanta e këtij akseleratori ishte se kishim tri selection bootcamps në shtete të ndryshme, ku u angazhuan mentorë dhe ekspertë të ndryshëm dhe niveli i startup-eve për pasojë ka qenë më i lartë. Kjo nuk do të thotë se ka startup-e që e kalojnë vlerën mbi 100 000 euro për fazën e testimeve, që do të thotë se janë akoma startup-e në fazë të hershme. Startup-eve në atë nivel u kërkohet zgjerimi i kapaciteteve, i operacioneve të shitjes, në vende të ndryshme të botës apo Europës dhe ato kryesisht kanë nevojë për investime milionëshe dhe nuk marrin pjesë në programe që kanë në fokus early-stage startups (startup-e në faza të hershme). 

Në ekosistemin tonë të startup-eve ka shumë startup-e që nuk operojnë në Shqipëri, pra Uplifti është një program edukativ që ka në fokus të ndihmojë një set startup-esh të caktuara, por edhe të përçojë një motivacion te studentët, te inovatorët e rinj, ata të cilët kanë premisa për sipërmarrje dhe kanë kapacitet të mjaftueshme apo një skuadër të mirë për të zhvilluar një ide të caktuar. Ne jemi shumë të kënaqur nga mënyra se si u zhvillua gjithë ky program. Mund të them se jemi një ndër akseleratorët më korrekt përsa i përket pjesëmarrjes, ka patur një sinergji të jashtëzakonshme nëpërmjet themeluesë-ve me njëri-tjetrin. Ata flasin për bashkëpunime potenciale për të shfrytëzuar cross-learning.

Përveç gjithë seancave të mentorimit, seminareve, takimeve individuale tashmë që vijmë në ditën finale a priten çmime për startup-et që do të shpallen fituese?

Çmimet zakonisht janë grante, të cilat vijnë si shpërblime për ata që arrijnë të shkëlqejnë apo të spikasin gjatë mbrëmjes finale, Demo Day. Janë disa çmime që variojnë nga 5-7 mijë euro, por kjo thjesht si një stimulim që përpiqet që në mënyrë formale të identifikojë një fitues të akseleratorit. Kjo nuk do të thotë që ato startup-e që do të dëgjojnë emrin në Demo Day do ta kenë rrugën e shtruar, në fakt ky është vetëm fillimi. Secili prej startup-eve do të marrë një përshtypje, do të marrë këshilla nga paneli i investitorëve dhe programi do të vijojë për disa startup-e që do të jenë në një nivel më të lartë. Ne po punojmë që data 17 Janar të mos jetë një pikë përfundimi, por ndoshta për disa të jetë një pikë fillimi e rrugëtimit të tyre drejt investimit. Ne do të vijojmë me një Investment Readiness Program, ku do të punohet me investitorë për përgatitjen e paketës së investimit me startup-et më të mira. 

Duke parë situatën përpara disa viteve ku të thoje “jam sipërmarrës apo do të krijoj një startup” konsideroheshe si i papunë, mendoni që keni bërë ndonjë ndryshim në mentalitetin e njerëzve tani që dëgjojnë fjalën startup-e?

Unë mendoj që termi startup-e tashmë është kthyer në term mainstream, një term të zakonshëm. Nuk është një person që merr një risk, sepse nuk ka çfarë bën apo është i papunë dhe përpiqet që të mbajë veten të angazhuar. Sipërmarrësit e rinj tashmë kanë arritur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, të shkojnë në veshët e secilit prej njerëzve të thjeshtë. Grupet e të rinjve që merren me zgjidhjet e problemeve të ndryshme, problematikave të mëdha, konsiderohen si grupe elitare. Të rinjtë kanë ide, kanë kurajo dhe të gjithë bashkë ne kemi injektuar ndjesi shumë pozitive, pasi janë pikërisht ata që duhen motivuar për të bërë më shumë. Por, këto ide duhen strukturar, të mos mendojnë për momentin por për zgjidhje më afatgjata. 

Në biseda me investirë duket se kanë tendencën të thonë se ka një gatishmëri nga ana e tyre për të investuar por nuk ka mjaftueshëm ide të mira në Shqipëri, mendon dhe ti se kjo qëndron?

Për një pjesë të startup-eve ka grante dhe mundësi financimi të mjaftueshme, por ka një mungesë shumë të madhe midis kërkesës së investitorëve për ide të cilat mund të marrin një investim nga 20 000 – 100 000 euro dhe ideve të cilat janë në atë fazë. Por kemi edhe raste suksesi të cilat nuk kalojnë në sistemet formale të inkubatorëve, akseleratorëve apo sistemeve të universiteteve. Universitetet janë shumë të rëndësishëm për promovimin e talenteve sepse një akselerator nuk ka ku të kërkojë tjetër përpos sistemeve të universiteteve. Talentet nuk mund të kërkohen në rrugë. Ata vijnë nga një sistem formal edukimi. Ne jemi komplementar në sistemin formal arsimor dhe konkurojmë në atë pjesë të talenteve, të cilët duan të realizojnë  idenë e tyre në ekosistem për ta implementuar.

Ndonjëherë problemet duhen thënë me zë të lartë, në mënyrë që të bëjmë një brainstorming dhe t’i japim një zgjidhje. Po është e vërtetë, investitorët e startup-eve në early-stage (fazë të hershme) e kanë pak të vështirë që të konsolidojnë zyart e tyre në Shqipëri dhe të krijojnë një aktivitet të përditshëm për shkak të mungesës së aftësisë përthithëse të startup-eve dhe sektorit të sipërmarrjes inovative.

Cilat janë planet e mëtejshme për Upliftin, kur mund të presim një edicion të katërt?

Në diskutime me shtete të tjerë të Europës kemi marrë një feedback të jashtëzakonshëm për shkak të nivelit të lartë kulturor dhe edukativ të të rinjve të gjithë rajonit. Uplift ka bërë një punë kolosale të vazhdueshme për sa i përket zhvillimit të kapaciteteve njerëzore. Ne e duam shumë Tiranën, jo vetëm për shkak të qasjes së hapur që ka Tirana me qytetet e tjera, por edhe për shkak të pozicionit gjeografik, mundësive etj. Uplifti do të vazhdojë, në mos më i gjerë kështu siç është dhe do të ketë platforma shtesë që do t’i bashkëngjiten për ta bërë më të pasur dhe më joshës dhe duke iu përshtatur edhe rrethanave të reja që tashmë të gjithë i shohim. 

Ekosistemi po zhvillohet. Nëse kthejmë kokën prapa dhe mendojmë tre vite më parë kur nisi Uplifti si një akselerator europian ishte një skepticizëm shumë i madh se sa mund të përshtateshim me një nivel energjik të një akseleratori europian, pasi gjuha e folur është anglisht në një nivel shumë të lartë. Kemi të bëjmë me njerëz shumë të përgatitur me një eksperiencë të madhe, që nuk hezitojnë të thonë nëse një ide nuk shkon. Pavarësisht sa i edukuar je, duhet të jesh i hapur për një mentalitet europian, të të menduarit global. Besoj se kemi arritur çdo gjë shumë mirë dhe Uplift ka ndikuar, jo vetëm në frymën e brendshme të të rinjve, por edhe në përshpejtimin e hapave të politikës qëndrore, globale. Kemi parë zhvillime të ndryshme rajonale brenda Shqipërisë si Shkodra, Durrësi dhe Korça e padyshim Tirana apo siç janë edhe zhvillime të qeverisjes qëndrore, të cilët e kanë vënë në fokus të veçantë. Për herë të parë flitet për një fond prej 10 milionë për ekosistemin e startup-eve, një lajm i jashtëzakonshëm. 

Intervistoi: Prishila Gjoka

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0