Femrat përballen me vështirësi për punësim dhe për të hapur biznese - Business Magazine Albania

Femrat përballen me vështirësi për punësim dhe për të hapur biznese


Gratë në zonat rurale të Maqedonisë thonë se e kanë shumë të vështirë që të sigurojnë një vend pune, nëse nuk shpërngulen me familjet në zonat urbane.

Meribane Hasipi, nga fshati Lubinë i rrethinës së Shkupit, thotë se ka punuar mbi 25 vite si rrobaqepëse, por tani ajo është e papunë.

Për të shkuar në qytetin e Shkupit për të punuar në ndonjë nga vendet atje, asaj i duhet të bëjë mbi 20 kilometra rrugë në ditë, duke shpenzuar pothuajse gjysmën e rrogës, aq sa është paga në industrinë e tekstilit, e cila mezi arrin vlerën prej 10 mijë dinarësh, apo rreth 155 eurosh.

“Do të kisha dashur të punoj, aq më tepër që tani më janë rritur fëmijët, por këtu në fshat punë nuk ka, nuk mund të gjejnë punë të rinjtë e jo unë në këtë moshë”, thotë Hasipi, e cila ka hyrë në të pesëdhjetat.

Ajo thekson se një vend pune – përpos që do t’i siguronte ekzistencë më të mirë – do t’a ndihmonte atë që mos ndihet e pavlerë në shoqëri.

Qeveria e Maqedonisë ka promovuar një varg projektesh për vetëpunësim, por numri grave që aplikojnë për të shfrytëzuar këtë masë është më i vogël sesa i burrave.

Besa Kadriu, ligjëruese në fakultetin e shkencave politike, në kuadër të Universitetit të Europës Juglindore, për Radion Europa e Lirë thotë se institucionet e shtetit duhet të angazhohen që informacionet për mundësitë e ndryshme që ofrohen nga ana e shtetit, por edhe grandet e shumta që jepen nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar femrat që të hapin biznesin e tyre, të arrijnë edhe te gratë që jetojnë në zonat rurale, duke u ofruar madje dhe ndihmë juridike për mbledhjen e dokumentacionit.

“Konsideroj se duhet të ketë edhe gatishmëri nga ana e institucioneve të ndryshme të shtetit për të përcjellë këto informacione, në mënyrë që të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilin rreth jetojnë, të kenë qasje të barabartë për shfrytëzimin e benefiteve të ndryshme.”

“Ka shumë nga ata tek të cilët informacioni arrin më vështirë për të shfrytëzuar të drejtat e ndryshme, kur bëhet fjalë për ngritjen e biznesit, apo përkrahjet institucionale, sepse në instancë të fundit kjo është edhe obligim institucional për shërbimet publike”, thotë Besa Kadriu.

Gjatë kësaj jave, me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas që jeton në zonat rurale, Oda e Maqedonisë Veriperëndimore ka organizuar dhe një debat në temën: “Sipërmarrja si mundësi e fuqizimit të gruas në zonat rurale”, duke pasur si synim që gratë përmes sipërmarrjes të aftësohen që të ngrejnë biznesin e tyre, qoftë në bujqësi dhe prodhime të ndryshme të konservuara, punimet e dorës, madje dhe zhvillimin e turizmit në zonat rurale.

Gëzime Fejzi është kryetare e Grupit të Grave Afariste në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ajo udhëheq një biznes mjaft të suksesshëm të prodhimeve të qumështit. Fejzi ka pranuar se eksperiencën, por edhe gjithë kurajën, e ka marrë gjatë punës në Romë, duke nënvizuar se nevojitet edukimi dhe trajnimi i përhershëm i grave për të shfrytëzuar kapacitetet dhe mundësitë me të cilat ajo disponon.

“Më parë edhe unë jam ballafaquar me vështirësitë se biznesi është vetëm për burra. Meshkujt në disa raste refuzonin të bashkëpunonin, si rrjedhojë e paragjykimeve sa i përket zhvillimit të biznesit nga një grua. Tani është më ndryshe …janë thyer stereotipet e tilla. Mashkulli është vetëdijësuar, e di se një rrogë shtesë në shtëpi ndihmon për mirëqenien sociale në familje”, thotë ajo.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, në tre mujorin e dytë të këtij viti, të publikuar në shtator, tregojnë se 24% e popullsisë së Maqedonisë është e papunë, organizatat që në fokus kanë të drejtat e grave thonë se dy të tretat e kësaj shifre janë gra, edhe pse ato në mënyrë aktive nuk paraqiten në Entin për Punësim, për të kërkuar punë.

 

burimi: shqiptari.eu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0