Është inteligjenca artificiale çelësi për parandalimin e pastrimit të... - Business Magazine Albania

Është inteligjenca artificiale çelësi për parandalimin e pastrimit të parave?

Shkruar nga Nadia Elbasani, Pedagoge/ Juriste

“Inteligjenca Artificiale”, “FinTech” dhe “transformimi digjital” janë shndërruar në fjalë kyçe në diskursin publik dhe dokumentet strategjike. Në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave 2024 – 2030, teknologjia cilësohet si një nga shtyllat për të ndryshuar mënyrën e identifikimit të rasteve të pastrimit të parave. Konkretisht: “Do të zhvillohen dhe forcohen kapacitetet teknologjike të institucioneve përgjegjëse për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe analizës së të dhënave.”

Dhe në fakt, nuk është hera e parë që teknologjia, e aq më shumë inteligjenca artificiale, përfshihet në procese ku dora e njeriut ka tendencën për të gabuar. Në këto kushte, jo pa të drejtë, përmendja e një zgjidhjeje teknologjike krijon shpresë.

Por le të ndalemi pak, hap pas hapi, se cili mund të jetë kontributi i inteligjencës artificiale në procesin e parandalimit të pastrimit të parave.

Parandalimi i pastrimit të parave nuk mund të mbështetet më vetëm te kontrollet manuale dhe raportet periodike të bankave. Sot, volumi i transaksioneve dhe kompleksiteti i skemave e bën të pamundur identifikimin e tyre pa përdorur teknologji të avancuara si Inteligjenca Artificiale (AI) dhe platformat FinTech.

Po të marrim për analogji strategjitë për parandalimin e pastrimit të parave të vendeve të Bashkimit Europian, ajo që dallohet lehtësisht është se përfshirja e teknologjisë në këtë proces nuk është një element “luksi” apo më keq akoma, kërcënues, por një detyrim praktik i kohës në të cilën jetojmë. Për shkak të globalizmit, gjithëpërfshirjes dhe natyrës së këtij krimi, komunikimi mes shumë palësh, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, është element i domosdoshëm për të garantuar parandalimin e tij.

Për të dalë te aspekti teknik, kjo përfshin ndërtimin e sistemeve që mund të “flasin” mes tyre (interoperabilitet), përdorimin e algoritmeve për të analizuar qindra miliona transaksione dhe aftësinë për të identifikuar të dhëna për lidhje të fshehura përmes një metode vizualizimi dhe analize (graph analytics) që mund të zbulojë lidhje indirekte midis individëve, kompanive dhe llogarive bankare.

Dhe duke u nisur nga historiku dhe eksperienca e vendeve të tjera të BE-së, padyshim përfshirja e teknologjisë na përafron dhe krijon një bashkëpunim më të thjeshtë. Mirëpo termat në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave 2024 – 2030, si dhe dokumentet mbështetëse për edukimin e publikut, mbeten në nivel konceptual, pa sqaruar se çfarë platformash do të përdoren, si do të ndërlidhen institucionet dhe, çështja më e rëndësishme, cilat do të jenë standardet e sigurisë.

Në dokumentin e Indikatorëve & Tipologjive mbi Korrupsionin thuhet se: “Nevojitet ndërlidhja e bazave të të dhënave të institucioneve publike për të identifikuar pasuritë dhe transaksionet e pajustifikuara.” E thënë më thjeshtë, data cross-matching, një praktikë që në BE ka dhënë rezultate. Për shembull në Holandë, ku sistemet fiskale dhe bankare janë të integruara, çdo transaksion i madh krahasohet automatikisht me të dhënat tatimore dhe regjistrin e pronave përmes algoritmeve të kryqëzimit në kohë reale. Po ashtu, Gjermania ka ngritur Data Fusion Center, ku të dhënat nga bankat, doganat dhe tregu i pasurive të paluajtshme grumbullohen në një platformë big data dhe analizohen me AI për të zbuluar skema të pastrimit të parave përmes investimeve imobiliare.

Një nga përparësitë që këto shtete kanë nga përdorimi i këtyre teknologjive është aftësia për të kaluar nga reagimi pas krimit te parandalimi. Kjo është realizuar përmes analizës në kohë reale të transaksioneve bankare, kryqëzimit automatik të të dhënave ndërmjet institucioneve, krijimit të profileve të riskut për individë e kompani dhe identifikimit të anomalive financiare. Në disa vende të BE, këto sisteme kanë reduktuar ndjeshëm kohën e reagimit të autoriteteve dhe kanë rritur numrin e rasteve të zbuluara.

Për të qenë efektive, teknologjia në luftën kundër pastrimit të parave duhet të mbështetet në një kornizë ligjore detyruese, që garanton shkëmbimin e të dhënave në kohë reale mes institucioneve, përcakton qartë entitetet me qasje në sisteme dhe siguron mbrojtjen e të dhënave personale sipas GDPR dhe ligjit vendas.

Pa një bazë të tillë, financim të qëndrueshëm dhe kapacitete njerëzore të trajnuara, përdorimi i AI dhe FinTech rrezikon të mbetet vetëm retorikë pa efekt praktik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0