Është gjetur ujë edhe në Hënë?! - Business Magazine Albania

Është gjetur ujë edhe në Hënë?!

Dheu i gërmuar nga sipërfaqja e Hënës mund të përdoret për të prodhuar oksigjen dhe metan,  dy elementë kyç për jetesën dhe udhëtimin hapësinor të kolonëve të ardhshëm në Hënë. Ky është përfundimi i një ekipi shkencëtarësh nga Kina, të cilët kanë zhvilluar një metodë të re njëhapëshe për të realizuar këtë proces. Edhe pse mbetet ende për t’u parë nëse kjo zgjidhje është ekonomikisht e qëndrueshme, studiuesit kinezë janë optimistë për potencialin e saj.

“Befasia më e madhe për ne ishte suksesi i prekshëm i këtij procesi të integruar,” tha Lu Wang, kimist pranë Universitetit të Hong Kongut, në një deklaratë për mediat. “Integrimi njëhapësh i nxjerrjes së ujit hënor dhe katalizës fototermale të dioksidit të karbonit mund të rrisë efikasitetin e përdorimit të energjisë dhe të ulë koston dhe kompleksitetin e zhvillimit të infrastrukturës.”

Studiuesit theksojnë se transportimi i furnizimeve nga Toka drejt një baze të mundshme në Hënë është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Sa më e rëndë të jetë ngarkesa, aq më shumë energji nevojitet për t’u nisur në hapësirë. Sipas studimeve, dërgimi i vetëm një gallon( 1 gallo = 3.7litër) uji në Hënë mund të kushtojë deri në 83,000 dollarë, ndërkohë që një astronaut konsumon mesatarisht katër gallonë ujë në ditë. Fatmirësisht, Hëna përmban sasi të konsiderueshme uji, edhe pse jo në formën klasike. Ky ujë është sjellë nga goditjet e kometave, asteroidëve dhe mikrometeoroidëve, apo edhe nga era diellore, dhe gjendet i bllokuar brenda mineraleve si ilmeniti, në krateret gjithmonë të mbuluara me hije në polet hënore.

Teknologjitë ekzistuese mundësojnë nxjerrjen e këtij uji përmes ngrohjes së regolitit (dheut hënor) duke përqendruar dritën e diellit mbi të. Megjithatë, ekipi kinez ka shkuar një hap më tej. “Ajo që është novatore këtu është përdorimi i dheut hënor si katalizator për të çarë molekulat e dioksidit të karbonit dhe për t’i kombinuar me ujin e nxjerrë për të prodhuar metan,” tha Philip Metzger, fizikant planetar nga Universiteti i Floridës Qendrore, për Space.com. Edhe pse ai nuk ka qenë pjesë e kërkimit, Metzger është bashkëthemelues i laboratorit kërkimor ‘Swamp Works’ në NASA Kennedy Space Center, i cili merret me ndërtimin dhe teknologjitë për sipërfaqet planetare dhe hënore.

Lexo edhe:Çifti i koncertit të Coldplay nuk është më i denjë për të udhëhequr!

Metani është më i qëndrueshëm sesa hidrogjeni i lëngshëm si karburant rakete, dhe rrjedhimisht kërkon më pak pajisje dhe kosto për t’u ruajtur në Hënë. I kombinuar me oksigjen, ai shndërrohet në një karburant shumë të fuqishëm. Kompani si Landspace në Kinë tashmë kanë nisur fluturime me raketa të fuqizuara me metan. Ilmeniti, minerali që përmban ujë, është gjithashtu katalizator efektiv për të ndihmuar reaksionin midis ujit dhe dioksidit të karbonit, duke prodhuar oksigjen dhe metan. Procesi i zhvilluar nga ekipi kinez është një proces njëhapësh: fillimisht regoliti nxehet në 200°C (392°F) duke përdorur dritën e përqendruar të diellit për të liruar ujin e bllokuar në brendësi. Më pas, dioksidi i karbonit,  si ai që lëshohet nga frymëmarrja e astronautëve, shtohet në përzierje, duke mundësuar reagimin kimik të katalizuar nga ilmeniti. Ky proces, i quajtur katalizë fototermale, është testuar në laborator duke përdorur një simulant të regolitit hënor bazuar në mostrat e kthyer në Tokë nga misioni Chang’e 5 i Kinës.

Teknologjitë e mëparshme kanë arritur rezultate të ngjashme, por kërkonin më shumë hapa, më shumë makineri dhe katalizatorë të transportuar nga Toka. Procesi i ri, sipas studiuesve, është më efikas dhe më pak i kushtueshëm. Sidoqoftë, Metzger shpreh rezerva mbi funksionalitetin e plotë të kësaj metode në kushte reale. Një problem kryesor është se regoliti hënor është izolues shumë i mirë termik, çka e bën të vështirë shpërndarjen e ngrohjes në thellësi. “Nxehtësia nuk përhapet në mënyrë efektive në pjesët më të thella të dheut, çka redukton ndjeshëm sasinë e ujit që mund të prodhohet në një njësi kohe,” shpjegon ai. Një zgjidhje mund të ishte ‘përzierja’ e regolitit, për ta ngrohur në mënyrë më uniforme, por kjo rrit kompleksitetin mekanik dhe e ngadalëson procesin. Në një mjedis si Hëna, ku pluhuri depërton kudo dhe temperaturat ndryshojnë me më shumë se 250°C midis ditës dhe natës, çdo mekanizëm shtesë rrit rrezikun e dështimit. “Mund të jetë e realizueshme, por teknologjia ka nevojë për zhvillim dhe testim të mëtejshëm për të treguar nëse është vërtet konkurruese,” përfundon Metzger.

 

space

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0