Pasi vlerëson Startup Weekend, Erion NAKO, përfaqësues i SAP* për Shqipërinë dhe Kosovën deklaron se është koha të mbështeten më fort idetë inovatore të sipërmarrësve të rinj të talentuar të cilët me anë të teknologjisë, arrijnë ti bëjnë më të mundshme, idetë e tyre të biznesit. Sipas tij, ky është një model i jashtëzakonshëm vetëpunësimi.
Me profesion IT Business Development në SAP West Balkans, Nako i bën thirrje Qeverisë shqiptare, biznesit si edhe aktorëve kryesorë në edukim, atë të lartë apo profesional, të gjithë bashkë të kthejmë gjithmonë e më shumë vëmendjen nga ICT sepse “mund të jetë një nga faktorët kryesorë që mund ta çojë Shqipërinë në një dimension tjetër: ‘Ta kthejë vendin tonë, në një lokomotivë të teknologjisë në rajonin tonë.”
Më poshtë intervista ekskluzive e Z. Nako me Infoalbania:
Ju ishit perfaqësues i jurisë së Startup Weekend në këtë edicion të organizuar të fokusuar te sipërmarrja në sektorin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Me pak fjalë na jepni një pasqyrë të shkurtër të bashkëpunimit tuaj me këtë event. Është hera e dytë që jeni anëtar i jurisë së këtij aktiviteti; si ndihesh kur organizatorët ju propozojnë sërish një vend në juri?
Kuptohet që është një kënaqësi dhe privilegj të jesh në jurinë e këtij konkursi shumë të njohur në vendin tonë për iniciativat rinore të zhvillimit të biznesit, po gjithashtu edhe një detyrim që të jesh sa më i saktë, konciz dhe përkrahës i ideve dhe iniciativave rinore si kjo e Startup Weekend Tirana. Edicioni i sivjetëm ishte një rast goxha më specifik sepse edhe fokusi është në një sektor më pak të prekur deri më tani, ku të rinjtë nuk kanë qenë shumë të angazhuar deri më tani, po dua të them, që jam i suprizuar nga volumi i aplikimeve dhe tendencat në rritje të moshave të reja për të ofruar zgjidhje moderne biznesesh për turizmin dhe trashëgiminë kulturore. Dua të përmend këtu një sërë aplikacionesh e sidomos ato të 3-shes fituese si ofruesi i Ciceronit, historiku dhe treguesi digital i monumenteve të kulturës dhe historisë sonë, apo edhe muzeu virtual i Gjirokastrës, një zgjidhje shumë e gjetur për të ofruar njohjen e një qyteti muze si Gjirokastra tek të gjithë moshat dhe grupet e ndryshme që nuk kanë mundësi të vizitojnë çdo cep dhe monument të qytetit të gurtë.
Si ekspert në sektorin ICT, përse shërbejnë aktivitete të tilla? Kujt i shërbejnë? Çfarë nevoje plotësojnë?
Mendimi im personal sa i takon iniciativave të tilla është shumë pozitiv dhe shtytës apo motivues për këto lloj aktivitetesh ku del në pah fryma e inovacionit dhe shpirti i sipërmarrjes së të rinjve të talentuar, të cilët me anë të teknologjisë, arrijnë ti bëjnë më të mundshme, idetë e tyre të biznesit. Ato i shërbejnë të gjithëve, brezit të ri sidomos si një model i jashtëzakonshëm vetëpunësimi, si dhe vetë ekosistemit ku ne të gjithë bëjmë pjesë, duke sjellë zhvillim të vendit, sjelljen më afër të teknologjisë në të përditshmet tona dhe shpejtësi veprimesh e lehtësira në jetën e gjithë secilit.
Këto tip eventesh promovojnë inovacionin, pra kërkojnë gjenerim të ideve të reja. Çfarë ndodh më pas me këto ide? Ushqehen për tu vënë në praktikë?
Idetë e reja janë gjithmonë frut i intuitës dhe pasionit të të rinjve që studiojnë në fusha të ndryshme të dijes, dhe janë këto ide, ushqimi kryesor i këtij modeli eventesh si startup, për tu përcjellë në një audiencë më të gjerë vlerësuese siç është Juria dhe për tu vlerësuar pastaj me çmimet përkatëse. Edhe pse nuk mund të shpallen fituese, mund të ketë ide startupesh që në momentin dhe kohën e duhur, e suportuar nga njerëzit e duhur të sipërmarrjes, që mund të gjenerojnë super-biznese në nivele botërore; kujtojmë këtu rrjetet sociale si: Facebook apo Instagram që janë ide inovatore që kanë ndryshuar gjithë botëkuptimin e sotëm për përdorimin e internetit në mbarë botën. Vështirësitë kryesore mbeten ato të vënies në praktikë, sepse gjithmonë nga idetë në aktivitetin normal të një biznesi ekziston një hendek i madh, që është ajo që quhet setup, e cila ka një kosto aspak të vogël që përgjithësisht frenon shumë njerëz të marrin riskun e të qenit sipërmarrës. Më pas vazhdimi dhe suksesi i ekzistencës së çdo biznesi varet nga modeli që sipërmarrësi dhe stafi i biznesit përzgjedhin për të ofruar, duke maksimizuar fitimin, duke optimizuar kostot me burimet e duhura monetare apo edhe ato njerëzore.
A ngrihet një ure mes individëve që gjenerojnë ide dhe bizneseve që mund ti mbështesin për ti vënë këto ide në praktikë? Ka ndonjë model që përdoret jashtë Shqipërisë (për shembull në Silicon Valley etj) që mund ta marrim për bazë edhe në Shqipëri për ta implementuar. A do të ketë të njëjtat vlera?
Këto ura bashkëpunimi duhet që pak nga pak të ngrihen edhe në tregun shqiptar, megjithëse deri më tani, shumë pak prej tyre kanë arritur të kthehen në biznese të suksesshme pasi mungon mbështjetja nga bizneset e konsoliduara, nga organizatat apo fondet e investimeve, që idetë fillestare inovatore të mbështeten deri në fazën që quhet ndryshe në gjuhën popullore “ të dalin mbi ujë”, pra të jenë fitimprurese, duke larë investimin. Modele të këtilla në botë ka me dhjetëra, ku do të kujtoj këtu parqet teknologjike dhe inkubatorët e biznesit që janë bërë shumë të përhapur në mbarë botën apo edhe në rajonin tonë. Kujtoj këtu Greqinë që është një vend model për startup-et sidomos mbas krizës së fundit që ka pllakosur atë vend, apo Izraelin që mbahet nga të gjithë si “atdheu” i startup-eve dhe sidomos atyre në fushën e teknologjisë. Një projekt shumë ambicioz ka qenë prezantuar edhe në bashkinë e Tiranës para disa vitesh, për një zonë teknologjike të quajtur simbolikisht “Tirana Valley”, po mendoj se ajo fle ende në sirtarët e pushtetit lokal, dhe të shpresojmë që zgjedhjet e reja lokale, bashkë me mbështetjen e qeverisë të krijojnë një frymë sa më të mirë për një park teknologjik apo inkubator të parë teknologjik në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri.
Përdoret shpesh si shprehje se ICT është një sektor në zhvillim në Shqipëri; konkretisht a po ushqehen realisht inovacionet? A kanë terren për tu zhvilluar ato, a ka infrastrukture mbështetëse?
Sektori është në zhvillim dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme, por aq i vërtetë është edhe fakti që ky sektor nuk është mbështetur sa duhet nga qeveritë e këtyre viteve të fundit, edhe pse ndryshimet me 5 vjet më parë janë goxha të ndjeshme. Dua të them që ka filluar një tendencë mbështetje nëpërmjet Ministrisë së Inovacionit dhe shoqatave e organizatave të ndryshme, por ka ende shumë për të bërë, dhe një detyrë i ngelet ende zonjës Milena Harito si Ministre direkte e Inovacionit si dhe agjensive të tjera që koordinojnë dhe mbështesin këtë sektor kaq të rëndësishëm, sidomos për moshat e reja.
Shpesh në biseda mes sipërmarrësve të sektorit ICT thuhet se janë të pakta burimet njerëzore të kualifikuara, ndërkohë oferta e punëkërkuesve është e madhe; duket se ka një boshllëk ku nuk gjendet një pikë takimi nga të dyja palët. Çfarë mungon? Çfarë duhet bërë për ti sjellë më afër 2 palët?
Shumë e vërtetë, kemi një “gap” midis kërkesave të tregut dhe asaj që ofrojnë studentët tanë të BACHELOR 3 vjeçar apo edhe më tej tek edukimi Masterit 2 Vjeçar. Ai që është problemi kryesor i deritanishëm shfaqet hapur nga niveli arsimor i brezit të ri, i cili është ende larg nivelit të specializuar që kërkon tregu ICT. Kemi një diference të madhe midis kërkesave tv tregut për specializime në fusha të caktuara si programimi, rrjetat, siguria apo edhe infrastruktura dhe asaj që ofron shkolla jonë e teknologjisë në të gjitha nivelet, apo në të dy sistemet, si atë publik ashtu edhe në atë privat.
Ajo që duhet bërë për të sjellë më afër këto 2 grupe interesi, punëdhënësit në ICT dhe burimet njerëzore që gjenden në treg, është ‘update’ i kurrikulave në universitetet në top listat botërore, në gjuhë të huaj (kryesisht anglisht), dhe si kryerja e praktikave të vërteta me produktet e ofruesve më të mëdhenj të teknologjisë në laboratorët apo edhe në partnershipet që kryhen vitin e fundit të diplomimit. Duke ofruar kurrikulat e fundit nga edukimi mbarëbotëror si dhe praktikat bashkëkohore në kompanitë e biznesit të ICT, besoj se do arrijmë të mbushim këtë hendek dhe do ofrojmë më shumë vende pune për specialist ICT duke ofruar edhe burime njerëzore për të eksportuar jashtë vendit.
Projektet e përzgjedhura si fituese në Startup Weekend dhe personat që i kanë propozuar do të mund të prezantohen me biznese apo organizata dhe së bashku të krijojnë një marrëdhënie win – win që ti çojë drejt realizimit të projekteve në vazhdim dhe në terma afatgjatë?
Besoj që ky është modeli më i mirë, pasi bizneset do gjenin në këto lloj projektesh plotësimin e gjithë sfidave kryesore që sjell ekonomia globale siç janë hapja e tregjeve, konsolidimi i tregut të punës etj, kështu që modeli win-to-win me startupet do të bënte që të dy palët të kishin përfitime afatgjata. Startupet do të kishin një garanci për zhvillimin e mëtejshëm dhe nuk do kishin një frikë nga risku i setup-it ndërsa bizneset do të kishin një hapësirë ku do materializonin gjithmonë idetë e tyre inovatore të konkretizuara nëpërmjet teknologjisë, që ngelet arma kryesore e zhvillimit. Kjo e fundit e fuqizuar nga energjia dhe pasioni i të rinjve që janë në krye të këtyre startupe-ve, them se janë një forcë sinergjish që kanë për ti çuar përpara të dy palet e këtij binomi. Kujtoj këtu që gjigandë botërorë si GOOGLE janë sot promotorët kryesorë të startupeve ( Startup Grind ) duke bashkëpunuar me këto lloj idesh inovatore, për ti kthyer në modele afatgjata.
Në fund, ke ndonjë thirrje në veçanti për të rinjtë apo për grupet e interesit që mund të ndikojnë në zhvillimin e sektorit të ICT në Shqipëri?
Patjetër, i bëj një thirrje gjithë brezit të ri, por mbi të gjitha Qeverisë shqiptare, apo edhe vetë biznesit, si edhe aktorëve kryesorë në edukim, atë të lartë apo profesional, të gjithë bashkë të kthejmë gjithmonë e më shumë vëmendjen nga ICT sepse mund të jetë një nga faktorët kryesorë që mund ta çojë Shqipërinë në një dimension tjetër; atë që kam thënë para ca kohësh në një media vizive, ‘Ta kthejë vendin tonë, në një lokomotivë të teknologjisë në rajonin tonë. Sa më shumë të rinj me njohuri teknologjike, aq më i rëndësishëm roli i Shqipërisë në rajon, aq më të mëdha nismat me partneritet ndërkombëtarë të kësaj fushe dhe jo vetëm, aq më i shëndetshëm ambjenti i biznesit në vend. Le të shpresojmë që në 4-5 vitet e ardhshme, reformat e sapofilluara të na japin rezultatet e kërkuara nga të gjithë.
* (Systems, Applications & Products in Data Processing) është një korporatë multinacionale gjermane që prodhon software për kompani të ndryshme për menaxhimin e operacioneve dhe të konsumatorëve. SAP e ka qendrën në Walldorf, Baden-Württemberg. Ajo regjistron zyra rajonale në 130 vende të botës dhe numëron mbi 291,000 konsumatorë në 190 vende.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.