CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka ndarë së fundmi një nga mësimet më të kushtueshme nga fillimet e tij si sipërmarrës, duke rrëfyer se humbi kontrollin mbi kompaninë e tij të parë, Zip2, pavarësisht se ajo u shit për 300 milionë dollarë në fund të viteve ’90.
Duke folur për themelues të rinj startup-esh në AI Startup School të Y Combinator në San Francisko, Musk identifikoi si gabimin më të madh të asaj kohe dorëzimin e tepërt të kontrollit te investitorët—të cilët, sipas tij, nuk e kuptonin vizionin e tij për internetin.
Nga refuzimi i Netscape, te programimi nga zyra dhe dushi në YMCA
Rruga e Musk drejt Zip2 nisi me refuzime. Pas largimit nga doktoratura në Universitetin e Stanfordit, ai nuk arriti të gjejë punë në Netscape – madje CV-ja e tij as që arriti ndonjëherë te Marc Andreessen. “Isha si, kjo është qesharake. Do ta shkruaj vetë softuerin dhe do shoh çfarë ndodh”, kujton ai. Ditët e para ishin të vështira. Musk dhe bashkëthemeluesi i tij flinin në zyrë dhe lahen në YMCA për të kursyer. Në një moment, ai madje shpoi dyshemenë e zyrës për të lidhur një kabllo me internetin e ofruar nga ISP-ja që ndodhej poshtë ndërtesës.
Shitja prej 300 milionë dollarësh që nuk solli kontrollin
Pavarësisht vështirësive, Zip2 u kthye në një histori suksesi dhe përfundimisht u shit për 300 milionë dollarë. Por, dorëzimi i kontrollit ndaj investitorëve bëri që Musk të mos kishte më ndikim mbi drejtimin strategjik të kompanisë sipas vizionit të tij për potencialin e internetit.
Një mësim që formësoi filozofinë e Musk për biznesin
Kjo përvojë i mësoi Musk rëndësinë e mbajtjes së kontrollit dhe të “mos i heqësh kurrë të gjitha çipat nga tavolina.” Ai investoi pothuajse të gjithë fitimin prej 20 milionë dollarësh nga Zip2 në kompaninë e radhës, X.com, që më vonë u bë pjesë e PayPal.
Sot, Elon Musk është vlerësuar me një pasuri prej 366 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg Billionaire Index. Ai u tha sipërmarrësve të rinj se ndërsa inxhinieria kërkon të vërtetën, politika shpesh gjeneron vetëm zhurmë, një urtësi e fituar nga përvoja e tij në ditët e para të Silicon Valley.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.