E ardhmja shpesh na duket e frikshme, por sipas ekspertëve, kemi edhe shumë arsye për optimizëm. Besoj se të gjithë, të paktën një herë, kemi menduar se teknologjia dhe inteligjenca artificiale do të na marrin vendet e punës, apo se bota po shkon drejt një realiteti si në The Matrix. Për këtë arsye, shumë njerëz kanë një qasje pesimiste ndaj së ardhmes.
Një studim i ri nga kompania e sigurimeve Zurich Insurance Group tregon se vetëm 17% e britanikëve ndihen optimistë për të ardhmen, ndërsa 56% e shohin atë me negativitet. Megjithatë, e ardhmja e teknologjisë nuk është vetëm për “robotë që na zëvendësojnë” apo për një jetë të dominuar nga ekranet. Përkundrazi, ajo mund të sjellë përmirësime të mëdha në jetën tonë të përditshme, dhe shumë prej tyre pritet të bëhen realitet deri në vitin 2050.
Duke ofruar një perspektivë më pozitive, futuristi Tom Cheesewright shprehet: “Është bërë modë të ankohemi për një të ardhme të dominuar nga AI, robotika dhe ndryshimet e vazhdueshme teknologjike, por në të vërtetë kemi shumë gjëra për të pritur me entuziazëm. Kur shikon përparimin e shekullit XXI, nga deshifrimi i gjenomit njerëzor deri te rritja e energjive të rinovueshme, bëhet e qartë se zgjuarsia njerëzore mund ta mposhtë pesimizmin.”
Sipas tij, 24 vitet e ardhshme mund të jenë periudha më e madhe e progresit njerëzor në historinë tonë. Në bashkëpunim me astrofizikanin Alastair Reynolds, Cheesewright ka identifikuar disa zhvillime teknologjike që mund të ndryshojnë rrënjësisht jetën tonë deri në vitin 2050.
Lexo edhe: Mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime për bashkitë e prekura nga zjarret e verës
1. Organe të printuara biologjikisht
Ekspertët besojnë se deri në vitin 2050, bio-printerët do të jenë në gjendje të krijojnë organe komplekse si veshka, mëlçi apo edhe sy, duke përdorur qelizat e vetë pacientit. Kjo do të thotë zero rrezik refuzimi dhe pa lista të gjata pritjeje për donatorë. Hapat e parë tashmë janë hedhur: studiues nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko dhe Cedars-Sinai kanë njoftuar se kanë arritur progres në rritjen e organeve nga e para. Nëse ky është niveli sot, imagjinoni çfarë mund të arrihet pas dy dekadash.
2. Ashensorë drejt hapësirës
Edhe pse tingëllon si fantashkencë, ekspertët besojnë se deri në vitin 2050 mund të ndërtohet ashensori i parë hapësinor, një strukturë gjigante që do të transportojë njerëz dhe mallra në orbitë. Kompania japoneze Obayashi Corporation ka deklaruar se po synon ndërtimin e një ashensori hapësinor me një kabllo prej nanotubash karboni 96,000 km të gjatë, i aftë të transportojë ngarkesa deri në 100 tonë. Projekti përfshin edhe stacione orbitale dhe qendra gravitacioni për Hënën dhe Marsin.
3. “Shokë shtëpie” robotikë
Sipas ekspertëve, robotët humanoidë mund të bëhen të zakonshëm në shtëpitë tona brenda 24 viteve, ndërsa çmimi i tyre pritet të bjerë ndjeshëm. Disa modele tashmë ekzistojnë. Roboti Optimus i Tesla pritet të kushtojë rreth 20,000 dollarë, ndërsa roboti “Neo” nga kompania norvegjeze 1X Technologies ofrohet për porosi paraprake. Deri në vitin 2050, robotët shtëpiakë mund të jenë po aq normalë sa pajisjet elektrike sot.
4. Mish i prodhuar në laborator
Ekspertët parashikojnë se konsumi i mishit do të vazhdojë të bjerë, ndërsa alternativat proteinike do të bëhen më të përhapura. Mishi i prodhuar në laborator pritet të jetë më i lirë, më i shijshëm dhe një zgjedhje etike për ata që duan të reduktojnë konsumimin e mishit tradicional. Sipas BBC News, mishi i kultivuar në laborator mund të dalë në tregun britanik që në vitin 2027, ndërsa në SHBA është miratuar për shitje që në vitin 2023. Edhe pse sot shumë njerëz janë skeptikë, kjo mund të ndryshojë ndjeshëm deri në vitin 2050.
5. Fundi i telefonave smart
Edhe pse janë bërë pjesë thelbësore e jetës sonë, smartfonët pritet të zëvendësohen nga syze inteligjente. Këto pajisje do të ofrojnë akses në informacion, komunikim dhe realitet të shtuar – pa pasur nevojë për ekran në dorë.
Pyetja mbetet: a jeni gati ta lini telefonin për një palë syze inteligjente?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.