Eksperienca e Sabina Rehusova, një grua e cila udhëton botë e vetme, në Shqipëri - Business Magazine Albania

Eksperienca e Sabina Rehusova, një grua e cila udhëton botë e vetme, në Shqipëri

Sabina Rehusova

Intervistoi: Prishila Gjoka

Sabina Rehusova është një grua sllovake që i pëlqen të udhëtojë, qoftë për biznes apo kënaqësi. Prej vitesh ajo udhëton nëpër botë, por së fundmi ka udhëtuar më shpesh në Ballkan për arsye pune. Nëse do të kishte një fjalë specifike për ta quajtur, do të ishte një nomade digjitale me kohë të pjesshme.

Gjatë kërkimeve të saj në LinkedIn, ajo zbuloi AlbaniaTech dhe vendosi të ndajë me platformën kohën e mrekullueshme që kaloi në Shqipëri verën e kaluar. E pyetur për herën e parë që dëgjoi për Shqipërinë, ajo përgjigjet pa u menduar se e ka ditur gjithmonë se ekzistonte Shqipëria.

“Unë jam nga Sllovakia dhe jam një vizitore e shpeshtë në rajonin e Ballkanit, kështu që Shqipëria, natyrisht, ka qenë në listën time për disa kohë. Hera ime e parë që udhëtova në Shqipëri ishte në fakt verën e kaluar. Edhe pse e kisha në plan ta vizitoja në 2019 për pushimet verore, për shkak të gjithë situatës që shkaktoi Covid-19 vendosa ta shtyja, por vitin e kaluar në verën e 2021 vendosa të vij.”

Lexo: Nga Kosova në Los Angelos: Si i riu shqiptar i shpëtoi luftës për të jetuar “Ëndrrën Amerikane”

Megjithatë, Sabina Rehusova duket se është një femër shumë e informuar ndaj kishte dëgjuar edhe për thashethemet përsa i përket sigurisë në Shqipëri, opinion që vendosi ta sfidojë duke ardhur në vendin tonë.

“Unë udhëtoj shumë vetëm dhe të udhëtosh vetëm si grua paraqet rreziqe. Por e pashë këtë udhëtim në Shqipëri, si një shans për të vërtetuar se bota nuk është aq kërcënuese sa na thonë dhe gratë mund të udhëtojnë pa frikë, edhe në ato vende që shihen negativisht përsa i përket sigurisë. Ka disa këndvështrime negative që vijnë nga mediat dhe më duhet të them se kam qenë duke udhëtuar për 14 ditë në Shqipëri dhe nuk kam pasur asnjë përvojë negative”, rrëfen Sabina.

Sabina tregon me shumë kënaqësi edhe për ushqimin e shijshëm dhe vendasit miqësorë: “Oh, ushqimi është i shkëlqyeshëm! Njerëzit janë shumë mikpritës dhe miqësorë dhe unë vë re se ky është një aspekt themelor i shoqërisë shqiptare, shqiptarët janë jashtëzakonisht bujarë dhe mikpritës. Madje një familje shqiptare më ftoi për t’u bashkuar me ta për një darkë familjare. Ishte vërtet e mrekullueshme dhe më ofruan ushqim mjaftueshëm për të ushqyer një ushtri.” tregon ajo duke buzëqeshur.

Sabina Rehusova thotë se nuk është shumë e dhënë pas plazheve, ndaj erdhi me synimin për të zbuluar një pjesë tjetër të Shqipërisë, që mund të quhet lehtësisht një thesar për shqiptarët! Ajo vizitoi 3 vende të ndryshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Butrintin në pjesën jugore të Shqipërisë që është mikrokozmosi i Mesdheut, Beratin dhe Gjirokastrën.

Edhe pse udhëtimi në Shqipëri kishte të mirat e veta, ne nuk mund të mos e pyesnim Sabinën nëse e kishte të vështirë të hynte në Shqipëri si e huaj.

“Jo në të vërtetë, sepse nuk kam nevojë për vizë për t’ju vizituar. Edhe pse e mbaj pasaportën time me vete kur udhëtoj në rajonin e Ballkanit, por nuk e përdor. Përdor kartën time të identitetit. Çështja e vetme në verën e 2020 ishin çertifikatat e Covid, por nuk pata asnjë problem me këtë sepse e kisha çertifikatën time.”

Sabina tregon gjithashtu se kostot e udhëtimit dhe qëndrimit ishin shumë të përballueshme për standardin e saj, por u shpreh me shumë kujdes se e kupton që nivelet ekonomike ndryshojnë nga vendi në vend, kështu që ajo që dukej e përballueshme për të mund të mos ishte aq për vendasit apo njerëz që udhëtojnë nga vende të caktuara.

Lexo: Top 5 sipërmarrësit më të suksesshëm të intervistuar nga Businessmag gjatë 2021

E pyetur për gjënë që i pëlqeu më shumë në Shqipëri, mund të habiteni kur të zbuloni se ishte Tirana: “Kryeqyteti dhe pamja e gjelbër e tij. Mendova dhe prisja që Tirana të ishte gri dhe e errët si shumë qytete që ranë nën regjimin komunist, por doli krejt e kundërta. Ka parqe dhe ndërtesat janë të lyera me ngjyra të ndryshme. Ishte vërtet bukur!”

Sabina ka vizituar shumë vende dhe ishte këmbëngulëse në mendimin e saj se për ta bërë Shqipërinë më të mirë për nomadët digjtal, si hap i parë duhet t’i kushtojmë vëmendje infrastrukturës. Shqipëria duhet të lehtësojë udhëtimin nga një vend në tjetrin, u shpreh ajo.

Sabina do të rikthehet gjatë verës dhe do të vizitojë miqtë e saj të rinj nga Shqipëria, ndërsa me siguri do të vazhdojë ta sugjerojë tek të tjerë që ta vizitojnë vendin tonë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0