E papritur! OpenAI në partneritet me Google pavarësisht rivalitetit për AI - Business Magazine Albania

E papritur! OpenAI në partneritet me Google pavarësisht rivalitetit për AI

E papritur! OpenAI në partneritet me Google pavarësisht rivalitetit për AI

OpenAI ka vendosur të bashkëpunojë me shërbimin cloud të Alphabet (Google), për të përmbushur nevojat e saj në rritje për kapacitet kompjuterik, sipas tre burimeve të cituara nga Reuters. Ky është një bashkëpunim i papritur mes dy konkurrentëve të mëdhenj në sektorin e inteligjencës artificiale (AI). Marrëveshja, e diskutuar për disa muaj, u finalizua në maj, tha një nga burimet.

Ky hap nxjerr në pah ndryshimet në dinamikat konkurruese të AI-s, të nxitura nga kërkesat e mëdha për kapacitete kompjuterike për trajnimin dhe implementimin e modeleve të AI-s. Po ashtu, ky është një hap i ri i OpenAI për të diversifikuar burimet e saj të kapaciteteve kompjuterike, duke u shkëputur nga varësia e saj ndaj mbështetësit kryesor, Microsoft, përfshirë projektin e saj të profilit të lartë të qendrës së të dhënave Stargate.

Për Google, kjo marrëveshje është një fitore për njësinë e saj të shërbimeve cloud, e cila do të ofrojë kapacitet shtesë për infrastrukturën ekzistuese të OpenAI për trajnimin dhe ekzekutimin e modeleve të saj të AI-s, thanë burimet, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për shkak të natyrës private të çështjes. Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur ChatGPT i OpenAI përbën kërcënimin më të madh në vite për biznesin dominues të kërkimit të Google, me drejtuesit e Google që kohët e fundit kanë deklaruar se gara në AI mund të mos ketë një fitues të vetëm.

Që nga debutimi i ChatGPT në fund të vitit 2022, OpenAI ka përballuar një rritje të kërkesës për kapacitet kompjuterik,  i njohur në industri si “compute”,  për trajnimin e modeleve të mëdha gjuhësore dhe për procesimin e informacionit, që mundëson përdorimin e këtyre modeleve nga publiku. Të hënën, OpenAI njoftoi se të ardhurat e saj vjetore të projektuara arritën në 10 miliardë dollarë në qershor, duke e pozicionuar kompaninë drejt arritjes së objektivit të saj vjetor, mes adoptimit të gjerë të AI-s. Më herët gjatë këtij viti, OpenAI nënshkroi partneritete me SoftBank dhe Oracle për programin e infrastrukturës Stargate me vlerë 500 miliardë dollarë dhe lidhi marrëveshje me vlerë miliarda dollarë me CoreWeave për më shumë kapacitet kompjuterik. Po ashtu, kompania është në rrugën e duhur për të finalizuar dizajnin e çipit të saj të parë të brendshëm, i cili mund të zvogëlojë varësinë nga furnizuesit e jashtëm të pajisjeve, raportoi Reuters në shkurt. Partneriteti me Google është lëvizja më e fundit e OpenAI për të reduktuar varësinë nga Microsoft, shërbimi cloud i të cilit, Azure, ka qenë ofruesi ekskluziv i infrastrukturës së qendrës së të dhënave për ChatGPT deri në janar. Google dhe OpenAI kishin diskutuar një marrëveshje për muaj me radhë, por ishin penguar nga ekskluziviteti i OpenAI me Microsoft, tha një burim për Reuters. Microsoft dhe OpenAI po ashtu janë në negociata për të rishikuar kushtet e investimit të tyre prej miliarda dollarësh, përfshirë pjesën e ardhshme të kapitalit që Microsoft do të mbajë në OpenAI.

Lexo edhe:ChatGPT lë pa përgjigje përdoruesit!

Për Google, marrëveshja vjen ndërsa gjiganti teknologjik po zgjeron përdorimin e çipave të tij të brendshëm, të njohur si Tensor Processing Units (TPU), të cilët historikisht ishin të rezervuar për përdorim të brendshëm. Kjo ka ndihmuar Google të tërheqë klientë si Apple dhe startup-e si Anthropic dhe Safe Superintelligence, dy konkurrentë të OpenAI të themeluar nga ish-drejtues të saj. Shtimi i OpenAI në listën e klientëve tregon se si Google ka shfrytëzuar teknologjinë e saj të AI-s, nga pajisjet deri te softueri, për të përshpejtuar rritjen e biznesit të saj cloud.

Google Cloud, me shitje prej 43 miliardë dollarësh që përbënin 12% të të ardhurave të Alphabet për vitin 2024, është pozicionuar si një ofrues neutral i burimeve kompjuterike, duke synuar të tejkalojë Amazon dhe Microsoft si zgjedhja kryesore për startup-et e AI-s, të cilat kanë kërkesa të mëdha infrastrukturore që gjenerojnë fatura të larta. Alphabet përballet me presionin e tregut për të demonstruar kthime financiare nga shpenzimet e saj kapitale për AI, të cilat pritet të arrijnë 75 miliardë dollarë këtë vit, ndërsa mban linjën e saj të fitimeve kundër kërcënimeve nga ofertat konkurruese të AI-s dhe zbatimit të rregulloreve antitrust.

Njësia e AI-s së Google, DeepMind, gjithashtu konkurron drejtpërdrejt me OpenAI dhe Anthropic në garën për të zhvilluar modelet më të avancuara dhe për t’i integruar ato në aplikacione për konsumatorët. Shitja e kapaciteteve kompjuterike pakëson furnizimin e çipave të Google, ndërsa forcon rivalët e kufizuar nga kapaciteti. Marrëveshja me OpenAI do të ndërlikojë më tej mënyrën se si CEO i Alphabet, Sundar Pichai, alokon kapacitetin mes interesave konkurruese të segmenteve të biznesit të ndërmarrjeve dhe konsumatorëve të Google.

Google tashmë kishte mungesë kapaciteti për të përmbushur kërkesat e klientëve të saj cloud në tremujorin e fundit, tha drejtorja financiare Anat Ashkenazi për analistët në prill. Edhe pse ChatGPT ka një avantazh të madh në numrin e përdoruesve mujorë krahasuar me chatbot-in konkurrent të Google, dhe analistët kanë parashikuar se mund të ulë dominimin e Google në tregun e kërkimit, Pichai ka hedhur poshtë shqetësimet se OpenAI do të zëvendësojë dominimin e biznesit të Google.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0