Instagrami po hetohet nga Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës (DPC) lidhur me trajtimin e të dhënave personale të fëmijëve në platformë. Pronari i aplikacionit të Instagramit, Facebooku mund të përballet me një gjobë të madhe nëse zbulohet se Instagrami ka thyer ligjet e privatësisë. Dyshohet se rreth 5 milionë adresa emaili dhe numra telefoni që u përkasin fëmijëve mund të jenë zbuluar nga Instagrami. Kjo, në një përpjekje për të marrë një pasqyrë më të thellë se si po funksionojnë postimet e tyre. Alex Meron-McCann, i firmës së sigurisë kibernetike McAfee, ka paralajmëruar se kjo mund të ketë pasoja të tmerrshme për adoleshentët. “Meqenëse këto detaje janë publike në llogaritë e biznesit, fëmijët që përdorin Instagram në këtë mënyrë mund të kontaktohen nga çdokush,“- ka thënë ai. Sipas shkencëtarit të pavarur të të dhënave, David Stier, miliona adoleshentë po konvertojnë profilet e tyre në llogari biznesi.
Hetimet nisën pas një sërë ankesash kur Instagrami bëri që informacioni i kontaktit në llogaritë e biznesit të ishte publikisht i dukshëm për këdo që hyn në aplikacion. Një numër i gjigandëve të teknologjisë amerikane e kanë selinë e tyre evropiane në Irlandë dhe DPC është rregullatori kryesor i Bashkimit Evropian, nën Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE-së (GDPR), e cila hyri në fuqi në 2018.
LEXO: Instagram do të fshehë komentet negative
DPC është përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtës së individëve për privatësi në internet dhe ka fuqinë të vërë gjoba të mëdha. Rregullatori Irlandez po heton nëse Facebook ka një bazë ligjore për përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve dhe nëse përdor mbrojtje dhe kufizime adekuate në Instagram për fëmijët. Veçmas, po heton gjithashtu nëse Facebook ka respektuar kërkesat e GDPR-së në lidhje me profilin e Instagramit dhe cilësimet e llogarisë. Po hetohet nëse Facebooku po mbron në mënyrë adekuate të drejtat e mbrojtjes së të dhënave të fëmijëve si persona vulnerabël.

Mosha minimale për të pasur një llogari në Instagram është 13 vjeç. “Instagrami është një platformë e mediave sociale e cila përdoret gjerësisht nga fëmijët në Irlandë dhe në të gjithë Evropën. DPC ka monitoruar në mënyrë aktive ankesat e marra nga individë në këtë fushë dhe ka identifikuar shqetësime të mundshme në lidhje me përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve në Instagram, të cilat kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm.”- tha Graham Doyle, një nënkomisar i DPC-së.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto