Dronët në SHBA po përdoren për shpërndarjen e mallrave - Business Magazine Albania

Dronët në SHBA po përdoren për shpërndarjen e mallrave

Dronët

Dronët përdoren gjerësisht në operacione luftarake, nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në bujqësi. Siç njofton, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, tashmë gjithnjë e më shumë biznese amerikane po i përdorin dronët për të dërguar ushqime dhe mallra tek dera e shtëpisë së klientëve.

Diçka e pazakontë po ndodh në Virxhinian lindore. Ushqimet i sillen familjes Baugh me dron. Dhe kjo ndodh të paktën një herë në javë.

“Është shumë e leverdisshme për ne, me dy fëmijë binjakë. Nuk harxhojmë kohë me futjen e ushqimeve në makinë, me shkarkimin nga makina… Nëse do duhej të bënim 30 minuta rrugë, tashmë vijnë për gati 15 minuta këtu në shtëpi”, thotë Chad Baugh.

Zoti Baugh i porosit mallrat në internet, nga një prej kompanive më të mëdha të supermarketeve në Amerikë, “Walmart”. Kompania thotë se ka shpërndarë rreth 6 mijë pako nëpërmjet dronëve vitin e kaluar.

“Dronët plotësojnë disa kushte. Pikë së pari janë efikasë dhe të shpejtë. Dhe gjithashtu nuk dëmtojnë mjedisin”, thotë Phillip Wallace, drejtor për marrëdhëniet me qeverinë në kompaninë “Walmart”. Për shpërndarjen e pjesës më të madhe të mallrave të porositur, kompania përdor shërbimin DroneUp. Pasi klienti bën një porosi në internet, DroneUp merr mallin në dyqan, e vendos në një kuti dhe ia dërgon klientit, zakonisht brenda 30 minutave.

Shërbimet e shpërndarjes me dron janë veçanërisht të përshtatshme për njerëzit që banojnë në zona rurale, të moshuarit, apo ata që kanë probleme me lëvizjen. Dronët po përdoren rregullisht në vende të tjera për të dërguar ilaçe në zonat e largëta.

Por, në Shtetet e Bashkuara përdorimi i tyre nga bizneset është ende eksperimental. Dhe si me çdo teknologji të re, përdorimi i dronëve përballet me disa sfida, si motin e keq dhe frika për privatësinë.

“Programi ynë mund të identifikojë zona mbi të cilat nuk do të donim të fluturonte droni”, thotë Anthony Vittone, drejtor i operacioneve në kompaninë “DroneUp”.

Droni lëviz në lartësinë rreth 25 metra nga toka, lartësi kjo që ndihmon me privatësinë dhe ul nivelin e zhurmës. Por, kompania DroneUp thotë se sfida kryesore janë rregullat e rrepta të vendosura nga Administrata Federale e Aviacionit, që mbikqyr sektorin e dronëve.

Lexo: Inteligjenca Artificiale, më e rrezikshme se sa ngrohja globale?

“Mendoj se administrata ka bërë shumë për avancimin e teknologjisë së dronëve, por nuk mbajnë ritmin e përparimeve tona”, thotë zoti Vittone.

Administrata Federale e Aviacionit i tha Zërit të Amerikës se nga shtatori, dronët do të duhet të transmetojnë informacionin për verifikimin e identitetit nga distanca. Ky është një hap madhor drejt Menaxhimit të Trafikut të Mjeteve pa Pilot.

“Integrimi i dronëve është një çështje e rëndësishme në Administratën Federale të Aviacionit. Bëhet fjalë për problemet e integrimit të dronëve në sistemet ekzistuese të kontrollit të trafikut ajror. Se si të sigurohemi që këto konflikte të zgjidhen në mënyrë të drejtë”, thotë Miriam McNabb, redaktore në faqen e lajmeve për dronët në internet, “DroneLife”.

Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.

“Mendoj se aviacioni pa pilot do të jetë shumë i dobishëm për të gjithë në të ardhmen. Ndërsa shtohen kompanitë e shitjeve në internet, do të mundet t’i merrni produktet në shtëpi më shpejt dhe me më shumë siguri”, thotë zoti Baugh.

Ky sektor po merr zhvillim në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0