Doni të udhëtoni? Nuk vendosen më viza, duhet të aplikoni për autorizim - Business Magazine Albania

Doni të udhëtoni? Nuk vendosen më viza, duhet të aplikoni për autorizim

Komisioni propozon sot krijimin e një Sistemi Europian Informacioni dhe Autorizimi për Udhëtimet (ETIAS) për të forcuar kontrollet e sigurisë për udhëtarët pa viza. Kjo pason njoftimin e bërë në shtator nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij mbi Gjendjen e BE-së 2016 dhe është rezultati i parë i përparësive për veprimet e identifikuara në Planin e Veprimit të Bratislavës. ETIAS do të mbledhë informacion mbi gjithë ata që udhëtojnë pa viza në Bashkimin Europian për të lejuar kontrolle të avancuara për migrimin e parregullt dhe sigurinë. Kjo do të kontribuojë për një menaxhim më efikas të kufijve të jashtëm të BE-së dhe do të përmirësojë sigurinë e brendshme, ndërsa do të lehtësojë në të njëjtën kohë udhëtimet e ligjshme përmes kufijve Schengen. 

Zëvendës Presidenti i Parë Frans Timmermans tha: “Sigurimi i kufijve tanë dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është prioriteti ynë i parë. ETIAS do të mbyllë një hendek informacioni duke verifikuar informacionin e aplikantëve të përjashtuar nga vizat kundrejt gjithë sistemeve tona të tjera. Njëkohësisht, sistemi i ardhshëm ETIAS do të jetë i lehtë, i shpejtë, i lirë dhe efektiv.”

Komisioneri për Migracionin dhe Punët e Brendshme Dimitris Avramopoulos tha: “ETIAS është hallka e munguar në menaxhimin tonë të kufijve, që lidh pikat me politikat tona të migrimit dhe sigurisë dhe forcon hyrjen Schengen për të paktën 95% të udhëtarëve pa viza. Hapja e Evropës nuk vjen me koston e sigurisë së saj”,

Komisioneri për Bashkimin për Sigurinë Julian King tha: “Terroristët dhe kriminelët nuk merakosen shumë për kufijtë kombëtarë. E vetmja mënyrë për t’i mposhtur ata është duke punuar së bashku në mënyrë efektive. ETIAS do të ndihmojë për ta bërë këtë: duke pikasur individualë problematikë dhe duke i ndaluar të hyjnë ne do të forcojmë sigurinë e brendshme të Evropës“.

Autorizimi ETIAS nuk është vizë; ai është një regjim më i lehtë dhe më miqësor me vizitorët. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do të duhet të marrin një autorizim të thjeshtë udhëtimi para se të udhëtojnë në Zonën Schengen. Kjo do të ndihmojë për të identifikuar personat që mund të paraqesin risk për migrim të parregullt apo risk sigurie para se ata të mbërrijnë në kufi, si dhe forcon shumë sigurinë e kufijve të jashtëm. ETIAS do të bashkojë gjithashtu një hendek ekzistues informacioni mbi udhëtarët pa viza, duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e Shteteve Anëtare para se ata të mbërrijnë në kufirin Schengen. Prandaj ETIAS është një hap përpara me rëndësi drejt sistemeve më të forta dhe më të zgjuara të informacionit për kufijtë dhe sigurinë. ETIAS do të lehtësojë gjithashtu kalimin e kufirit të jashtëm nga shtetas të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat. Udhëtarët do të kenë një tregues të hershëm të qëndrueshëm të hyrjes në zonën Schengen, çka do të reduktojë kështu shumë numrin e refuzimeve të hyrjes.

Me qëllim që të vendoset të jepet apo të refuzohet një kërkesë për udhëtim në BE, një sistem i automatizuar do të kryejë kontrolle paraprake, në përputhje të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të të gjithë udhëtarëve do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat.

ETIAS do të menaxhohet nga Roja Europiane e Kufirit dhe Brigjeve në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kompetente të Shteteve Anëtare dhe Europol-in. Agjencia eu-LISA do të hartojë dhe sigurojë menaxhimin teknik të këtij sistemi informacioni.

Funksionet kyçe të ETIAS do të jenë të:

  • Verifikojë informacionin e paraqitur nga shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat (si informacion lidhur me identitetin, dokumentin e udhëtimit, informacionin mbi rezidencën, detaje kontakti, etj.), përmes një aplikimi online para udhëtimit të tyre në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të vlerësuar nëse paraqesin risk për migrim të parregullt, për sigurinë apo shëndetin publik;
  • Përpunojnë automatikisht çdo aplikim të paraqitur përmes një uebsajti apo një aplikim me celular kundrejt sistemeve të tjerë të informacionit të BE-së (si SIS, VIS, baza e të dhënave e Europol-it, baza e të dhënave e Interpol-it, EES, Eurodac, ECRIS), një listë të dedikuar sigurie të ETIAS (përcaktuar nga Europol) dhe rregulla kontrolli të shënjestruara, proporcionale dhe të përcaktuara qartë për të vendosur nëse ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të lëshuar apo refuzuar një autorizim udhëtimi;
  • Lëshojnë autorizime udhëtimi. Në rastet kur nuk identifikohen të dhëna apo elementë që kërkojnë analizë të mëtejshme, autorizimi i udhëtimit lëshohet automatikisht disa minuta pas paraqitjes së aplikimit.

Autorizimi do të merret përmes një procedure që është e thjeshtë, e lirë dhe e shpejtë; në shumicën e rasteve, një autorizim duhet dhënë brenda pak minutave. Autorizimi, aplikimi për të cilin nuk do të duhet më shumë se dhjetë minuta për t’u plotësuar dhe që kërkon vetëm një dokument të vlefshëm udhëtimi, do të jetë i vlefshëm për një periudhë pesëvjeçare dhe për shumë udhëtime. Një tarifë aplikimi prej vetëm 5 € do të aplikohet për të gjithë aplikantët mbi 18 vjeç.

Bashkimi për Sigurinë: Një Sistem Europian Informacioni dhe Autorizimi për Udhëtimet – Pyetje & Përgjigje

Siguria ka qenë një temë e vazhdueshme që prej fillimit të mandatit të Komisionit Juncker – nga Udhëzimet Politike të Presidentit Juncker të korrikut 2014, deri te Fjalimi i tij i fundit mbi Gjendjen e BE-së në shtator 2016. Në fjalën e tij Presidenti Juncker njoftoi se në nëntor Komisioni do të propozojë një Sistem Europian Informacioni për Udhëtimet (ETIAS) – një sistem i automatizuar për të përcaktuar se kush do të lejohet të udhëtojë në Zonën Schengen. Propozimi i Komisionit për ngritjen e këtij sistemi është rezultati i parë i përparësive për veprim të identifikuara në Planin e Veprimit të Bratislavës.

Çfarë është Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS)?

ETIAS fdo të jetë një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Zonën Schengen. Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Schengen, do të duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre. Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të risqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.

Autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen, që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre.

Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit. Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të udhëtarëve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të riskut të shtetasve të vendeve të treta, si dhe do të reduktojnë shumë numrin e refuzimeve të hyrjes në pikat e kalimit të kufirit.

Si do t’i trajtojë ETIAS hendeqet ekzistuese të informacionit?

Aktualisht autoritetet kompetente të kufirit dhe zbatimit të ligjit kanë pak informacion mbi ata që janë të përjashtuar nga vizat – ndërsa kanë informacion mbi njerëzit që udhëtojnë me viza.

Duke siguruar që gjithë vizitorët të kontrollohen para mbërritjes së tyre dhe që një autorizim i vlefshëm udhëtimi kërkohet për gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat, ETIAS do të identifikojë personat që mund të paraqesin risk për sigurinë apo për migrim të parregullt para se ata të mbërrijnë në kufi dhe do ta trajtojë këtë hendek informacioni mbi udhëtarët pa viza duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e kufirit dhe zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare.

Si i plotëson ETIAS sistemet ekzistuese të informacionit për kufijtë dhe sigurinë?

Në përputhje me strategjinë e ndërveprimit të propozuar në Komunikatën mbi Sisteme Informacioni më të Fortë dhe më të Zgjuar për Kufijtë dhe Sigurinë e datës 6 prill 2016, ETIAS është planifikuar të jetë ndërveprues me sistemet ekzistues, si dhe sistemet aktualisht ende në zhvillim, si Sistemi i Hyrje-Daljeve(EES).

Sa më shumë të jetë e mundur dhe kur është teknikisht e arritshme, Sistemi i Informacionit ETIAS do të ripërdorë komponentët harduerë dhe softuerë të EES dhe infrastrukturën e tij të komunikimit. Gjithashtu do të vendoset ndërveprim me sisteme të tjera të informacionit që do të konsultohen nga ETIAS, si Sistemit i Informacionit të Vizave (VIS), të dhënat e Europolit, Sistemi i Informacionit Schengen (SIS), Eurodac dhe Sistemi Europian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).

ETIAS dhe EES do të ndajnë një depozitë të përbashkët të dhënash personale të shtetasve të vendeve të treta, me të dhëna shtesë nga aplikimi ETIAS (për shembull, informacion mbi rezidencën, përgjigje për pyetje mbi të kaluarën, adresën IP) dhe dosjet hyrje-dalje të EES të ruajtura veçmas, por të lidhura me këtë dosje të përbashkët dhe të vetme identifikimi.

Kundrejt cilave baza të dhënash do t’i verifikojë ETIAS të dhënat e udhëtarëve?

Kur verifikon dhe vlerëson informacionin e paraqitur nga udhëtarët e përjashtuar nga vizat me qëllim që t’u jepet apo mohohet një autorizim udhëtimi, sistemi do të verifikojë automatikisht çdo aplikim kundrejt:

  • Sistemeve përkatës ekzistues të informacionit të BE-së:
  • Sistemit të Informacionit Schengen (SIS),
  • Sistemit të Informacionit të Vizave (VIS),
  • Të dhënave të Europolit,
  • Bazën e të dhënave Eurodac,
  • Sistemeve të propozuar të ardhshëm të informacionit të BE-së:
  • Sistemi Hyrje/Dalje (EES),
  • Sistemi Europian i Informacionit për Dosjet Penale (ECRIS).
  • Bazave përkatëse të të dhënave të Interpolit:
  • Bazën e të dhënave të Dokumenteve të Vjedhura dhe të Humbura të Udhëtimit të Interpolit (SLTD),
  • Dokumentet e Udhëtimit të Interpolit të shoqëruara me bazën e të dhënave të njoftimeve (TDAWN)),
  • Si dhe një listë të dedikuar mbikëqyrjeje të ETIAS (që do të krijohet nga Europoli).

Si do ta përmirësojë ETIAS sigurinë e qytetarëve të BE-së?

Duke siguruar informacion jetik mbi sigurinë, migrimin e parregullt dhe risqet për shëndetin publik para mbërritjes së një personi në kufirin Schengen, ETIAS do të kontribuojë shumë për mbylljen e hendeqeve ekzistues të informacionit mbi sigurinë dhe do t’u sigurojë informacionin jetik të nevojshëm autoriteteve të Shteteve Anëtare për t’i ndihmuar të piketojnë individët potencialisht problematikë, si dhe për të marrë masa para se ata të mbërrijnë në kufijtë e jashtëm Schengen.

Në mënyrë më specifike, një identifikim më i mirë dhe më i saktë i risqeve potenciale për sigurinë ei shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat para se të mbërrijnë në kufirin e jashtëm të zonës Schengen do të përmirësojë zbulimin e trafikimit të qenieve njerëzore (veçanërisht në rastin e të miturve), do të ndihmojë për t’i bërë ballë kriminalitetit ndërkufitar, si dhe përgjithësisht do të lehtësojë identifikimin e personave prania e të cilëve në zonën Schengen mund të përbëjë kërcënim për sigurinë. Kështu ETIAS kontribuon në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve në zonën Schengen dhe rrit sigurinë e brendshme të BE-së.

Të dhënat e ruajtura në ETIAS, në respekt të të drejtave themelore dhe mbrojtjes së të dhënave, mund të vihen gjithashtu në dispozicion të autoriteteve kombëtare të zbatimit të ligjit dhe Europolit, nëse është e nevojshme për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimeve terroriste, apo vepra të tjera penale serioze, si dhe për identifikimin e autorit të një vepre terroriste apo krimi tjetër serioz.

Cili është ndryshimi mes një vize Schengen dhe një autorizimi për udhëtim ETIAS?

Para së gjithash, ETIAS nuk është vizë. Një udhëtar pa vizë sigurisht që nuk ka nevojë për vizë për të hyrë në zonën Schengen. ETIAS nuk do ta ndryshojë këtë. ETIAS është një sistem më i lehtë, shumë më i lirë, më i shpejtë dhe më miqësor me vizitorët që në më shumë se 95% të rasteve do të rezultojë me një përgjigje pozitive brenda pak minutave. Nuk mund të krahasohet me një vizë Schengen. ETIAS është një hap procedural i nevojshëm dhe i vogël për gjithë udhëtarët e përjashtuar nga vizat, që do t’u mundësojë atyre të shmangin burokracinë dhe vonesat kur paraqiten në kufij. Prandaj ETIAS jo vetëm që do të respektojë plotësisht statusin pa viza, por edhe do të lehtësojë kalimin e kufirit të jashtëm Schengen për qytetarët e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat dhe do t’u mundësojë vizitorëve pa viza të gëzojnë plotësisht statusin e tyre.

Një autorizim udhëtimi ETIAS nuk nënkupton kërkesat e një vize. Nuk ka nevojë të shkohet në konsullatë për të bërë një aplikim, nuk kërkohet regjistrim biometrik dhe mblidhet dhe vlerësohet shumë më pak informacion sesa gjatë një procedure aplikimi për vizë. Ndërsa, si rregull i përgjithshëm, një procedurë për vizë Schengen mund të kërkojë deri në 15 ditë dhe në disa raste mund të zgjatet deri në 30 apo 60 ditë, aplikimi online ETIAS kërkon vetëm pak minuta për t’u plotësuar. Vlefshmëria do të jetë për një periudhë prej pesë vjetësh, shumë më e gjatë sesa vlefshmëria e një vize Schengen. ETIAS do të jetë gjithashtu i vlefshëm për një numër të pakufizuar hyrjesh.

Cili është efekti i ETIAS mbi politikën e zakonshme të vizave?

Liberalizimi i vizave është një mekanizëm me rëndësi në ndërtimin e partneriteteve me vendet e treta dhe në rritjen e tërheqjes së BE-së për biznesin dhe turizmin. Verifikimi i detyrueshëm sistematik që më parë dhe vlerësimi i riskut potencial lidhur me udhëtarët e përjashtuar nga vizat përmes ETIAS, duke respektuar plotësisht statusin e tyre pa viza do të ndihmojë për të ruajtur dhe plotësuar suksesin e politikës së BE-së për liberalizimin e vizave. Shtimi i kësaj shtrese informacioni dhe vlerësimi i riskut për vizitorët pa viza do t’u sjellë vlerë të shuar të konsiderueshme masave ekzistuese për ruajtjen dhe forcimin e sigurisë së zonës Schengen, si dhe do t’u mundësojë vizitorëve pa viza ta gëzojnë plotësisht statusin e tyre.

Ndërsa dialogët për liberalizimin e vizave me vendet e treta vazhdojnë të bëjnë progres, ETIAS do të forcojë kapacitetin e BE-së për të vlerësuar dhe menaxhuar migrimin potencial dhe risqet e sigurisë që përfaqësohen nga një numër në rritje udhëtarësh pa viza, ndërsa në të njëjtën kohë lehtëson kalimin e kufijve të jashtëm Schengen. Udhëtarët do të kenë gjithashtu një tregues të hershëm të qëndrueshëm të hyrjes në zonën Schengen që do ta reduktojë shumë numrin e refuzimeve të hyrjes. Ky është një përmirësim shumë i madh për udhëtarët krahasuar me gjendjen aktuale.

Si do ta sigurojë dhe garantojë ETIAS respektin për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave?

Propozimi i Komisionit i përmbahet plotësisht Kartës për të Drejtat Themelore dhe përmban gjithë masat e duhura lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar që ETIAS zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të mbrojtjes së të dhënave, në veçanti lidhur me qasjen që është rreptësisht e kufizuar.

Propozimi parashikon gjithashtu të drejtën për kompensim të individëve, veçanërisht lidhur me të drejtën për një kompensim gjyqësor dhe mbikëqyrjen e operacioneve përpunuese nga autoritete të pavarura publike.

Të dhënat personale të regjistruara në ETIAS nuk do të mbahen më gjatë nga sa është e nevojshme për qëllimin.

Të dhënat do të ruhen për:

  • periudhën e vlefshmërisë së autorizimit të udhëtimit ose,
  • pesë vjet nga regjistrimi i hyrjes së fundit të aplikuesit ruajtur në Sistemin e Hyrje-Daljeve (EES) ose,
  • pesë vjet nga vendimi i fundit për të refuzuar, revokuar apo anuluar autorizimin e udhëtimit.

Periudha e propozuar e mbajtjes së të dhënave lidhur me aplikimet ETIAS, si rregull i përgjithshëm, do të jetë pesë vjet. Kjo periudhë mbajtjeje i korrespondon periudhës së mbajtjes së regjistrimeve EES me autorizim hyrjeje të lëshuar në bazë të një autorizimi për udhëtim ETIAS apo refuzim hyrje. ETIAS do të sigurojë ndërveprim në terma të informacionit dhe infrastrukturës teknologjike me EES dhe zhvillimi i EES dhe ETIAS do të kryhet së bashku dhe në paralel. Ky sinkronizim i periudhave të ruajtjes është i nevojshëm për t’u mundësuar autoriteteve kompetente të kryejnë analizat e nevojshme të riskut dhe për të garantuar që si regjistri i hyrjeve ashtu dhe autorizimi i udhëtimit që lidhet me të të ruhen për të njëjtën kohëzgjatje, duke siguruar gjithashtu ndërveprim mes ETIAS dhe EES.

Pas mbarimit të periudhës pesëvjeçare, dosja e aplikimit dhe të dhënat personale do të fshihen automatikisht nga Sistemi Qendror ETIAS.

Autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare dhe Europol do të kenë qasje në ETIAS, në kushte rreptësisht të përcaktuara, për parandalimin, zbulimin apo hetimin e veprave terroriste apo veprave të tjera serioze penale. Kjo qasje do të jepet për raste specifike dhe vetëm pas një konsultimi paraprak me bazat kombëtare penale të të dhënave dhe kur bazat e të dhënave të Europolit nuk kanë dhënë informacionin e kërkuar. Autoritetet e përcaktuara dhe Europoli duhet të kërkojnë qasje në ETIAS vetëm kur kanë baza të arsyeshme për të besuar se kjo qasje do të sigurojë informacionin që do t’i ndihmojë shumë në parandalimin, zbulimin apo hetimin e krimeve terroriste apo veprave të tjera serioze penale.

Propozimi siguron masa efektive për konsultime nga autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit apo Europoli me të dhënat e ruajtura në sistemin qendror ETIAS:

  • konsultimi me të dhënat e ruajtura në Sistemin Qendror ETIAS për qëllime të zbatimit të ligjit mund të lejohet për parandalimin, zbulimin apo hetimin e veprave penale apo veprave të tjera serioze penale dhe vetëm nëse është e nevojshme për një rast specifik;
  • autoritetet e përcaktuara kombëtare të zbatimit të ligjit dhe Europoli mund të kërkojnë konsultim me të dhënat e ruajtura në Sistemin Qendror ETIAS vetëm nëse ka baza të arsyeshme për të marrë në konsideratë se një qasje e tillë do të kontribuojë shumë për parandalimin, zbulimin apo hetimin e veprës penale në fjalë;
  • elementë të dhënash me rëndësi të kufizuar për hetimet penale nuk do të jenë të disponueshme për konsultim (si arsimi apo të dhëna shëndetësore);
  • të gjitha kërkesat për konsultim me të dhëna të ruajtura në Sistemin Qendror ETIAS i nënshtrohen një verifikimi të pavarur nga një gjykatë apo një autoritet i pavarur me qëllim që të verifikohet nëse janë përmbushur kushtet e rrepta të përcaktuara për qasje për qëllimet e zbatimit të ligjit;
  • autoritetet kombëtare të zbatimit të ligjit dhe Europoli mund të kërkojnë konsultim me të dhënat e ruajtura në Sistemin Qendror ETIAS vetëm nëse kërkimet e mëparshme në gjithë bazat kombëtare përkatëse të të dhënave të Shteteve Anëtare dhe në bazat e të dhënave të Europolit nuk kanë çuar në informacionin e kërkuar.

Si do të strukturohet ETIAS?

ETIAS do të përbëhet nga Sistemi i Informacionit ETIAS, Njësia Qendrore ETIAS dhe Njësitë Kombëtare ETIAS.

Sistemi i Informacionit ETIAS do të përfshijë:

  • një Sistem Qendror për përpunimin e aplikimeve;
  • një Ndërfaqe Kombëtare Uniforme në çdo Shtet Anëtar
  • një Infrastrukturë Komunikimi të sigurtë mes Sistemit Qendror dhe Ndërfaqeve Kombëtare Uniforme;
  • një website publik dhe një aplikacion mobile për pajisje mobile;
  • një shërbim email.

Njësia Qendrore ETIAS do të ngrihet brenda Rojës Europiane Kufitare dhe Bregdetare dhe do të menaxhohet prej saj, si dhe do të jetë pjesë e kuadrit të saj ligjor dhe politik.

Duke operuar 24 orë në javë, Njësia Qendrore ETIAS do të ketë katër detyra kryesore:

  • 1) garanton që të dhënat e ruajtura në dosjet e aplikimit dhe të dhënat e regjistruara janë të sakta dhe të përditësuara;
  • 2) kur është e nevojshme, verifikon aplikimet për autorizim udhëtimi lidhur me identitetin e udhëtarëve në rastet e ndonjë të dhëne të marrë gjatë procesit të automatizuar;
  • 3) përcakton, teston, zbaton, vlerëson dhe rishikon treguesit specifikë të riskut të rregullave verifikuese të ETIAS;
  • 4) kryen kontrolle të rregullta mbi menaxhimin e aplikimeve dhe zbatimin e rregullave të verifikimit ETIAS, veçanërisht lidhur me ndikimin e tyre mbi të drejtat themelore dhe veçanërisht lidhur me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.

Njësitë Kombëtare ETIAS që operojnë 24 orë në javë do të ngrihen në çdo Shtet Anëtar dhe do të kenë përgjegjësinë kryesore të kryerjes së vlerësimeve të riskut, do të vendosin mbi autorizimin për udhëtim për aplikimet e refuzuara nga procesi i automatizuar i aplikimit, si dhe do t’u sigurojnë aplikuesve informacion lidhur me procedurën që do të ndiqet në rast apeli.

Bordi Verifikues ETIAS me funksion këshillimor do të ngrihet gjithashtu brenda Rojës Evropiane Kufitare dhe Bregdetare. Ai do të përbëhet nga një përfaqësues nga çdo Njësi Kombëtare ETIAS dhe Europol dhe do të konsultohet për përcaktimin, vlerësimin dhe rishikimin e treguesve të riskut, si dhe për zbatimin e listës mbikëqyrëse të ETIAS.

Cili do të jetë roli i Europolit?

Europoli, si një qendër informacioni për sigurinë e BE-së, është në një pozicion unik për të kombinuar informacionin që nuk është i disponueshëm për Shtetet Anëtare individuale apo në baza të tjera të dhënash të BE-së.

Të dhënat e siguruara nga aplikuesit për një autorizim ETIAS do të verifikohen me të dhënat e mbajtura nga Europoli lidhur me personat që dyshohet se kanë kryer apo kanë marrë pjesë në një vepër penale, që kanë qenë dënuar për një vepër të tillë apo për ata mbi të cilët ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të besuar se do ta kryejnë një vepër të tillë.

Europol do të përfshihet gjithashtu në përkufizimin e rregullave verifikuese të ETIAS, si dhe do të menaxhojë listën mbikëqyrëse të ETIAS brenda të dhënave Europol. Për më tepër, Njësitë Kombëtare ETIAS do të konsultohen me Europolin pas një kërkimi në rrjet që ka ndodhur gjatë përpunimit të automatizuar ETIAS me të dhëna të mbajtura nga Europoli.

Çfarë është lista mbikëqyrëse e ETIAS?

Lista mbikëqyrëse e ETIAS që do të përcaktohet dhe menaxhohet nga Europoli do të konsistojë në të dhëna lidhur me persona që dyshohet se kanë kryer apo kanë marrë pjesë në një vepër penale apo persona për të cilët ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të besuar se do të kryejnë vepra penale.

Lista do të krijohet mbi bazën e:

  • (1) listës së Kombeve të Bashkuara për kriminelët e luftës;
  • (2) informacioneve lidhur me vepra terroriste apo vepra të tjera serioze penale të siguruara nga Shtetet Anëtare;
  • (3) informacion lidhur me vepra terroriste apo vepra të tjera serioze penale të marra përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Cili do të jetë roli i eu-LISA? 

Eu-LISA, Agjencia për menaxhimin operativ të sistemeve të informacionit në shkallë të gjerë në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë do të krijojë Sistemin e Informacionit ETIAS dhe do të sigurojë menaxhimin e tij teknik. Ajo do të ndërtojë Ndërfaqet Kombëtare Uniforme për të lidhur infrastrukturat kombëtare kufitare të Shteteve Anëtare me Sistemin Qendror. Do të ngrejë një Infrastrukturë Komunikimi të sigurt mes Sistemit Qendror dhe Ndërfaqeve Kombëtare Uniforme, një uebsajt publik dhe një aplikim mobile për pajisje të lëvizshme që do të përdoret nga aplikuesit për të futur aplikimet e tyre, si dhe një shërbim në rrjet që mundëson komunikimin mes ETIAS dhe aplikuesve, si dhe me operatorët.

Çfarë duhet të bëjnë udhëtarët e përjashtuar nga vizat para udhëtimit?

Udhëtarët do të duhet të bëjnë një aplikim online përmes një uebsajti të dedikuar apo një aplikim për pajisje të lëvizshme. Plotësimi i aplikimit nuk duhet të marrë më shumë se 10 minuta dhe nuk duhet të kërkojë asnjë dokument përtej një dokumenti udhëtimi (një pasaportë apo dokument tjetër ekuivalent). Në rast paaftësie për të bërë një aplikim (për shkak të moshës, nivelit të shkrimit dhe këndimit, qasjes në teknologjinë informative dhe kompetencave, etj.) aplikimet mund të paraqiten nga një person i tretë.

Një pagesë elektronike prej 5 € për çdo aplikim do të kërkohet për gjithë aplikuesit mbi moshën 18 vjeç. Ky proces (dhe pagesa) do të duhet të rinovohen vetëm në fund të vlefshmërisë së autorizimit të udhëtimit. Metodat e pagesës elektronike do të marrin parasysh zhvillimet teknologjike dhe disponueshmërinë e tyre në vendet pa viza, me qëllim që të mos pengohen shtetasit e vendeve të treta pa viza që mund të mos kenë qasje në disa mënyra pagesash kur aplikojnë për një autorizim ETIAS.

Procesi i automatizuar i vlerësimit do të nisë pasi të konfirmohet mbledhja e tarifave. Shumicës së aplikuesve (që pritet të jetë më shumë se 95% e gjithë rasteve) do t’u jepet miratimi i automatizuar (kur nuk ka rezultate në bazat e kërkuara të të dhënave, në listën e dedikuar ETIAS apo kundrejt rregullave të verifikuara të përcaktuara qartë) që do t’u komunikohet disa minuta pas pagesës. Nëse ka një rezultat apo ndonjë rezultat të pavendosur të procesit të automatizuar, do të kryhet trajtimi manual i aplikimit nga Njësia Qendrore e Rojës Europiane Kufitare dhe Bregdetare apo nga një ekip i një Shteti Anëtar. Kjo mund ta zgjasë kohën e përgjigjes ndaj shtetasit të vendit të tretë të përjashtuar nga viza deri në 72 orë. Në rrethana shumë të veçanta mund të kërkohet informacion dhe hapa të mëtejshme nga aplikantët, por në të gjitha rastet një vendim përfundimtar do të merret brenda dy javëve nga aplikimi i tyre.

Nga përafërsisht 5% e aplikimeve që prodhojnë një apo disa rezultate, pritet që 3-4% të marrin një vendim pozitiv pasi Njësia Qendrore ETIAS të verifikojë të dhënat, ndërsa pjesa e mbetur prej 1-2% do të transferohet në Njësitë Kombëtare ETIAS për përpunim manual.

Pas vendimit aplikuesve do t’u jepet një përgjigje me email me një autorizim udhëtimi të vlefshëm apo një justifikim për refuzimin.

Çfarë ndodh nëse një personi i është refuzuar autorizimi i udhëtimit nga ETIAS?

Nëse autorizimi i udhëtimit është refuzuar, aplikuesi do të ketë gjithnjë të drejtën të apelojë. Apelet mund të bëhen në Shtetin Anëtar që ka marrë vendimin mbi aplikimin dhe në përputhje me ligjin kombëtar të atij Shteti Anëtar. Aplikuesi do të informohet se cili autoritet kombëtar ishte përgjegjës për përpunimin dhe vendimin për autorizimin e tij/saj të udhëtimit, si dhe informacion lidhur me procedurën që do të ndiqet në rast apeli. Nëse udhëtari e konsideron trajtimin si të padrejtë, atij/asaj i jepet gjithashtu e drejta të kërkojë korrigjim apo të kërkojë qasje në informacion përmes autoritetit kombëtar.

Cila është vlefshmëria e një autorizimi udhëtimi ETIAS?

Vlefshmëria e autorizimit të udhëtimit do të jetë 5 vjet (ose deri në datën e mbarimit të afatit të dokumentit të udhëtimit).

Cilat janë detyrimet e operatorëve?

Para hipjes në  bord, operatorët ajrorë dhe detarë, si dhe operatorët që transportojnë grupe me rrugë tokësore me autobus duhet të verifikojnë statusin e dokumentit të udhëtimit që kërkohet për të hyrë në Zonën Schengen, përfshirë që shtetasi i vendit të tretë i përjashtuar nga viza ka një autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS.

Çfarë do të ndodhë në pikën e kalimit të kufirit?

Pas mbërritjes në pikën e kalimit të kufirit të zonës Schengen, roja kufitare do të lexojë elektronikisht të dhënat e dokumentit të udhëtimit, duke bërë në këtë mënyrë pyetje në baza të ndryshme të dhënash, siç parashikohet nga Kodi i Kufirit Schengen, duke përfshirë pyetje në ETIAS në rast të udhëtarëve të përjashtuar nga vizat.

  • Nëse nuk ka autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS, rojat kufitare do t’ia refuzojnë hyrjen dhe do ta regjistrojnë udhëtarin dhe refuzimin e hyrjes në EES.
  • Nëse ka një autorizim të vlefshëm udhëtimi, procesi i kontrollit kufitar do të kryhet sipas Kodit aktual të Kufirit Schengen. Si rezultat i këtij procesi, udhëtari mund të autorizohet të hyjë në zonën Schengen ose t’i refuzohet qasja sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Kufirit Schengen.

A mund të revokohet një autorizim udhëtimi i lëshuar?

Ndonëse autorizimi i udhëtimit është i vlefshëm për 5 vjet, ai mund të revokohet apo anulohet nëse kushtet për lëshimin e autorizimit të udhëtimit nuk aplikohen më.

Sa do kushtojë krijimi i ETIAS?

Për të qenë sa më efikasë ETIAS do të ndërtohet në bazë të sistemeve ekzistues të  informacionit që do të konsultohen dhe ndërveprimit që  ekzistojnë mes tyre (EES, SIS, VIS, të dhënat Europol, Eurodac dhe ECRIS), si dhe mbi ripërdorimin e komponentëve të zhvilluar për ato sisteme informacioni, në veçanti EES. Ngritja dhe vënia në zbatim e EES dhe ETIAS duhet kryer së bashku dhe në paralel, çka do të sigurojë kursim të madh kostosh për ngritjen dhe operimin e ETIAS.

Kosto për ndërtimin e ETIAS vlerësohet në 212,1 milionë € dhe kostot mesatare vjetore të operimit në 85 milionë €. ETIAS do të jetë financiarisht e vetë-qëndrueshme, meqë kostot vjetore të operimeve do të mbulohen nga të ardhurat nga tarifat.

Cila është shtrirja territoriale e ETIAS?

ETIAS përbën një zhvillim të acquis të Schengen dhe do të aplikohet në ato Shtete Anëtare që janë pjesë e zonës Schengen, përfshirë ato Shtete Anëtare që ende nuk e aplikojnë plotësisht acquis e Schengen, si Kroacia, Qipro, Bullgaria dhe Rumania, si dhe vendet e asociuara Schengen Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtejni. Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk janë pjesë e zonës Schengen dhe nuk do të marrin pjesë në miratimin e Rregullores, si dhe nuk janë të detyruara prej saj apo subjekt i aplikimit të saj. Danimarka nuk merr pjesë në miratimin e Rregullores, por mund të vendosë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, pasi Këshilli të ketë vendosur mbi Rregulloren, nëse do ta zbatojë atë në legjislacionin e saj kombëtar.

Kur do të jetë gati ETIAS?

ETIAS pritet të bëhet operative në fillim vitit 2020.

Ndërtimi i saj do të mbështetet mbi krijimin e Sistemit të propozuar të Hyrje-Daljeve (EES) që po negociohet aktualisht nga Këshilli dhe Parlamenti Europian dhe pritet të hyjë në punë më 1 Janar 2020.

Cilat janë hapat e tjerë të propozimit?

Propozimi për një Rregullore për krijimin e Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) do t’i transmetohet tani Parlamentit Europian dhe Këshillit për miratim.

Komisioni mbështetet tek bashkë-legjislatorët për krijimin e bazave të nevojshme ligjore në vitin 2017, për të mundësuar zhvillimin teknik nga eu-LISA të Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtime.

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0