Digjitalizimi nuk është më e ardhmja, por e tashmja

Digjitalizimi nuk është më e ardhmja, por e tashmja


Webinari “Sfida e të punuarit në distancë”, i mundësuar nga Hap!de, e përqendroi diskutimin e panelistëve tek situata aktuale me të cilën po përballen bizneset për shkak të izolimit, mënyrat sesi duhet përballuar situata dhe sfidat e të ardhmes.

Panelistë ishin:

 Dritan Mezini, sipërmarrës, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “DM Consulting Services” në Shqipëri dhe Kosovë, bashkë-themelues i portalit online të punës dhe karrierës duapune.com.

Gerti Boshnjaku, bashkë-themelues dhe drejtues i “New Media Communications”, kompani komunikimi marketingu dhe zhvillime aplikacionesh online.

Paneli i moderuar nga Shkëlzen Marku, ndau me audiencën online, mënyrën sesi bizneset po funksionojnë duke punuar në distancë.

Në kushtet e vetëizolimit, puna në distancë është domosdoshmëri dhe e vetmja zgjidhje sot. Duke qenë se nuk dihet sesa do të vazhdojë kjo situatë, të gjithë duhet ta shfrytëzojmë teknologjinë, duke punuar seriozisht nga shtëpia. Punëdhënësit dhe punëmarrësit duhet të fillojnë të mendojnë se kjo është mënyra e re e punës, prandaj duhet të jemi pozitivë dhe te kemi produktivitet.

“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme, në të cilën thuajse çdo gjë ka ndaluar. Por ajo që vemë re është avancimi në përdorimin e teknologjisë. Nxënësit dhe studentët po zhvillojnë mësimin në distancë, dyqanet po ofrojnë shërbim delivery, bizneset po komunikojnë me klientët përmes internetit. Të gjitha këto i ka mundësuar teknologjia”, tha Gerti Boshnjaku.

Digjitalizimi nuk është më e ardhmja, por e tashmja. Bizneset duhet të orientohen nga teknologjia. Shërbimet që mund të ofrohen online, duhen automatizuar në çdo sektor. Situata aktuale tregoi që kemi pasur nevojë më herët për t’u zhvilluar nga ana teknologjike. Kompanitë, kryesisht ato në sektorin e teknologjisë, kishin marrë paraprakisht masa të të punuarit remote, sepse bashkëpunojnë me kompani të huaja.

Ka shumë platforma, që ofrojnë shërbime online siç janë TeleDoc, që ofron konsulta mjekësore online, SchoolMe, MësoVet etj, të cilat duhen pëdorur. Pra, tashmë është momenti që transformimi digjital të japë fryte, duke nxitur njerëzit të angazhohen online në sektorë të ndryshëm.

A janë kompanitë gati?

Nuk janë zhvilluar pyetësorë apo studime konkrete, por të jesh gati të punosh remote, do të thotë që disa gjëra t’i kesh menduar më herët. Të gjithë bizneset kanë planet dhe rregullat e tyre, por është e rëndësishmë që të modifikohen rregullat. Duke qenë se situata po na detyron që shumica e punonjësve të punojnë nga shtëpia, bizneset duhet të sigurohen për kushtet e punës së punonjësve të tyre. Të komunikojnë me punonjësit lidhur me çështjet teknike, a kanë kompjuter të përshtatshëm për punën, a kanë akses në internet etj.

Edhe nëse kompanitë nuk kanë hartuar më herët një plan të tillë, mund të fillojnë të veprojnë tani. Nuk është vonë, është e vetmja rrugë për të mbijetuar.

Sipas Dritan Mezinit, “bizneset që kanë reputacion në tregun fizik dhe operojnë gjithashtu online, në këtë situatë kanë shumëfishuar shitjet online. Është e rëndësishme që burimet njerëzore të kompanisë të bashkëpunojnë dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin”. Biznesi nuk duhet të jetë i varur vetëm nga serverat, duhet që punonjësit të kenë akses në punën e tyre kudo. Mund të shfrytëzohet iCloud-i, tools si: Project Management Tools, Asana, Clockify, që përdoret për të matur kohën e shpenzuar në një projekt, etj.

Një kusht themelor që biznesi të funksionojë dhe të ketë produktivitet është besimi. Njerëzit mund të ndërtojnë besimin edhe përmes komunikimit online. Madje puna online i bën njerëzit më të përgjegjshëm, sepse i duhet t’ia dalin vetë, duke qenë se nuk kanë kolegët apo menaxherin afër. Nga ana tjetër duhet që punonjësit të komunikojnë vazhdimisht me kolegët dhe eprorët, për të ndarë planin e punës, për të shkëmbyer mendime dhe për të ndërtuar marrëdhënie.

Pra, si punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit mund t’ia dalin të punojnë nga shtëpia, duke e konsideruar njësoj si një ditë pune në zyrë. Mjafton që të ekzistojë fryma e bashkëpunimit.

Njerëzit duhet të mësojnë vazhdimisht gjëra të reja, për të ecur përpara. Pra, bizneset duhet të mendojnë për rimodelimin e punës. Duhet të bëjmë maksimumin duke pasur prioritetet e duhura.

Në fund të webinarit, audienca pati mundësi të bënte pyetje dhe të ndërvepronte me panelistët.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0