Diaspora, pse po bie lobimi i saj dhe sa i detyrohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë - Business Magazine Albania

Diaspora, pse po bie lobimi i saj dhe sa i detyrohen qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë

Diaspora

Ngjarjet më të mëdha historike të Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ndodhnin pa angazhimin e pakursyer të diasporës. Lufta dhe çlirimi i Kosovës, mbërritja e presidentit Bush në Shqipëri, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e plot ngjarje të tjera, bazën e zhvillimit e kanë tek diaspora dhe lobimi i fortë i saj. A e dini se të rinj emigrantë, edhe pse kanë ikur nga Kosova e okupuar, apo Shqipëria e tranzicionit, kanë humbur jetën jashtë të angazhuar në çështje kombëtare. Pas një nga protestave në Uashington për të denoncuar gjendjen e rëndë në Kosovë, Ali Lajçi, i lodhur nga protesta, pëson aksident gjatë kthimit në shtëpi, duke lënë jetim një fëmijë të vogël.


Naim Dedushaj, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve, thekson një fakt mbresëlënës për këdo që e dëgjon për herë të parë. 90% e shqiptarëve, gjatë kohës që drejtonte zyrën e LDK-së në SHBA, (e njohur si ambasada e Kosovës në SHBA) nuk kanë shkuar për pushime për 10 vite rresht, duke i dhënë financat e tyre për Kosovën dhe çështjen e saj. Mjafton ky fakt për të kuptuar sa borxh i kanë Kosova e Shqipëria dhe më saktë qeveritë e të dy vendeve diasporës shqiptare.

Çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodh sot me diasporën?

Dedushaj, tregon në një intervistë për Businessmag, se si është angazhuar diaspora në momente të ndryshme dhe paralajmëron se në 20 vitet e fundit lobimi ka rënë ndjeshëm, për shkak të mosrespektimit dhe moskoordinimit të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. “Që nga viti 1990, kur Kosova ishte e okupuar shkova në Shtetete e Bashkuara të Amerikës për të dhënë një kontribut më ndryshe për çështjen e Kosovës. Kam qenë aktiv për shumë vite dhe udhëhoqa zyrën e LDK-së, e cila njihej nga SHBA në atë kohë”, thotë Dedushaj.

Lexo: Digi Diaspora vjen me takimin e 23 Qershorit

Ai tregon se gjatë gjithë kohës bëhej lobim për çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, por edhe për Shqipërinë, pasi ishte duke dalë nga një regjim i egër komunist.

Lobimi nga shqiptarët nuk është ndalur që kur është ngritur “Vatra” në Amerikë, rreth 100 vite më parë. Sipas tij, shteti shqiptar dhe Pavarësia e Kosovës janë ruajtur nga lobimi i komunitetit shqiptar atje.

“Shumë shoqata kanë funksionuar që në ngritjen e federatës “Vatra”. Por, në vitet ’90, Kosova u okupua tërësisht dhe komuniteti shqiptar i Kosovës u organizua përmes LDK-së, me në krye Ibrahim Rugovën. Në shumë vende, por edhe në SHBA, u themelua një lëvizje e re që punonte 24 orë për Kosovën.

Dedushaj tregon se, “Kur shkova në Amerikë takova një Shqipëri tjetër të vogël, ish profesorë, atdhetarë, etj,.  Zyra e LDK-së u njoh dhe u pranua nga Amerika, ndaj nga 1-2 kongresmenë që kishim pro Kosovës, kemi arritur të bëjmë miq të shqiptarëve të gjithë kongresmenët dhe senatorët, pa marrë parasysh demokratë apo republikanë. Të gjithë ishin pro çështjes shqiptare”.

Përkushtimi dhe lobimi i shqiptarëve ka qenë i madh. Çdo ditë organizoheshin aktivitete të ndryshme, kohë pas kohe shkruhej në gazetat më të njohura në Amerikë si New York Times, çdo muaj kishte demostrata në Uashington dhe para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish Jugosllavi. “Ne ishim të koordinuar me Presidentin Rugova dhe LDK në Prishtinë dhe Europë. Ishte një mobilizim i paparë asnjëherë më parë. Zyra në SHBA, informonte cdo ditë në Uashington, Zyrën e Kombeve të Bashkuara e të gjitha institucionet ndërkombëtare, lidhur me represionin e vrasjet në Kosovë, thotë Dedushaj.

Përkrahësit ishin edhe kandidatë për President, si Bush, senatori Bob Doll dhe Klinton. Ai kujton tërheqjen e vijës së kuqe të presidentit Bush, i cili i bëri të qartë Serbisë se, “nëse lufta fillon në Kosovë, ne do të ndërhyjmë”. Falë këtij lobimi, në vitin ‘90 Kosova u vizitua nga 7 senatorë amerikanë, të cilët i thanë Serbisë se Kosova është e mbrojtur nga Amerika. Ky ishte lobimi shqiptar në Amerikë!

Por sot, situata ka ndryshuar shumë në disfavor të shqiptarisë. “Lobimi i shqiptarëve të diasporës ka rënë. Kjo vjen nga mungesa e respektit për diasporën, në vecanti asaj të Amerikës, nga qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Duhet që shteti shqiptar dhe ai i Kosovës, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të jenë të vetëdijshëm se pa shqiptarët e Amerikës nuk ka mbështetje të fuqishme amerikane”, thotë Dedushaj.

Zbehjen e lobimit të diasporës, për shkak se nuk është përkrahur nga qeveritë, e pranon edhe një ish zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare. Ai thekson se, “pavarësisht angazhimit të paçmueshëm të diasporës sonë në momentet më kritike të kombit, ne si shoqëri, por edhe me politikat shtetërore, nuk ia kemi dalë që ta bëjmë diasporën pjesë integrale dhe partnere të zhvillimit tonë ekonomik dhe shoqëror. Diaspora jonë ka ditur që të jetë përherë aty, sa herë që fati i vendit e ka kërkuar këtë angazhim, por për fat të keq, jemi ende larg të pasurit të diasporës sonë pjesëmarrëse në asetet me rëndësi strategjike apo partnere në konsorciume të dorës së parë në ekonominë e vendit. Ndaj si shoqëri kemi përgjegjësinë dhe borxhin ndaj kësaj pjese tepër vitale të kombit”.

Ai thekson rolin e rëndësishëm që ka patur dhe ka diaspora në zhvillimet në vend, si në prizmin historik të zhvillimeve në Shqipëri dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Mërgatat jashtë vendit ndezën shkëndijën për liri dhe pavarësi që në gjenezë të shtetit shqiptar. Madje, ato dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm në farkëtimin e vetëdijes, në ndërtimin e alfabetit, shkollave, qendrave kulturore dhe identitare si dhe luajtën një rol të fortë në ndikimin e vendimmarrjes në favor të lirisë së atdheut pranë shteteve ku ato vepronin. Angazhimi i diasporës shqiptare në Botë, gjatë luftës së Kosovës, njohu të gjitha dimensionet e veta të aktivizimit si; financiar, kulturor, lobues, organizimin dhe pjesëmarrjen aktive të djemve në mërgim krah formacioneve të UÇK, duke shkruar kështu një epope të lavdishme të diasporës dhe të kombit.

Si përfaqësuesi nga diaspora, edhe ish zyrtari qeveritar lëshojnë këmbanën e alarmit për një vëmendje në kohë ndaj diapsorës. Gjenerata më e hershme po plaket dhe Shqipëria e Kosova nuk do të mund të kenë vëmendjen e duhur të diasporës së re, nëse asaj nuk i japin rëndësinë dhe vlerësimin e duhur në këtë ekonomi dinamike.

Sipas ish zyrtarit qeveritar, diaspora duhet të bëhet pjesë aktive e zhvillimeve politike në vend, fillimisht duke zgjedhur, përfaqësuar dhe më pas të bëhet pjesë direkte e ekzekutivit, jo vetëm si një nevojë e kohës, por edhe si dëshmi e maturimit tonë politik e shoqëror.

Rrjeti biznesor merr një fokus të ri

Pa dyer të hapura në nivel politik, sipërmarrjet e diasporës kanë orientuar fokusin drejt asaj që mund të bëjnë me forcat e tyre. Bashkëpunimi biznesor, në një model të ngjashëm me atë Izraelit. Një nismë e tillë, u mundëson atyre të realizojnë kontrata më të mira shit-blerje dhe të gjenerojnë më shumë të ardhura, krahasuar me biznesin pa këtë rrjet.

Nga Amerika ka lindur ideja e themelimit të rrjetit biznesor shqiptar, me objektiv fuqizimin e tyre. “Sipas modelit të rrjetit të bizneseve hebraike, themeluam rrjetin e bizneseve të diasporës shqiptare në 25 vende të botës që udhëhiqet nga Nazar Mehmeti, multimiliarderi që dha miliona euro për UÇK, Xhim Xhema, etj,. Në çdo vend të Europës kemi nga një kryetar. Vetë dipasora po organizohet e pa kontrolluar politikisht”, thotë Dedushaj. Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare është organizuar për të bashkuar forcën ekonomike dhe për të zhvilluar projekte të përbashkëta në viset shqiptare, për të blerë mallrat së bashku si grup dhe për të krijuar një bankë shqiptare, apo fondin e investimit që të ndikojë në zhvillim. Për viset shqiptare zyrën e kemi në Prishtinë, zyrën qendrore në Amerikë dhe disa zyra në vende të ndryshme të botës. Rrjeti i themeluar në 2014 është urë lidhëse për investimet Kosovë-Shqipëri. Dedushaj tregon se në Dallas ka nisur më herët një organizim i tillë.

Ideja për një rrjet biznesor të pavarur ka ardhur nga Amerika dhe është përkrahur nga qeveria e Kosovës, qeveria finlandeze, këshilli i Natos dhe qeveria amerikane, Janë mijëra biznese në rrjet dhe funksionon në 4 kontinente.

Dedushaj tregon se ka shumë projekte që presin për të ardhur dhe për t’u zhvilluar në Kosovë e Shqipëri. Por, nuk po gjendet gjuha e përbashkët me qeveritë e dy vendeve.

Në vitin 2016 u organizua Forumi i parë Ekonomik i Diasporës Shqiptare me rreth 1000 veta. Ata u mblodhën në New York për një javë, ku diskutuan si të punojnë së bashku. Ndërsa në vitin 2017 u zhvilluan takime në Prishtinë e Tiranë, ku ishin pjesëmarrës mijëra biznese nga diaspora dhe viset shqiptare.

Dedushaj thekson se, “ajo çfarë kërkojmë është respektimi i ligjeve dhe krijimi i hapësirës reale të diasporës për të investuar. Gjenerata e vjetër po plaket dhe rinia e diasporës, fëmijët tanë, nuk do të kenë atë pasion si ne për t’u orientuar nga Shqipëria dhe Kosova”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0