Kërkues nga diaspora, në kuadër të Programit të Diasporës së IOM, angazhohen në rigjallërimin e kulturës dhe zhvillimin ekonomik të disa fshatrave. Businessmag.al zhvilloi intervistë me Dr. Kamela Guza, arkitekte dhe kërkuese shkencore në Itali. Zonat përfituese janë fshatrat Leusë, Bënjë dhe Kosinë në bashkinë e Përmetit, Razma në Malësinë e Madhe dhe Zvërneci i Vlorës.
– Keni studiuar dhe punoni jashtë vendit? A mund të flisni për veten, udhëtimin tuaj profesional?
U largova nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 2004, pasi përfundova shkollën e mesme. Fillimisht u vendosa në Venecia, ku përfundova dy vitet e para në Fakultetin e Arkitekturës të IUAV (Istituto Universitario di Architettura a Venezia). Më tej u zhvendosa në Firenze, ku përfundova studimet me një temë diplome për Histori Arkititekture. Ndieja se dimensioni i projektimit të mirëfilltë si arkitekte nuk më përkiste plotësisht. Studimi dhe hulumtimi shkencor është më afër meje si fushë, si një afrimitet dhe një interes i veçantë për veprën artistike. Ndaj vendosa të specializohem në Histori Arkitekture. Për këtë vijova edhe doktoraturën, e cila më dha bazat solide si kërkuese, aktivitet që vazhdoj ta kultivoj akoma dhe sot. Jam marrë kryesisht me hulumtimin e rezidencave private, të ashtuquajturat ‘vila fiorentine’ të shekujve XV-XVI, periudhës së artë të Rilindjes Italiane. Prej vitit 2017 jam pjesë e trupës mësimore në Departamentin e Arkitekturës të Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë, si ko-docente në kursin Histori Arkitekture II.
Karriera ime shoqërohet edhe me pasionin për përkthimin. Kam përkthyer në italisht romanin “Lumenjtë e Saharasë”, si dhe kam sjellë në italisht dy drama: “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” dhe “Burrnesha”.
– Cila është lidhja juaj me Shqipërinë dhe vendlindjen tuaj?
Jam lindur e rritur në Durrës dhe kur kthehem në Shqipëri nënkuptoj Durrësin, detin dhe përmasën humane të këtij qyteti bregdetar. Nuk mund të jetoj pa ujin. Edhe në Itali kam jetuar në dy qytete me ujë, qofshin kanalet veneciane apo lumi Arno në Firenze. Vitet e fundit puna më dha mundësinë të njoh më mirë Tiranën. Më pëlqen shumë atmosfera e saj dinamike dhe ndërkombëtare. Kjo i fal qytetit një karakter të depërtueshëm që lejon njohjen dhe komunikimin më të thjeshtë me të dhe me njerëzit.
– Ju ishit pjesë e Samitit të Diasporës Shkencore Shqiptare mbajtur më 27 – 28 Shtator 2019, ku prezantuat një nismë në kuadër të Programit të Diasporës së IOM. Bëhet fjalë për një projekt kërkimor që po zhvilloni në Shqipëri përmes Departamentit të Arkitekturës të Universitetit të Firences në Itali. Na tregoni më shumë rreth kësaj nisme?
Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Agjencia e OKB për Migracionin, financohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), në koordinim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë.
Siç e shihni, entet e përfshira me këtë program janë prestigjoze. Projekti në vetvete është mjaft ambicioz dhe kompleks. Një përbërës kyç i tij është transferimi i njohurive të Diasporës Shqiptare në atdhe, falë skemës së Fellowship-it që po zbatohet aktualisht.
Jemi gjashtë studiues të rinj (fellow), anëtarë të Diasporës Shqiptare, që po kryejmë një studim për zhvillimin territorial të komuniteteve lokale në: Vlorë (Zvërnec), Shkodër (Razëm) dhe Përmet (Bënjë; Leusë), përmes vlerësimit të trashëgimisë kulturore dhe burimeve natyrore të këtyre komuniteteve.
Profilet tona të studimit janë: projektim territorial, histori arkitekture, teknologji arkitekture, aspekte strukturore të ndërtimeve tradicionale, restaurim arkitektonik dhe sociologji urbane. Qasja është ndërdisiplinore dhe përpiqet ta përballojë kompleksitetin e problemeve nga këndvështrime të ndryshme për një vizion sa më të plotë e të pasur.
– Cilët janë elementët kryesorë të projektit kërkimor?
Nga ana e përmbajtjes, projekti synon njohjen dhe vlerësimin e zonave kulturore më pak të njohura në territorin shqiptar.
Faza e parë e projektit përfshiu një seminar tematik me studentë shqiptarë që studiojnë në Firenze dhe pati si qëllim rilevimin 3D me Laser Scanner të tre monumenteve në fshatrat e Përmetit: Kisha e Leusës, Kisha e Kosinës dhe Ura e Katiut në Bënjë. Faza e dytë është ajo ku specifikisht jemi përfshirë unë dhe pesë kolegët e mi: një hap i parë u zhvillua nga muaji maj deri në fund të korrikut. Gjatë këtyre tre muajve të gjithë ne u spostuam në Shqipëri për të zhvilluar hulumtimet në terren në pesë fshatrat e përzgjedhura dhe për të mbledhur informacionin shkencor në dispozicion në lidhje me to. Hapi i dytë po zhvillohet aktualisht në Firenze dhe do të përfundojë në fund të janarit të 2020-ës me realizimin e një udhëzuesi për secilin nga fshatrat, që ka si qëllim njohjen, vlerësimin dhe ndërtimin e strategjive të zhvillimit në lidhje me trashëgiminë kulturore materiale dhe imateriale. Ky do të jetë produkti konkret i projektit që do t’u dhurohet bashkive përkatëse si instrument i mundshëm operativ.
Programi ka dhe një fazë të tretë që do të fillojë në shkurt të 2020-ës dhe zgjat gjashtë muaj. Në këtë fazë do të zhvillohen tre projekte arkitekture ose rekuperimi urban në tre monumentet e rilevuara me lazer skaner në Përmet.
– Cilat janë rezultatet e pritura nga kjo punë kërkimore?
Produktet konkrete të projektit do të jenë: 1) rilevimet 3D të tre monumenteve të përzgjedhura në Përmet: kisha e Leusës, kisha e Kosinës dhe ura e Katiut në Bënjë; 2) udhëzuesi për njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë dhe 3) projektet specifike me objekt tre monumentet e rilevuara gjatë seminarit tematik. Produktet do t’u dhurohen administratave vendore të këtyre fshatrave.
– Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar jashtë vendit, konkretisht në Itali?
Komuniteti shqiptar në Itali tashmë ka gjetur një hapësirë të tij veprimi: atje ndodhen sipërmarrës tashmë të konsoliduar si profesionistë të fushave të ndryshme. Edhe në ambjentin e kërkimit shkencor dhe akademik ka përfaqësues të diasporës shqiptare. Pra, është hapur rruga për një bashkëveprim më të mirë e më afër barazisë me shtetasit italianë. Shumë shqiptarë kanë fituar nënshtetësinë italiane, duke u bërë edhe formalisht pjesë e komunitetit europian. Ajo që mund të përforcohet është formimi i një rrjeti njohjeje dhe bashkëpunimi startegjik midis diasporës shqiptare. Kjo mund të ishte një sfidë interesante për të ardhmen.
– Si po kontribuon Diaspora Shqiptare e Italisë në vendlindje?
Diaspora në Itali, ashtu si edhe ajo në vendet e tjera, po investon në Shqipëri edhe në aspektin intelektual, jo vetëm ekonomik. Pra, nuk mendohet më vetëm në terma remitance apo investimi ekonomik, por edhe në terma kontributi, nëpërmjet ideve, energjisë intelektuale dhe të dijes. Ky është kontributi që unë dhe kolegët e mi po përpiqemi të sjellim, dhe jam e bindur se shumë të tjerë si ne po përpiqen në këtë drejtim. Samiti i diaporës shkencore që u zhvillua në 27-28 shtator, 2019 qe një tregues mjaft i mirë i përfshirjes së figurave të spikatura të diasporës shqiptare. Edhe shteti shqiptar po tregohet i ndjeshëm, po fillon të vlerësojë rëndësinë dhe fuqinë e ideve që vijnë nga diaspora, si investim frytdhënës për të ardhmen e Shqipërisë.
Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”
Diaspora përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe sfida për aktorët e përfshirë është krijimi i një mjedisi që nxit dhe mbështet angazhimin e diasporës në këtë proces. Objektivi i këtij programi është që të kontribuojë në rritjen e angazhimit të diasporës në zhvillimin e vendit.
Në ndjekje të këtij objektivi, programi zhvillohet mbi tre komponentë:
Komponenti i parë fokusohet tek mbështetja për Qeverinë e Shqipërisë, zbatimin e një qasje gjithëpërfshirëse ndaj angazhimit të diasporës për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me kuadrin e përgjithshëm të politikave. Një sërë aktivitetesh, të tilla si ndihma teknike dhe ndërtimi e zhvillimi i kapaciteteve, duke mbështetur institucionet e diasporës dhe zyrtarët përkatës të sigurojnë dhe përdorin mjetet e duhura për të mundësuar angazhimin e diasporës.
Komponenti i dytë fokusohet në krijimin e lehtësive për angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit përmes transferimit të dijeve dhe të aftësive. Pjesë e këtij komponenti është hartëzimi dhe profilizimi i diasporës, një proces që kontribuon në ndërtimin e një baze të dhënash të aftësive dhe njohurive të diasporës. Komponenti parashikon gjithashtu për anëtarët e diasporës mundësinë e projekteve (fellowships) në institucionet shqiptare që do t’i shërbejë rritjes së kapaciteteve të institucioneve të përfshira në angazhimin e diasporës si edhe mbështetjes së zhvillimit territorial të vendit.
Komponenti i tretë krijon lehtësi për angazhimin e diasporës në zhvillimin e vendit përmes nxitjes së investimeve. Kjo arrihet nëpërmjet zhvillimit të një platforme inovatore të quajtur “Connect Albania”, që do të shërbejë për nxitjen e investimeve. Përmes kësaj platforme, diaspora shqiptare do të ketë në dispozicion mjetet për t’u angazhuar si agjent zhvillimi duke referuar biznese të huaja që të investojnë në Shqipëri, që rrjedhimisht kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës.
Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Agjencia e OKB për Migracionin, financohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), në koordinim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë.
Për më shumë informacion kontaktoni: [email protected] ose vizitoni www.albania.iom.int/diaspora
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.